Çadra hotel-restorant e sallamgrevistëve
Përtej Lanës, jo shumë larg nga bulevardi, ku është ngritur çadra e përbashkët e sallamgrevistëve, ndodhet ndërtesa e Akademisë së Shkencave, dikur me shumë institute vartëse. Në vitin 1975 në zyrat e saj, nëpër sirtare, dollape, në shkallë e koridore, në sallën e mbledhjeve dhe në bibliotekë, pa pritur, u shfaq natën, madje edhe ditën, një lukuni e frikshme minjsh të mëdhej nga të cilët tmerrohej edhe maçoku i fuqishëm i dyqanit të petullave me vaj aty pranë. Pra, s’bëhej fjalë për Tomin e Xherin.
Nga vinin ata minj ngjyrë kafe e të bëshëm? Mesa u mor vesh ata brejtës të shpejtë mbërrinin njeri pas tjetrit nëpërmjet kanaleve të zeza nga Lana e ujrave legjendare, drejt ushqimeve, bukë e djathë, që merrnin me vehte zyrtarët e shkencës për të shuar urinë e drekës. Minjve u pëlqenin gjithashtu letra e gazetave dhe veshja e librave politike, veçanërisht e veprave të E.Hoxhës dhe e kolltukëve të butë. Një mi në ngjyrë gri me një pike të zezë në ballë, u pagëzua me emrin Rita. Për shfarosjen e tyre u përdorën pa dobi çarqe të fuqishëm në trajtë kafazi. Sa herë bëhej inventari i pajisjeve të zyrave, delte se mungonin disa çarqe. Ishin rrëmbyer dhe hequr zvarrë nga vetë minjtë! Sado Akademia ishte në krye të planit shtetëror të shpërndarjes së helmeve kundër brejtësve asnjë helm nuk pati efekt. Më së fundi një kimist i njohur urdhëroi të mbylleshin vrimat e të çarat e asaj ndërtese të vjetër.
Kështu po ndodh sot edhe me çadrën e madhe të sallam e qoftengrënësve të grevës së urisë që janë ngujuar, larg çdo ideali, në mes të kryeqytetit. Nga këta 22 janë deputetë socialistë, pas betimit në Kuvend që ishte njëkohësisht dhe pranim i rezultatit të votimeve më 28 Qershor 2009. Siç duket këta deputetë tani betimin po e hanë tok me sallamin në çadrën-burg të sajuar nga kryetari Rama, jashtë grevës me bredhje poshtë e lartë, me klithma, kërcënime e shpërblime për hipjen në kolltukun kryeministror. Stërnipat e brejtësve të vitit 1975 u janë sulur tani ushqimeve që hanë grevistët e urisë të servirura nga restoranti i Ligorit. Aktivistët nga fshati për disa ditë kanë qenë më të qetë, sepse sipas traditës fshatçe, para ngujimit në burg kanë gëlltitur deri në njëzetë vezë të ziera. çadra-hotel për fat të keq nuk ka mure me gurë apo tulla. Minjtë hyjnë lirisht si në shtëpinë e tyre.Para se të dalin në shënjë falenderimi u lënë kakërdhi të shumta e kthehen në kanalet e zeza.
Pak kohë më parë, u hap ekspozita me vepra surealiste e pikorit të madh Pablo Pikaso. Aty ndoshta duhej të paraqitej edhe një pikturë e rrallë për nga kuptimi bashkëkohor: një prapanicë njeriu e mbuluar nga një pezhishkë marimange, si dëshmi se ai njeri i shtrirë përmbys nuk kishte hedhur asgjë në gojë, stomak, zorrë etj. dhe natyrshëm asgjë për WC. Nga ana tjetër njihet edhe vepra e skulptorit të shquar shqiptar Odhise Paskali, me diçiturën “I urituri.” Aty nga gjithkush dallohet menjëherë figura e sfiltur nga uria e një burri të shkuar në moshë, pothuaj kockë e lëkurë, që të ngjeth.
Por çfarë po ndodh me grevistët tanë të uritur? Nga fotografitë vihet re se u kuqëlon faqja, bisedojnë, qeshin, lexojnë libra si, “Jeta ime” nga R.Alia, gazeta, letra nga miqtë dhe ia marrin me gjumë qetësisht ne ajrin e freskët të bulevardit, pa trafik automjetesh, si në piknik. Disa ankohen, sidomos gratë, sepse për dreq, kanë shtuar në peshë.Vetëm diabetikët kanë prishur dietën, han ushqime të ndaluara nga doktori me rrezik për shëndetin. Për çka ndodh përgjegjësi mban kryetari Rama dhe pas tij, disa të dukshëm, kuadrot e vjetra të partisë si Ruçi e Dokle, Gjinushi, disa të padukshëm, si R. Alia i Kongresit të Vazhdimësisë.
Qytetaret e Tiranës në këto ditë të bukura maji i largohen zones ku mitingashët janë rralluar. Vetëm parrullat ndër shtylla duken si dordolecë në bulevardin e braktisur.