Fundi i Berluskonit dhe e ardhmja e Italisë
Për të huajt, kryeministri italian Berluskoni është një italian ekstravagant. Por, pas skandaleve politike dhe seksuale fshihet një histori e pafuqisë morale. Kryeministri italian Berluskoni tashmë e la detyrën, por historia vazhdon. Duke nisur nga e hëna, koalicioni i tij që ka dominuar politikën italiane për rreth 20 vjet, do t’i përkasë së kaluarës dhe Italia do të përpiqet të shpëtojë nga kriza. Berluskoni në fillim përshkoi hyrjen e mrekullueshme të Pallatit Chigi – rezidenca luksoze e kryeministrit – më 1994, kur ai ishte një manjat i medieve, një sipërmarrës i futbollit, një bilioner dhe papritmas edhe themelues i partisë politike, Forza Italia. Analistët e sofistikuar e kundërshtuan hapur partinë e re, por për dy dekada me radhë Forza Italia pati mbështetjen e të paktën 1/3 së elektoratit italian. Fitoi 3 zgjedhje në rang kombëtar. Me kalimin e viteve, Berluskoni rreshtoi dhjetëra dhe mijëra operativë politikë në rajonet dhe qytetet më të mëdha në vend, që nga Lombardia deri në Siçili dhe nga Milano në Romë.
Kur Berluskoni rrinte në zyrë, ishte e lehtë për opozitën që ta fajësonin për pranimin në heshtje të lobeve të fuqishme dhe për biznesmenët e llastuar. Por me ikjen e tij, të gjithë italianët do të përballen me të vërtetën.
Votuesit ishin magjepsur nga thirrja e Berluskonit: “Jam i bërë vetë. Nuk jam politikan!”
Ata e donin optimizmin e tij, stilin e tij popullor. Megjithatë, ai dështoi në reformimin e ekonomisë së Italisë.
Ai shpesh përplasej me unionet e fuqishme në vend, por asnjëherë nuk ia doli të aktivizonte tregun e ngadaltë të punës.
Stili i jetës së tij ishte krejt i pavlerë dhe i tepruar.
Në vilat e tij kishte prostituta, kërcimtare me shkëlqim. Skandalet e tij nuk i bënin përshtypje përkrahësve të Berluskonit, as nuk i lëndonin ata.
Berluskoni dhe aleati i tij i fortë Umberto Bossis fitoi 35% në zgjedhje – jo keq pas 20 vjetësh. Madje, edhe Kisha Katolike, që protestoi kundër Berluskonit për mëkatet e tij, kurrë nuk i preu lidhjet me koalicionin e tij; krerët katolikë dinjitozë vazhdonin të shërbenin në kabinetin e tij deri në fund.
Ajo që e dënoi ashpër Berluskonin nuk ishte The Economist që e quajti “i papërshtatshëm” për të drejtuar Italinë. Nuk e dënuan as gafat, as ulërimat drejtuar presidentit amerikan Barack Obama, as mërzitja e mbretëreshës së Anglisë. Jo, kur historia të gjykojë sagën sensacionale të Berluskonit, bunga bunga nuk do të jetë më shumë se një shënim pikant në të.
Megjithatë, historiani i vjetër romak Gaius Suentonius Tranquillus e përmirësoi biografinë e Jul Qezarit me ndyrësinë në seks dhe në gjithë qytetin, por si atëherë, edhe tani, ekonomia trumbeton shfrenimin.
Besluskoni lëvdohej duke u shprehur se ishte njeri i marketit, por ishte pikërisht marketi që e zhvati partinë e tij, koalicionin dhe kabinetin e tij.
Dështimet e ekonomisë në kohën e Berluskonit ishin një mizëri. Ai dështoi në investimin për shkollat, universitetet apo studimet, të cilat arritën të shkurtonin produktivitetin me kalimin e kohës.
Ai mashtroi në sektorin teknologjik. Kurrë nuk ndërmori reforma në sistemin e taksave.
Italia prej 20 vjetësh krijoi një borxh kombëtar prej 2.6 trilionë dollarësh dhe asgjë më tepër se kaq. Pothuaj gjatë dekadës së fundit, ekonomia italiane nuk pati rritje më shumë se 1% në çdo vit.
Në këtë ritëm zvarritës, Italisë do i duhet më shumë se një dekadë tjetër për të rikuperuar humbjet nga kriza financiare e vitit 2008.
Për këtë, vendit i duhen më shumë foshnje të lindura, një ekonomi në rritje, më shumë risi, më shumë infrastrukturë, më shumë produktivitet, më shumë të diplomuar dhe më shumë gra në punë, si dhe nëpër zyra shtetërore.
Në moshën 85 vjeçare, presidenti Napolitano është burri më i zgjuar i shtetit. Ai bëri të mundur emërimin e Mario Montit në vend të Berluskonit, një ekonomist ky mjaft i respektuar.
Ky do të jetë një akt heroik aspak i lehtë. Monti duhet të mbledhë mazhorancën në parlament duke sjellë edhe aleatët e Berluskonit, qendrën e moderuar katolike dhe Partinë Demokratike progresive.
Radikalët – Liga Veriore dhe Italia e Vlerave – do të votojnë kundër tij, sepse ata do të refuzojnë unitetin kombëtar dhe do të konfliktohen.
Numri i tyre nuk është aq i mjaftueshëm sa ta ndalë Montin, por ata kanë për të zhvilluar një luftë guerile kundër reformave të tij.
Berluskoni do të ruajë kontrollin për të paktën një copë të majme, që i përket në partinë e tij dhe lëvizja e tij e parë do të jetë me krahun e tij të djathtë, Gianni Letta, një moderator, që të shërbejë në koalicion.
Giuliano Amato, një socialist dhe ish kryeministri, ka të ngjarë gjithashtu të shërbejë në koalicion. Puna e tyre do të jetë edhe e thjeshtë, edhe e tmerrshme: për të fituar besimin, për të ulur borxhin e mbi të gjitha, për rikthimin e rritjes ekonomike.
Kur Berluskoni ishte në zyrë, ishte e lehtë për opozitën që ta fajësonin për pranimin në heshtje të lobeve të fuqishme. Tashmë italianët do përballen me të vërtetën. Monti dhe presidenti i ri i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, duhet të frenojnë spekuluesit, ndërkohë që do të ushqejnë me lugë të mëdha të një ilaçi më të hidhur publikun e padisiplinuar italian.
Sot, dy janë heronjtë, por nesër ata do jenë luftëtarë, që përplasen me lobet profesionale, me interesat e mëdha dhe me unionet.
Bankat e vendit po treten dhe Italia është e dyta, pas Gjermanisë, që ka industri përpunuese nga vendet e BE.
Monti dhe Draghi kanë arsye për të qenë optimistë; kjo është mundësia e gjithë jetës për dy teknokratët.
Pothuajse me 45% të parlamentit që i përgjigjen ende thirrjes së tij, Berluskoni do të provokojë ndonjë dinakëri të rastit.
Kështu që italianët tashmë do t’i duhet të shkruajnë një faqe të re në një roman shumë të vjetër italian. Për afro 2 dekada, Berluskoni frymëzoi votuesit e tij me entuziazëm, por nuk kreu asnjë reformë në Itali.
Tashmë Monti dhe Draghi do të bëjnë planet e duhura, por pa entuziazëm.
Skenari më i keq zor se ka për të ndodhur: do të ishte shumë vonë për të vepruar. Ose opozita do të ishte shumë e fortë dhe e dhunshme për koalicionin e brishtë të Montit. Në këtë rast, Italia do të ecë me mundi drejt liretës – nëse nuk bëhet koloni e Gjermanisë, më parë.
Por Napolitano është burrë me një barrë mend dhe do të drejtojë të majtën radikale. Monti Draghi, Amato dhe Letta do i mbajnë së bashku partitë e ndryshme, që do jenë me baza në interesat kombëtare. Po Berluskoni? Ai ka për të kaluar një depresion serioz.
Ai mund të jetë më rehat në pritje për pak kohë, por përfundimisht ka për t’iu kthyer perandorisë së tij mediatike.
Gjatë javës së kaluar, Berluskoni kundërshtoi të hiqte dorë nga posti dhe Mediaset humbi 12% të tarifave brenda pak orësh. Sipas të dhënave të shtypit, partneri i tij i biznesit prej një kohe të gjatë, Fedele Confalonieri, i ka thënë: “Silvio, shumë shpejt nuk do të ngelë asgjë për fëmijët”. Kështu që konflikti i interesit tashmë do të jetë një kthim prapa.
*Gianni Riotta është gazetar i La Stampa dhe pedagog i medies në Universitetin Princeton. Është autor i librit “Gjërat që kam mësuar”
Përktheu: Rudina Dahri