Bregu, Meksit: Kthe makinën që ke marrë në 2005-n
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i kërkoi dje në Kuvend deputetes së Partisë Socialiste të kthejë makinën, që sipas saj, ka marrë me vete në vitin 2005 kur ishte ministre. Bregu tha se ka një proces gjyqësor për këtë çështje me ish-shoferin e ministres Meksi për makinën, që sipas saj, ka qenë e shtetit dhe jo pronë private e shoferit apo ish-ministres Bregu. “Ky është shteti ligjor”, - tha Bregu. Deputetja e PS-së, Ermelinda Meksi, u përgjigj duke thënë: “Është një turp që ministrat merren me gjëra të tilla të vogla”. Ajo tha se deklarata e ministres Bregu është e pavërtetë. Debati lindi pas fjalës në podium të Meksit e cila kritikoi punën e zyrës së Përmbarimit. Vetëm një ditë nga prezantimi i punës së kësaj zyre, deputetja e Partisë Socialiste, Ermelinda Meksi, deklaroi në Kuvend se shifrat janë më të ulëta. Ajo tha se ka shumë vendime të pazbatuara. Reagimi ka qenë i menjëhershëm nga ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili e cilësoi deklaratën e Meksit “një sallatë ruse juridike”. Ai tha se shifrat e Përmbarimit kanë qenë më të lartat dhe shtoi se përqindja e vendimeve të pazbatuara ka qenë e mbartur para vitit 2005, kur në pushtet ishin socialistët. “Unë besoj se Përmbarimi ka qenë i suksesshëm jo vetëm nga shifrat e larta, por për shkak se Përmbarimi i ka dhënë dinjitet shtetit ligjor. Ne, më në fund kemi krijuar një mekanizëm që i ka dhënë të drejtë individit dhe kemi zbatuar ligjin”, - tha Alibeaj.