E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimet, PD i kërkon Prokurorisë të hetojë

07/03/2010 Reagon zëdhënësja e selisë blu, Mëhilli

“Rama po përpiqet të bllokojë liberalizimin e vizave”

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të hetojë për rastet e falsifikimit të dokumenteve të identifikimit. Selia blu ka reaguar përmes zëdhënëses së saj Erla Mëhilli, një ditë pas publikimit në seancën parlamentare të disa dokumenteve të falsifikuara identifikimi nga kreu i grupit kuvendor Gramoz, Ruçi, që sipas tij janë përdorur në zgjedhjet e 28 qershorit. “Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë së Shtetit që bazuar në ligjet e vendit, të cilat kanë penalitete të rënda për falsifikimet e dokumenteve të identitetit, të ndërmarrë një hetim urgjent për ndëshkimin e këtij akti të shëmtuar të zotit Rama”, tha Mëhilli në deklarimin e saj për mediat. Në emër të PD-së, ajo i ka cilësuar dëshmitë e Ruçit gjatë seancës parlamentare si një strategji të kryetarit të PS-së, Edi Rama për të bllokuar procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin socialit Taulant Ballën. “Në strategjinë e tij për bllokimin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, Edvin Rama po përdor jo vetëm bojkotin, jo vetëm kërkesat e emisarëve të tij për mosheqjen e vizave në qarqet diplomatike, por ai dje kaloi edhe në shpifje, trillime e falsifikime të ulëta për sistemin e identifikimit të qytetarëve shqiptarë. Nëpërmjet numrit dy të PS-së, Gramoz Ruçit, Rama paraqiti dëshmitë e tij false për sistemin e lëshimit të letërnjoftimeve elektronike dhe pasaportave biometrike, duke nxjerrë para kamerave dokumente të prodhuara nga Taulant Balla në kazinonë e tij të preferuar në Tiranë, dhe i serviri ato si letërnjoftime elektronike të prodhuara nga dy-tri herë për të njëjtin person”, deklaroi ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›