E Diel, 1 Nëntor 2026

Leterme anulon takimet në Kosovë, kthehet në Belgjikë

PRISHTINë - Takimi i Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me homologun belg, Yves Leterme, i parashikuar të mbahej sot në mesditë, është anuluar për arsye të aksidentit tragjik, që ka ndodhur në afërsi të Brukselit në orët e mëngjesit të sotëm, ku sipas të dhënave të deritanishme humbën jetën më tepër se 20 persona. Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së kryeministrit të Kosovës, avioni me të cilin mbërriti kryeministri belg në Prishtinë është rikthyer për në Belgjikë. Mësohet se kryeministri Thaçi i ka telefonuar, Yves Leterme ku i ka shprehur ngushëllimet më të thella për humbjen e jetëve të qytetarëve në aksidentin tragjik në afërsi të Brukselit. "Qeveria dhe populli i Kosovës në këto momente të vështira për vendin tuaj, ndajnë me ju, me qeverinë dhe me familjarët e viktimave dhembjen dhe në të njejtën kohë shprehim solidaritetin më të lartë", është shprehur Kryeministri Thaçi në bisedë me kryeministrin belg. Ndërkohë, edhe takimi i Presidentit Sejdiu me Kryeministrin e Belgjikës, Yves Leterme, i parashikuar për t'u mbajtur sot në orën 15:00, është anuluar për shkak të aksidentit tragjik në afërsi të Brukselit, njoftoi presidenca kosovare. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›