E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama zhgënjen socialistët: Nuk do të jem me çdo kusht Kryeministër



Kreu i PS-së jep shenja tërheqjeje

Statuti i partisë: Nëse fitohen zgjedhjet, kryetari drejton qeverinë

Pakkush nga elektorati socialist mendon se kryetari i kësaj partie, Edi Rama, mund të mos ketë ambicien për të drejtuar vendin nëse fiton zgjedhjet e qershorit. Por kryesocialisti nuk po jep shenja ambicioze për të kënaqur ata që i besojnë, madje pa filluar mirë fushata elektorale ka dhënë shenja të tërheqjes nga një mundësi e tillë. Por e parë më larg, me rezultatin e 28 qershorit, duket sikur Edi Rama nuk beson se partia që ai drejton do të fitojë. Gjatë një takimi në qytetin e Gjirokastrës dhe të Përmetit, Rama deklaroi hapur se nuk është në garë për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri, ndërsa statuti i kësaj partie i sanksionon qartë se kryetari i partisë, në rast se fitohen zgjedhjet, bëhet Kryeministër. “Unë nuk jam në këtë garë për t’u ngjitur me çdo kusht në qeveri bashkë me disa ministra të tjerë, por për të transformuar bashkë me ju një vend në mes të Evropës, që është vendi ynë”, - deklaroi Rama. Çështja e Kryeministrit mbetet ende objekt diskutimesh dhe debatesh mes të majtëve, sepse Rama ka detyrime si kryebashkiak i Tiranës si dhe ambicies së ish-aleatit të tij për të drejtuar qeverinë, kur e majta të vijë në pushtet. Madje ndarja e koalicionit që u nda pas zgjedhjeve vendore të 2007, pati si objekt kryesor çështjen e kryesimit të qeverisë në rast se ata vijnë në pushtet. PS-ja e përdori largimin e Metës duke rihapur debatin. Në një prononcim për mediat pak kohë pasi Meta shpalli ndarjen nga koalicioni, kryetari i Asamblesë, Ruçi, deklaroi se Kryeministri vjen nga radhët e partisë më të madhe të së majtës, duke sjellë reagimin e eksponentëve të Metës. Ndërsa vetë kreu i LSI-së sa herë që është pyetur për këtë çështje ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lloj marrëveshjeje të tillë me PS-në, që ai të bëhet Kryeministër kur e majta të vijë në pushtet.

Njëkohësisht, sa i përket mundësisë së Rama të bëhet Kryeministër ai duhet të rishohë kontratën me qytetarët e Tiranës, mandat që e ka marrë në 2007-n. Në prononcimet e hershme i pyetur për mundësinë që ai të kandidojë për deputet, kreu i PS-së është shprehur se ka një marrëveshje me kryeqytetasit që duhet ta respektojë deri në fund. Duket se kjo kontratë e ka bindur Ramën që të shohë mundësinë që edhe nëse fiton zgjedhjet të mos ketë ambicien që të drejtojë qeverinë. Për momentin ai është i angazhuar që të gjejë emrat e duhur për kandidatë për deputetë, pavarësisht se kush prej tyre do të arrijë të hyjë në Parlament. Shqetësimi aktual është që kryesocialisti të mundësojë një ekip deputetësh që nuk do t’i sjellin probleme si kjo legjislaturë që po mbaron. Gjatë takimit në dy qytetet jugore të vendit, Rama foli sërish për politikën e re. “Ndryshimi që i duhet Shqipërisë dhe që duan të gjithë njerëzit si ju, nuk mund të vijë duke parë lart se çdo të bëjnë ata që prej 18 vjetësh bëjnë të njëjtën gjë, por duke parë njëri-tjetrin si njerëz që duam të njëjtat gjëra dhe duke u bashkuar me njëri-tjetrin për një politikë të re, që mendon e punon për zgjedhësit, e jo për të zgjedhurit, për një politikë të re që nuk jeton me akuza e fyerje në kutinë e televizorit e në faqet e gazetave, por me problemet e ëndrrat e njerëzve në mbarë Shqipërinë, për një politikë të që lidh fjalët me veprat”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›