E Shtunë, 31 Tetor 2026

Baruti i Gërdecit u shit në Belgjikë nga SAC

07/03/2010 Drejtori i fabrikës, Dritan Minxholli: Urdhrat për çdo veprim i merrja nga Patrik Henri

Atë që ndodhi më 15 mars 2008 në Gërdec, herë pas herë e komenton edhe vetë drejtori i fabrikës, Dritan Minxholli, i cili gati në çdo seancë bën një deklaratë me qëllim vetëmbrojtjen dhe kalimin e përgjegjësisë tek amerikanët Rod Tejlor e Patrik Henri. Kësaj radhe ai lëshoi edhe një deklaratë tjetër, ku thotë se baruti i grumbulluar nga çmontimi i fishekëve u shit në Belgjikë nga kompania SAC. “Fabrika e vdekjes” ka shërbyer si vend pune për të gjithë ata që gjendeshin keq nga ana ekonomike e tashmë komentohet nga dëshmitarët dhe nga specialistë të tjerë, të cilët mundohen të gjejnë përgjegjësitë dhe shkakun e shpërthimit.

Drejtori Minxholli

Ka qenë i pranishëm pothuaj në të gjitha seancat gjyqësore dhe është shprehur për funksionin që ka pasur si dhe për urdhrat që merrte. Në qendër të deklarimit që ai bëri dje para gjykatës, ishte shitja e barutit dhe urdhrat që merrte nga Patrik Henri për të siguruar këtë mall tepër fitimprurës. Sipas Minxhollit, Patrik Henri është shprehur se baruti ka shumë interes për të, për shkak të fitimit të madh. Në dëshminë e tij ai tha dje se “Puna në fabrikë ka nisur në maj të vitit 2007 sipas referencës teknike tepër të saktë. Ndërkohë që për ngritjen e fabrikës puna filloi në muajin qershor 2007. Gjatë kësaj kohe është punuar edhe për pajisjen e fabrikës me mjetet që do të bënin demontimin e fishekëve të kalibrave të ndryshëm. Për këtë pjesë dua të theksojë se gjithçka është kryer nga amerikanët. Në krye të punës ishte Patrik Henri dhe Rod Tejlor. Henri si një ndër administratorët e kësaj fabrike, bënte inspektimet e barutit në bazë të të gjitha rregullave. Dua të sjell në kujtesë të trupit gjykues se Patrik Henri më urdhëronte për çdo punë që kryhej në fabrikë dhe veçanërisht për barutin. Ai më ka thënë se në magazinat që mbahej baruti duhej të vendosja fuçi 200 litroshe me ujë, kasa si dhe mjete të tjera sigurie. Gjithashtu Henri më urdhëroi që barutin në bazë të rregullave duhej ta paketoja në kuti që peshonin deri në 20 kg. Ai kishte ndërmend që këtë barut ta tregtonte jashtë vendit sepse pretendonte të nxirrte fitime të mëdha. Po kështu Henri më tha se do të sillte një specialist nga Belgjika për të parë barutin e më pas do tua shiste. Specialisti erdhi dhe ata ranë dakord të blinin duke përcaktuar edhe çmimin. Patri Henri dhe Rod Tejlor filluan të shisnin barutin në Belgjik vetëm në muajt tetor – nëntor 2007. Dua gjithashtu të them se administratori amerikanë Henri, më ka siguruar se në fabrikë nuk ka asnjë lloj rreziku. Unë jam i bindur se Patrik Henri nuk e ka parashikuar dhe as dëshiruar një gjë të tillë”.

Raportoi më parë tek shefat e “shurdhër”

“Nga polic që isha, u ktheva magazinier në Gërdec”

Në Gërdec nuk janë punësuar vetëm banorë të zonës, por edhe një ish-punonjës policie i quajtur Mustafa Dina, tashmë i papunë. Ai ka punuar në këtë fabrikë për gati dy muaj dhe dje ishte i vetmi që foli nga 13 dëshmitarë që ishin thirrur nga gjykata dhe nuk iu përgjigjën thirrjes. Ai dëshmoi para trupit gjykues se si ra në dijeni të kësaj fabrike, çfarë detyre kishte gjatë kohës që ishte inspektor rendi dhe a kishte bërë ndonjëherë kontroll në këtë vend. Po kështu iu përgjigj edhe disa pyetjeve të Prokurorisë që kishin të bënin me pasjen ose jo dijeni të futjes së personave të tjerë në fabrikë, me lëvizjet e barutit dhe me mënyrën se si mbahej në magazinat ku ai punonte. “Kam punuar si inspektor rendi në rajonin e Vorës deri në korrik 2007. Kisha për detyrë të mbuloja zonën e Gërdecit. Për çdo inspektim ne raportonim tek shefi. Gjatë kohës që ne kontrollonim zonën jam vënë në dijeni se në vendin ku ka qenë reparti ushtarak, bëheshin punime, të cilat drejtoheshin nga disa amerikanë. Ky territor ruhej dhe ishte i rrethuar. Kemi tentuar disa herë së bashku me shokët që të futemi brenda, por rojet nuk na kanë lejuar. Ne donim të shihnim se çfarë bëhej në atë vend, pasi kishim urdhër. Mbaj mend që 2 ose 3 javë para se unë të lirohesha kam raportuar tek shefi im, se në Gërdec kishte rënë zjarr në orët e vona të mbrëmjes. Ndërkohë kujtoj se jam liruar në korrik 2007. Në javën e parë të këtij muaji jam interesuar për punë në fabrikë, pasi nga banorë të zonës mësova se ishte hapur një e tillë për demontimin e fishekëve. Për punë, unë kontaktova me Begator Manin, i cili ishte përgjegjës i sigurisë për ruajtjen e objektit. Ky bisedoi me Dritan Minxhollin, i cili më punësoi. Punova në magazinën e fabrikës. Mbaj mend se në këtë magazinë mbaheshin kuti baruti në mënyrë të çrregullt. Kam punuar deri më 5 shtator 2005, pasi u mbyll puna. Gjatë kohës që isha në punë, nga magazina nuk ka lëvizur asnjë kuti baruti. Ndërsa kujtoj se ishin tre ndërtesa që mbanin barut në një largësi rreth 300 metra nga pjesa tjetër e fabrikës brenda territorit të saj. Gjatë kohës që kam punuar në fabrikë ishte Dritan Minxholli, një përgjegjës tjetër me emrin Vangjel dhe një person i shkurtër që shpesh jepte urdhra. Por më kujtohet që disa herë ka ardhur në magazinën ku mbahej baruti edhe një person i gjatë me mustaqe, për të cilin unë mendoj se ishte amerikan, edhe pse nuk di gjuhë të huaja”.

Delijorgji përgjegjës

Mustafa Dine deklaroi dje se ka filluar punë në javën e parë të korrikut 2007 në fabrikën e Gërdecit. Pavarësisht se Dritan Minxholli e ka marrë në punë, ai tha se njihte si përgjegjës kryesor të kësaj fabrike Mihal Delijorgjin. Minxholli i kërkoi dëshmitarit t’i thoshte gjykatës nëse e ka parë ndonjëherë të komunikonte me amerikanët apo jo. Me këtë ai donte të tregonte se nuk ishte përgjegjës, por i punësuar në këtë fabrikë dhe se përgjegjës ishte tjetër njeri.

Minxholli në deklarata

Pothuaj në të gjitha seancat gjyqësore, Dritan Minxholli, ngre zërin dhe u kujton të gjithëve se nuk është ai përgjegjës për atë që ndodhi dhe se askush nuk e kishte parashikuar tragjedinë. Sipas tij, fabrika që merrej me demontimin e fishekëve kishte dy përgjegjës kryesor, Mihal Delijorgjin dhe amerikanët, Rod Tejlor dhe Patri Henri. Me deklaratat e përjavshme, Minxholli kërkon të shfajësohet dhe t’u thotë të gjithëve se ka kryer detyrën për aq sa ishte ngarkuar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›