E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Italiane heq legalizimin e dokumenteve

Ambasada Italiane heq legalizimin e dokumenteve shqiptare. Duke filluar nga data 1 korrik 2011, përfaqësitë konsullore nuk do të kryejnë më legalizimet tradicionale të akteve publike shqiptare, por do të pranojnë vetëm dokumente të pajisura me apostile nga Ministria e Jashtme shqiptare. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Ambasada e Italisë në Tiranë, e cila sqaron se në vijim të vendimit të qeverisë italiane për tërheqjen e kundërshtisë së vënë në vitin 2003 ndaj Shqipërisë, Marrëveshja e Hagës që anulon legalizimin e akteve publike të jashtme (apo marrëveshja mbi apostilat) hyri tashmë në fuqi mes Italisë dhe Shqipërisë. Tashmë, dokumentet publike shqiptare, për të pasur vlefshmëri në Itali, nuk duhet të legalizohen më pranë përfaqësive konsullore italiane, por duhet të jenë të pajisura me vulën e Apostilës nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare. “Bëhet fjalë për një zhvillim të një rëndësie të madhe, që u arrit falë një nisme të Ambasadës Italiane në Tiranë që, duke marrë parasysh përparimet e arritura nga Shqipëria në vitet e fundit dhe në vijim edhe të liberalizimit të vizave Shengen, i ka kërkuar Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme (në marrëveshje me ministritë e tjera të interesuara, atë të Brendshme dhe atë të Drejtësisë) për të tërhequr kundërshtinë që bllokonte hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Hagës mes Italisë dhe Shqipërisë. Impakti i procedurës së re, që do të sjellë për qytetarët shqiptarë një kursim të dukshëm si të kohës dhe të parave, do të jetë pa dyshim shumë i fortë në popullsinë shqiptare. Mjafton të marrësh parasysh që vetëm Kancelaria Konsullore e Ambasadës së Italisë në Tiranë ka kryer deri tani rreth 77 mijë legalizime të akteve çdo vit”, - sqarohet në njoftimin e Ambasadës Italiane. Sidoqoftë, Ambasada thekson se për t’u pranuar nga autoritetet italiane, aktet publike (të pajisura me vulën e Apostilës) duhet të jenë të përkthyera në gjuhën italiane dhe ky përkthim detyrimisht duhet të kryhet apo vërtetohet në përputhje me origjinalin nga ana e përfaqësive konsullore italiane (Ambasada Italiane në Tiranë, Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Konsullata e Shkodrës). Më tej, Ambasada sqaron se, duke filluar nga data 1 korrik 2011, përfaqësitë konsullore nuk do të kryejnë më legalizimet tradicionale të akteve publike shqiptare, por do të pranojnë vetëm dokumente të pajisura me apostile nga Ministria e Jashtme shqiptare. Po ashtu, duke filluar po nga data 1 korrik 2011, nuk do të pranohen më përkthimet e kryera nga persona që nuk bëjnë pjesë në listën zyrtare të përkthyesve të betuar shqiptarë (depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare). Për përkthimet, publiku duhet t’i drejtohet vetë përfaqësive konsullore italiane, që do të kryejnë drejtpërdrejt përkthimet; Institutit Italian të Kulturës në Tiranë; një përkthyesi shqiptar të betuar. Në fund, Ambasada Italiane njofton se hollësitë rreth procedurave që do të ndiqen për të përftuar përkthimin e akteve publike me apostile do të bëhen të ditura në ditët në vijim përmes faqes së internetit të përfaqësive diplomatike-konsullore italiane në Shqipëri.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›