E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet në kanal trupi i pajetë i një 56-vjeçari

07/03/2010 U pa nga kalimtarë, dyshohet aksident automobilistik

Një person është gjetur pa jetë mëngjesin e djeshëm në një rrugë të qytetit të Fierit në vendin e quajtur SMT. “Rreth orës 07.00 të mëngjesit të djeshëm, nga një telefonatë në Sallën e Drejtimit dhe Komandimit në Drejtorinë e Policisë Qarkut Fier, u njoftua se në vendin e quajtur fshati Qenas të rrethit Fier afër rrugës hekurudhore është gjetur një kufomë. Me marrjen e njoftimit strukturat e Drejtorisë Policisë Qarkut Fier shkuan menjëherë në vendngjarje dhe nga veprimet e para hetimore rezultoi se në rrugën Fier-Seman, rreth 50 m në perëndim të kalesës së rrugës hekurudhore në kanalin anësor të kësaj rruge ishte një person i pajetë”, ka deklaruar policia në një komunikatë. Ishin pronarët e dyqaneve dhe magazinave në këtë zonë që kanë vënë re kufomën në një kanal të mbushur me ujë në anë të rrugës. Ata kanë lajmëruar menjëherë policinë, e cila e ka marrë dhe e kanë dërguar në morg për ekspertizën. Fillimisht policia e shpalli kufomën të paidentifikuar, por më vonë gjithçka u qartësua falë interesit të familjarëve të viktimës. “Në vijim të informacionit për gjetjen e kufomës, veprimet hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Policisë Qarkut, vërtetuan se kufoma i përket shtetasit Kastriot B. lindur në Elbasan dhe banues në Fier”. Nga hetimet paraprake rezultoi se bëhej fjalë për një viktimë të ndonjë aksidenti rrugor. Viktima është 56 vjeç. Ndërkohë janë marrë në pyetje edhe banorët e zonës për të mësuar në lidhje me automjetin që e ka aksidentuar. Sipas hetimit, mendohet që pas aksidentit, drejtuesi i mjetit të jetë larguar me nxitim duke e braktisur viktimën. Ndërkohë nuk ka pasur shenja dhune në trupin e viktimës. Nga ana e strukturave të Drejtorisë Policisë së Qarkut po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›