E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërnjoftimi, ministria bën apelin e fundit



Pas 15 prillit, nisin sanksionet për qytetarët

Punonjësit lokalë, njoftime për qytetarët neglizhues

Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje për herë të fundit qytetarëve që të aplikojnë për letërnjoftimin e ri. Zëdhënësi i ministrisë, Fatmir Konja, deklaroi dje se pas datës 15 prill, nisin sanksionet për qytetarët të cilët nuk kanë aplikuar për letërnjoftim. Ai u bëri thirrje veçanërisht qytetarëve të cilët nuk kanë pasaporta për jashtë shtetit, se do të ndiejnë penalizimin e ligjit. Përveç heqjes së të drejtës së votës, shtetasit që do t’u nënshtrohen sanksioneve, nuk do të mund të përfitojnë asnjë shërbim publik nga institucionet shtetërore, siç janë tërheqja e pagave ose pensioneve. “Të gjithë ata persona që nuk kanë pasaportë dhe nuk do të kenë marrë letërnjoftimin elektronik deri më datën 15 prill 2009, do të kenë të gjitha sanksionet e parashikuara në VKM dhe nuk do të marrin asnjë shërbim publik nga institucionet shtetërore”, - tha Konja. Ai bëri të ditur se për qytetarët neglizhues do të ketë njoftime të drejtpërdrejta nga punonjësit e bashkive ose nga policia për të bërë aplikimin. “Ministria e Brendshme u ka kërkuar kryetarëve të bashkive dhe komunave në vend dhe punonjësve të policimit në komunitet të kontaktojnë dhe lajmërojnë të gjithë ata qytetarë që nuk kanë pasaporta, për t’u paraqitur në zyrat e aplikimit të cilat janë në dispozicion të këtij grupi qytetarësh”, - shtoi Konja. Aplikimi për letërnjoftimin e ri nisi në datën 12 janar, ndërkohë që është bërë e ditur se së shpejti do të jepen letërnjoftimet e para. Nga procesi i aplikimit e deri në marrjen e letërnjoftimit, do të duhen dy javë. Personat që nuk kanë marrë kartën para datës 15 prill, nuk do të marrin dot pagesën ose shpërblimet për të gjithë personat fizikë, të punësuar në administratën dhe institucionet publike, si dhe për personat e punësuar në shoqëri, agjenci a ente shtetërore, qendrore apo vendore. Njëkohësisht, e njëjta gjë vlen edhe për pensionistët apo për pranimin në provimet e fundvitit dhe regjistrimin në vitin akademik pasardhës për të gjithë ata që ndjekin studimet në shkollat e mesme dhe të larta. Pa letërnjoftimin e ri nuk do të mund të bëhet aplikimi dhe lëshimi i dokumentit “Leje drejtimi automjeti” dhe kolaudimi i tyre, lëshimi i vërtetimeve dhe i dokumenteve të tjera, të ngjashme me to, nga administrata gjyqësore apo shërbimet noteriale. Letërnjoftimi i ri kushton 1 200 lekë të reja dhe pagesa bëhet në postë në momentin që blen kuponin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›