Ndalimi i perçes, kriza qeveritare në Belgjikë shtyn votimin e ligjit
Belgjika duhej të ishte një ditë më parë vendi i parë europian që do të ndalonte nëpërmjet një votimi, mbajtjen e vellos apo perçes islamike në vendet publike. Votimi i një projektligji qe e përmbante një dispozitë të tillë, që tashmë ka marrë "OK"-in, nga komisioni parlamentar e çështjeve të brendshme, ishte parashikuar për të enjten, por në fakt është shtyrëpër shkak të krizës qeveritare që u regjistrua në ekzekutivin belg. Krerët e grupeve vendosën të mos e zhvillonin seancën pas dorëheqjes së kryeministrit belg Yves Leterme. Asnjë vendim nuk do të merret derisa mbreti nuk do të ketë përmbyllur konsultat për të zgjidhur krizën. Pas daljes së liberalëve flamandë nga koalicioni qeveritar, kryeministri i Belgjikës vendosi që të japë dorëheqjen nga ky post. Kryeministri njoftoi me këtë vendim edhe mbretin Albert II. Pa mbështetjen e partisë liberale të flamandëve Open VLD, qeveria e Leterm, ka mbështetjen e një shumice të vogël prej vetëm 76 nga 150 deputetët e Dhomës së ulët të Parlamentit. Shkaku i grindjeve në koalicionin qeveritar ishte ndryshimi i një rrethi zgjedhor në rrethinën e Brukselit. Ligji për mosmbajtjen e perces në Belgjikë, është mbështetur fuqishëm edhe nga presidenti Sarkozi, dhe gjithashtu do të prezantohet në Asamblenë Kombëtare Franceze në 12 maj, me perspektivën që të aprovohet deri në verë. Debati për perçet islamike është hapur edhe në vende të tjera europiane, duke nisur nga Italia. Ndërsa në Gjermani përdorimi i perçes integrale është konsideruar një fenomen margjinal. Ndërkaq në Francë, ende pa u miratuar një ligj i tillë, një grua është gobitur se kishte vendosur Niqab, veshje që mbulon fytyrën. Kjo ngjarje ka ndodhur në veri perëndim të Francës.