E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, LSI-ja dorëzon në Kuvend mocion për debat



Zëvendëskryetari i LSI-së dhe kryetari i grupit parlamentar “E Majta për Integrim”, Pëllumb Xhufi, bëri të ditur dje se ka dorëzuar në protokollin e Kuvendit një kërkesë për mocion për debat me Kryeministrin për çështjet që lidhen urgjentisht me krizën dhe efektet e saj në Shqipëri, si dhe për masat eventuale që qeveria duhet të marrë. “Ne kemi dorëzuar në protokollin e Kuvendit një kërkesë për mocion për debat me Kryeministrin pikërisht për çështjet që lidhen urgjentisht me krizën dhe efektet e saj në Shqipëri, si dhe për masat eventuale që qeveria duhet të marrë”, - tha Xhufi, duke shtuar se kjo nismë e ngritur mbi një shqetësim real, lind nga një qëndrim i papërgjegjshëm i qeverisë.

“Përtej çdo alarmizmi, sepse nuk është qëllimi ynë të ngremë alarme, por përtej çdo alarmizmi efektet e krizës ndihen edhe në Shqipëri, ndihet në rënien e produktit të përgjithshëm bruto, që parashikohet të bjerë nga 6 në 3 për qind, ndihet në rënien e eksporteve, në rënien e remitancave që vijnë nga qytetarët shqiptarë që punojnë jashtë vendi”, - tha Xhufi.

Meta në 565-vjetorin e Kuvendit të Lezhës

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti Ndre Legisi, mori pjesë dje në 565-vjetorin e Kuvendit të Lezhës. Kryetari i LSI-së, z. Meta, ka përshëndetur këtë datë historike për gjithë popullin tonë. Duke shprehur kënaqësi personale për praninë e tij në këtë ditë përkujtimi, ai tha: “Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në këtë ngjarje shumë të madhe, jo vetëm për popullin e Lezhës, por për të gjithë popullin shqiptar, për kombin tonë”.

“Është një ngjarje historike, - u shpreh Meta, - e cila ka vlerë jo vetëm që të kujtohet me nderim dhe madhështi, por nga e cila duhet gjithnjë të nxirren mësime të cilat duhet të reflektohen në angazhimin e gjithë shqiptarëve dhe sidomos të politikanëve për t’i shërbyer qëllimeve më të mëdha kombëtare”. “Atyre qëllimeve që përbashkojnë aspiratat e kombit tonë, jo vetëm për të qenë të integruar dhe të bashkuar, por edhe për të pasur gjithnjë një të ardhme me dinjitetet, një të ardhme e cila qëndron fort mbi lirinë, sepse për këtë të ardhme luftoi edhe Gjergj Kastriot Skënderbeu”, - përfundoi mesazhin lideri i LSI-së, z. Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›