Legalizimet, Olldashi: Brenda pak ditësh ndajmë tapitë
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, lajmëroi mbrëmë në Kuvend se brenda pak ditësh do të nisë ndarja e tapive të shtëpive pa leje. Olldashi dha shifrat e para të ndërtimeve që do të legalizohen në një periudhë të shpejtë. Sipas tij, janë gati dosjet për 150 mijë shtëpi pa leje si dhe për 11 mijë apartamente në shtesa pallatesh pa leje. “Janë rreth 150 dosje gati për shtëpi, janë 11 mijë dosje apartamentesh nga shtesat pa leje. Kemi gati këto dosje dhe presim pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë. Besoj se për një periudhë shumë pakditore, procesi do të konkretizohet duket nisur dhënien e tapive, dokumenteve ligjore të pronësisë”, - deklaroi Olldashi.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të nisin pagesën për taksën e infrastrukturës në mënyrë që të nisin procedurat e dhënies së tapive. Ministri tha se asnjë qytetar nuk është ankuar deri tani për këtë taksë, që sipas tij, është simbolike. Shlyerja e tarifës së shërbimit për legalizim do të bëhet brenda 30 ditëve nga pajisja me formularin e pagesës së tarifës së shërbimit, proces i cili kryhet pas publikimit të listave emërore të subjekteve, ndërtimet e të cilave janë kualifikuar për legalizim. Qeveria ka përcaktuar dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë, të cilën banorët e zonave informale duhet ta paguajnë pranë njësive të qeverisjes vendore. Kjo do të llogaritet duke iu referuar kostos mesatare vjetore të ndërtimit të banesave për metër katror, të publikuar nga Enti Kombëtar i Banesave. Në ligjin për legalizimet janë përcaktuar edhe çmimet përkatëse, të cilat variojnë nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë të reja. Këto çmime konsiderohen sociale. Ligji ka përcaktuar edhe çmimet e përfundimit të këtij procesi, sipas sipërfaqes dhe zonave informale përkatëse. Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe prej 100 metrash katrorë shkon deri në 100 mijë lekë. Ndërkohë, për sipërfaqe deri në 500 metra katrorë, shuma që duhet paguar është 400 mijë lekë të reja. Për parcela ndërtimore brenda vijave të verdha, çmimi për një sipërfaqe toke deri në 100 metra katrorë varion deri në 200 mijë lekë, ndërsa deri në 300 metra katrorë është 400 mijë lekë të reja. Në lidhje me shtesat, çmimi për sipërfaqe deri në 50 metra katrorë është 100 mijë lekë të reja dhe maksimalja për 100 metra, është 400 mijë lekë të reja.
Bregu, Meksit: Kthe makinën që ke marrë në 2005-n
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i kërkoi dje në Kuvend deputetes së Partisë Socialiste të kthejë makinën, që sipas saj, ka marrë me vete në vitin 2005 kur ishte ministre. Bregu tha se ka një proces gjyqësor për këtë çështje me ish-shoferin e ministres Meksi për makinën, që sipas saj, ka qenë e shtetit dhe jo pronë private e shoferit apo ish-ministres Bregu. “Ky është shteti ligjor”, - tha Bregu. Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, u përgjigj duke thënë: “Është një turp që ministrat merren me gjëra të tilla të vogla”. Ajo tha se deklarata e ministres Bregu është e pavërtetë. Debati lindi pas fjalës në podium të Meksit e cila kritikoi punën e zyrës së Përmbarimit. Vetëm një ditë nga prezantimi i punës së kësaj zyre, deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, deklaroi në Kuvend se shifrat janë më të ulëta. Ajo tha se ka shumë vendime të pazbatuara. Reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili e cilësoi deklaratën e Meksit “një sallatë ruse juridike”. Ai tha se shifrat e Përmbarimit kanë qenë më të lartat dhe shtoi se përqindja e vendimeve të pazbatuara ka qenë e mbartur para vitit 2005, kur në pushtet ishin socialistët. “Unë besoj se Përmbarimi ka qenë i suksesshëm jo vetëm nga shifrat e larta, por për shkak se Përmbarimi i ka dhënë dinjitet shtetit ligjor. Ne, më në fund kemi krijuar një mekanizëm që i ka dhënë të drejtë individit dhe kemi zbatuar ligjin”, - tha Alibeaj.