75-vjetori i lindjes, nderohet Havzi Nela
Të afërm, miq, kolegë kanë kujtuar dje 75-vjetorin e lindjes së poetit “Martir të Demokracisë”, Havzi Nela. Shoqata atdhetare kulturore “Luma” si dhe klubi letrar “Anton Pashku”, në një aktivitet përkujtimor të titulluar: “Pa një ditë lumnie”, që është njëkohësisht edhe titull i një prej poezive më të spikatura të Havzi Nelës, kujtuan poetin shqiptar të dënuar me vdekje nga diktatura komuniste. Mjaft miq të Nelës, por edhe politikanë, si Ylli Pango dhe Jemin Gjana, folën për jetën dhe veprën e Havzi Nelës. Për jetën dhe veprën e martirit Havzi Nela folën edhe poeti Petrit Palushi si dhe Shefqet Hoxha me Izet Durakun. Aktorë të njohur, si Mirush Kabashi, Shpresa Ukcamaj dhe Bilbil Hereni interpretuan në skenën e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë. “Kur të pyesin: “Ku e ka vorrin”. Kur t’kërkoni me ma gjetë. Thoni: “Ai e urreu mizorin” Thoni: Dheu s’ka me e tretë”, ishte njëra nga poezitë e interpretuara nga aktori Mirush Kabashi. Gjatë këtij aktiviteti, folën edhe shumë miq, të afërm të poetit shqiptar. Ata treguan detaje nga jeta e thjeshtë e Nelës, si dhe momentet e dhimbshme përpara ekzekutimit të tij.