E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leterme: BE-ja jo e tërë pa Serbinë dhe Kosovën


Kryeministri i dorëhequr i Belgjikës, Yves Leterme, ka deklaruar se BE-ja i ka hapur dyert për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa ato do të mbeten të hapura dhe nuk do të ketë "afate të panevojshme".

Në një intervistë për të përditshmen e Beogradit "Veçernje novosti", Leterme ka theksuar se perceptimi i "lodhjes nga zgjerimi" i BE-së është i gabuar dhe askush në Evropë nuk e vë në dyshim angazhmanin e arritur.

I pyetur sesi do të zgjidhet çështja e Kosovës në procesin e përafrimit të Serbisë drejt BE-së, Leterme tha se "edhe Serbia edhe Kosova kanë vokacion evropian", duke shtuar se për këtë janë dakord të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së.

"Aktualisht, edhe Beogradi edhe Prishtina po përgatiten për integrim në BE, ndonëse shkalla e integrimit të tyre në BE është e ndryshme", tha Leterme.

"Për Belgjikën, godina evropiane nuk do të ishte e tëra pa përfshirjen e Serbisë dhe Kosovës në BE. Si do ta realizojmë këtë dhe kur, askush nuk e di në këtë moment", është shprehur kryeministri i dorëhequr belg, vendi i të cilit së shpejti merr presidencën e radhës së BE-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›