E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia do rivlerësuar

Rivlerësimi i historisë së letërsisë shqipe. Letërsia shqipe është keqinterpretuar e paragjykuar, por përveç këtyre, edhe është cunguar e gjymtuar (terma këto të studiuesit Anton Nikë Berisha). Prandaj, rivlerësimi, jo i pjesshëm, por i tërësishëm, i historisë së letërsisë shqipe mbetet një domosdoshmëri, për të vënë kuptime adekuate, cilësore dhe të vlefshme në një mjedis letrar me kontradikta të shumta, ngase për dekada kemi trashëguar një apori studimesh të gjithfarshme, të bëra më së paku sipas principeve dhe cilësisë letrare

Letërsia do rivlerësuar

Nisma për të rishkruar historinë e literaturës shqipe, edhe pse e vonuar, është puna më e mirë e cila mund t'i bëhet kulturës së shkrimit shqip. Kjo, për faktin e mirënjohur se letërsia shqipe asnjëherë nuk është studiuar në tërësinë e saj, është parakonceptuar sipas interesave që i kanë karakterizuar kontekstet e caktuara shoqërore e ideologjike. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që ajo të fragmentohet. Si rezultat i kësaj, letërsia shqipe është keqinterpretuar e paragjykuar, por, përveç këtyre edhe është cunguar e gjymtuar (terma këto të studiuesit Anton Nikë Berisha). Prandaj, rivlerësimi, jo i pjesshëm, por i tërësishëm i historisë së letërsisë shqipe mbetet një domosdoshmëri, për të vënë kuptime adekuate, cilësore dhe të vlefshme në një mjedis letrar me kontradikta të shumta, ngase për dekada kemi trashëguar një apori studimesh të gjithfarshme, të bëra më së paku sipas principeve dhe cilësisë letrare. Më tutje, rivlerësimi i trashëgimisë letrare shqipe është në përputhshmëri me rolin e kritikës letrare, e cila, ashtu siç vlerëson dijetari i letërsisë, Ian Meclean, ka si intencë: "roli i interpretimit është të korrigjojë ose të arsyetojë një lexim". Referenca e lartshënuar na fut në një qerthull subjektiv, në procesin e leximit, që gjithsesi konceptohet se një nga proceset më komplekse të letërsisë. Megjithatë, qëllimi i këtij shkrimi nuk është të analizojë procesin e leximit, por produktin e tij, interpretimin dhe vlerësimin. Pra, interpretimi duhet të korrigjojë ose arsyetojë një lexim, sikundër edhe të korrigjojë gabimet e trashëguara, të cilat janë të shumta, sikundër në planin e dukurive estetike-letrare, po ashtu në aspektet historike e biografike të letërsisë. Vetë fakti se ndjehet nevoja e rivlerësimit të historisë së letërsisë shqipe, tregon qartë se ajo është lexuar keq, apo në trajta të tjera, është lexuar sipas një diktati politik, i cili ka rezultuar me lexime të gjithfarshme, përpos letrare. Ky dimension e ka gjymtuar dhe dezintegruar letërsinë shqipe, duke e cunguar, keqinterpretuar dhe paragjykuar. Prandaj, ky lexim i ri, në kontekste të tjera letrare e shoqërore, kur ideografia e kritikut (Ezra Paund) nuk është e orkestruar nga ideologjitë, sigurisht duhet të vë kuptime të reja brenda një mjedisi letrar e kulturor, me përplot kundërshti. Një apori letrare e krijuar për dekada të tëra, duhet të qartësohet dhe ky qartësim duhet të bëhet nëpërmjet rivlerësimit të tërësishëm të korpusit të letërsisë shqipe, që do të rezultonte me integrimin e tërësishëm të historisë së letërsisë shqipe dhe jo vetëm të asaj që e njohim si periudhë e soc-realizmit. Në komunitetin e literaturës shqipe, tanimë në një kohë të gjatë po vazhdon të debatohet për rishkrimin e historisë së letërsisë. Në princip duket se ekziston një pajtueshmëri e gjerë, përkundër ca reagimeve periferike dhe të paefektshme se historia e letërsisë duhet rivlerësuar, dhe këndej pari rishkruar e ridimensionuar. Kjo për faktin se historia e letërsisë shqipe për dekada të tëra është karakterizuar për "shpërpjesëtime sasiore, por edhe çhierarkizime cilësore" - shkruan dijetari Aurel Plasari në tekstin brilant "Gjergj Fishta dhe historia e letërsisë". Si rezultat i kësaj, studimet letrare shqiptare kanë përjetuar një çintegrim të plotë. Letërsia e traditës është kundruar sipas principeve të ideologëve letrarë, ndërkaq ajo bashkëkohore është zhvilluar në masë të madhe nën diktat. Letërsisë shqipe i ka munguar intekomunikimi letrar dhe debati i mirëfilltë për dukuri e fenomene letrare. Madje dijetari i letërsisë Sabri Hamiti mendon se "kurë nuk ka pasur një komunikim letrar në arealin shqiptar. Arsyet mund të jenë, në varshmëri nga kohët: herë gjeografike, herë kulturore, herë ideologjike e madje politike". Prandaj nga qenia e letërsisë (Zherar Zhenet), për pesë dekada janë përjashtuar autorët themelo[r të saj, Fishta, Konica, Harapi, Kuliqi, Haxhiademi, Kuteli, Camaj etj. Ndërkaq kjo periudhë ka pasur konsekuenca tejet negative edhe për produksionin fiksional të krijuar gjatë këtyre viteve. Shumë autorë që ka prodhuar soc-realizmi sot, jo që nuk lexohen, por gjykohen si prishës të shijes estetike, ndërkaq autorë të shtypur kanë filluar të ngrihen në hierarkinë e vlerave letrare. Si formulim rishkrimi tingëllon si koncept me konotacione të ngarkuara semantike. Ndërkaq, unë do të preferoj në këtë kontekst të përdoren termat: rileximi dhe së këndejmi rivlerësimi i literaturës shqipe, ngaqë korrespondojnë thellë me domosdoshmërinë e ndreqjes së gabimeve të shumta që e kanë karakterizuar për dekada literaturën shqipe. Nëse e analizojmë literaturën shqipe në diakroni, shohim se kundërshtitë brenda letërsisë shqipe kanë si fillesë përplasjet e mëdha që e kanë shoqëruar nacionin tonë nëpër shekuj. Në këtë kontekst, trashëgimia jonë letrare ka mbetur e pastudiuar në mënyrë integrale, apo në raste të tjera ajo është selektuar. Kjo ka ndodhur sidomos me korpusin e letërsisë së vjetër shqipe dhe autorët themelorë, Buzukun, Budin, Bogdanin e Jaribobën, veprat e të cilëve janë konceptuar si tekste me vlera filologjike dhe këndej pari është përjashtuar dimensioni i tyre estetik e letrare. Këta autorë që përfaqësojnë themeluesit e kulturës tekstuale shqiptare (Anton Berishaj) për pesë dekada të sistemit soc-realist në art e letërsi janë lexuar jashtë metodave letrare. Në njëfarë mënyre, ky korpus letrar (Buzuku, Budi, Bogdani, Variboba dhe ndonjë tjetër) u bë për kritikën shqipe "Thembra e Akilit", me të cilën në mënyrë të veçantë iu shërbye soc-realizimi në art dhe letërsi, për ta zhvlerësuar këtë korpus letrar, i cili paraqet shtresimin bazik për gjithë letërsinë e mëvonshme shqipe me autorët e mëdhenj (Mjeda, Kuteli, Koliqi, Fishta, Poradeci, Camaj, Pashku etj). Por problemi me selektimin nuk ndalet këtu. Një çështje tjetër e debatueshme brenda kulturës letrare shqipe mbetet letërsia shqipe e shkruar në gjuhë tjera. Akoma në traditën e shkrimit letrar shqiptar nuk është e definuar qartë se çfarë është letërsia shqiptare e çfarë është letërsia shkruar në gjuhën shqipe. Një detyrë e rishkruesve të historisë së letërsisë është të bëjë këtë dallim të domosdoshëm. Një ndër aspektet e para problematike në vlerësimin e letërsisë shqipe, i cili s'është prekur në mënyrë sistematike, mbetet çështja e letërsie së trashëgimisë iliro-shqiptare, e shkruar në gjuhën latine (apo gjuhë të tjera të shkrimit), pjesë e së cilës është edhe një pjesë e konsiderueshme e letërsisë perëndimore. Kjo është letërsia parakombëtare. Në këtë kontekst, mendoj se janë bërë "padrejtësi", ngase prelatët e kishës së hershme katolike, që shkruan në gjuhën latine (Nikete Dardani, Shën Jeronimi etj.) janë "përjashtuar" nga historia e letërsisë shqipe pa ndonjë shpjegim, edhe pse konteksti i përgjithshëm gjuhësor dhe kulturor, në të cilin jetuan dhe krijuan ata i përkiste latinitetit. Mosinkorpurimi i këtyre autorëve në historinë e letërsisë shqipe sjell paradoksin tjetër, ngaqë ne kemi një trashëgimi të pasur në historinë e letërsisë nga gjuha latine, sidomos velen të përmendën autorët e humanizmit (Gjon Gazuli, Marin Becikemi, Mikel Maruli, Marin Barleti etj.), të cilët faktikisht janë pjesë e historisë letrare shqiptare. Nëse e shohim këtë dukuri në vazhdimësi, kemi autorët Sami e Naim Frashërit, që një pjesë të krijimtarisë e shkruan në gjuhët orientale, ndërsa veprat e tyre janë pranuar dhe integruar në historinë letrare shqiptare, edhe pse tanimë kishim një kontekst të ndryshëm dhe gjuhët kombëtare ishin në kultivim e sipër dhe lidhjet e këtyre autorëve me gjuhët orientale s'ishin domosdoshmëri e shkrimit letrar. Pra veprat e tyre janë të inkuadruar në historinë e letërsisë shqipe dhe ky përbën një aspekt të selektimit. Atëherë, si të interpretohet korpusi letrar parakombëtar dhe autorët Niketë Dardani, Shën Jeronimi etj., mbetet një çështje e rëndësishme që duhet shpjeguar. Rivlerësimi i letërsisë shqipe duhet të shtresojë elementet bazike të kulturës letrare shqipe që nga datimet më të hershme, deri tek aktualiteti. Në këtë hallkë, kjo histori duhet të riintegrojë autorët e përjashtuar me diktat politikë, duke vënë hierarkinë cilësore, sikundër duhet të inkorporojë letërsinë shqipe të krijuar jashtë kufijve të Shqipërisë, letërsi kjo që përbën rëndësi sikundër në planin cilësor, njashtu në atë sasior. Në këtë linjë, një çështje mjaft e rëndësishme dhe komplekse mbetet studimi dhe vlerësimi i drejt i autorëve shqiptarë që jetojnë dhe krijojnë në diasporën e gjerë shqiptare, e cila letërsi sot ka shumë autorë me nam, pa të cilët letërsia shqipe do ishte shumë më e cunguar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›