Letërnjoftimet elektronike, qeveria “bën pazar” për çmimin me shtresat në nevojë
Ndryshe nga premtimi kartat nuk jepen falas por me 200 lekë copa. Me fondet e shtetit do të subvencionohet pjesa tjetër e çmimit
Ervin KOÇI
Pasi ka parë indiferencën e popullsisë për të tërhequr letërnjoftimet elektronike pranë zyrave të shtetit, qeveria i ka thirrur mendjes, si dhe i ka rënë lapsit. Ajo ka vendosur që të bëjë Pazar me çmimin e letërnjoftimeve elektronike me shtresat në nevojë duke vendosur që t’ua shesë të vobektëve vetëm me 200 lekë copa. Ndryshe nga sa kishte premtuar për dhënien falas të kartave elektronike të identitetit, nevoja për para e ka detyruar qeverinë që të mos bëhet “zemër gjerë” me fukaranë. Kështu nga kjo “skonto qeveritare” do të përfitojnë rreth 500 mijë persona në nevojë ku bëjnë pjesë personat me ndihmë sociale dhe ekonomike, pensionistët e fshatit dhe ata që marrin pensione minimale në qytet, si edhe studentët. Kryeministri, Sali Berisha, ka shpjeguar dje në mbledhjen e qeverisë me detaje skemën e rimbursimit për letërnjoftimet elektronike, që sipas tij “merr në mbrojtje rreth 500 mijë persona në nevojë”. Sipas Kryeministrit Berisha, "për shkak të zgjedhjeve qytetarët kanë shansin që të pajisen me kartat e identitetit, që tani i marrin me 1/6 e çmimit, pasi nëse nuk do të kishte zgjedhje qeveria nuk do të subvenciononte asnjë qindarkë". Kreu i Ekzekutivit informoi se e gjithë kjo shumë do të mbulohet nga fondet e kontigjencës, të cilat janë parashikuar në hartimin e buxhetit. Por kryeministri ka folur edhe për sanksione, që sipas tij do të rëndojnë mbi të gjithë ata persona në nevojë nëse nuk tërheqin letërnjoftimin elektronik.
Sanksionet e kartës
Qeveria ka vendosur që t’ua mbajë me detyrim paratë nga pensionet pensionistëve por dhe atyre personave që marrin asistencë ose përkrahje sociale. Qëllimi është një dhe i vetëm, të pajisen me karta. "Sanksionet do të jenë shumë të qarta nëse paratë tërhiqen dhe karta nuk merret. Shuma do të mbahet nga pensioni i ardhshëm",- u shpreh kryeministri Berisha. Më interesante kjo skemë do të jetë për të ardhmen intelektuale të kombit, studentët. Këta të fundit bashkë me ankthin e provimeve gjatë sezonit duhet të mbajnë me vete në xhepa edhe kartëmonedhën 200 lekëshe për të paguar para se të tërheqin tezën e provimit, letërnjoftimin elektronik. Sanksionet për studentët lidhen pikërisht me këtë pikë, pasi po nuk patën me vete 200 lekëshin, nuk do të hyjnë në provime e për pasojë mund të mos marrin edhe vitin. Por jo pa probleme do të mbeten edhe pensionistët që nuk i tërheqin në kohë kartat elektronike. Për ata të fshatit dhe ata me pension minimal në qytet më 1 maj bashkë me pensionin do të marrin edhe 1 mijë lekë plus. Por nëse nuk kanë aplikuar deri më 15 qershor, sanksioni do të jetë i rëndë. Këto janë masat më të fundit për lehtësimin financiar të disa kategorive, të cilat janë të vlefshme deri më 15 qershor 2009. Deri në këtë datë, dy javë para zgjedhjeve, qeveria besohet se do të lërë në fuqi vendimin për të mos lejuar aplikimin e personave me pasaportë.
Detyrimi për vendorët
Kryeministri u bëri thirrje kryetarëve të komunave dhe bashkive që detyrimisht, të blejnë kuponat për të gjithë personat që marrin ndihmë ekonomike dhe mbi bazën e dokumentacionit që do të dorëzojnë, qeveria do të paguajë në ndihmën ekonomike të muajit që vjen 1 mijë lekë për çdo individ. Kreu i Qeverisë tha se “një masë e tillë merret për të shmangur parapagimin nga këto kategori në nevojë, ndërkohë që çdo person që bën pjesë në skemën e ndihmës ekonomike do të pajiset me kartë identiteti kundrejt një pagese prej vetëm 200 lekësh, nga 1200 lekë që kushton ajo”. Për personat me ndihmë sociale dhe ekonomike kuponat do t’i blejë të gjitha komuna ose bashkia dhe pas paraqitjes së faturave kësaj kategorie do t’i mbahet 200 lekë. Sipas kryeministrit, këto masa bëhen të domosdoshme për shkak të zgjedhjeve, por duhet të ekzistojë edhe vetëdija se qytetarët duhet të kenë detyrimisht një dokument identiteti për të lëvizur. “Në 26 vendet e BE-së është e detyrueshme qarkullimi me dokumente identiteti. Letërnjoftimet duhet të merren dhe kjo është një detyrë jashtëzakonisht e rëndësishme shoqërore, por ne në votime nuk çojmë njeri me detyrim, se nuk kemi ligjin",- u shpreh Kryeministri.
16 Prill 2009