Leterm-Gruevski: S'ka strehim politik në Belgjikë
Kryeministri belg, Yl Leterme ka përjashtuar çdo mundësi të përfitimit të azilit politik për arsye ekonomike në Belgjikë. Kryeministri belg e ka bërë një deklaratë të tillë pas takimit të së hënës në mbrëmje me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski. "Vendi im po përballet me një valë drastike të aplikuesve për azil sidomos nga zona e Likovës dhe Kumanovës. Ne i përshëndesim përpjekjet e qeverisë së Maqedonisë për t'u ballafaquar me një situate të tillë. Porosia ime është se informacionet që po shpërndahen në këtë rajon për politikën belge të migracionit janë të pavërteta", tha ai. "Vendi im nuk jep azil politik për emigrantët ekonomikë, prandaj nuk ka asnjë kuptim që të udhëtohet nga Maqedonia në Belgjikë, për të kërkuar statusin e emigrantit politik", ka theksuar kryeministri i Belgjikës, Yv Leterme, i cili mbërriti të hënën në Shkup, por për shkak të motit të pafavorshëm e ka shtyrë axhendën e tij të vizitës. Sipas tij, kjo situatë e krijuar përbën një incident të vogël në raportet e shkëlqyera dypalëshe, por sipas tij, me përpjekje të përbashkëta do të tejkalohet gjatë javëve të ardhshme. Ndërkaq Kryeministri Gruevski garantoi se Qeveria e Maqedonisë do të ndërmarrë të gjitha masat për të penguar këtë problematikë.