E Diel, 1 Nëntor 2026

Beogradi i bien tupanit, Prishtina e luan vallen

Pas çdo lufte, vendi pushtues që ka humbur luftën është tërhequr dhe populli i çliruar ka marrë në kontroll vetveten dhe të ardhmen e tij. Në Kosovë për çudi çdo gjë ka ndodhur jashtë çdo norme dhe kundrejt parimeve dhe ligjeve ndërkombëtare. Vendi i vogël, me afër njëmbëdhjetë mijë kilometra katrorë arriti ta bëjë krah vetes ushtrinë më të fort në botë NATO-n dhe shtetet më të zhvilluara dhe më demokratike. Kështu nga populli duel një formacion ushtarak UÇK që e nisi luftën, pastaj për më pak se dy vjet me ndihmën e forcave të Aleancës, Kosova u çlirua. Duke shikuar realitetin e kohës dhe gjendjen e keqe që ndodhej populli, kjo ishte një kthesë e madhe historike, por puna nuk përfundoj me kaq. Se Serbia e humbi luftën, kjo është e thjeshtë për t’u shpjeguar, por se si Kosova nuk po mund ta ndërtojë të ardhmen e as t’i bjerë vetë tupanit e vet ta luajë vallen, kësaj nuk e di si t’i themi. Beogradi e ka humbur betejën me luftë, por diçka tjetër me “paqe”. Ndoshta sociologët mund ta quajnë këtë “gjysmë fitore të një humbje”, por unë e krahasoj me bërjen e muzikës dhe lojën e valles. Në këtë rast duhet përmendur vetëm disa fakte: Beogradi e propozoj decentralizimin. Ajo u bë realitet dhe Prishtina nuk i bëri kundërshti, bëri ashtu siç ishte propozuar nga fqinji dirigjues. Në negociatat dypalëshe për zgjidhjen e statusit, pasi nuk u arrit marrëveshja, u tha nga Beogradi se duhet shtyrë dhe ajo pati ndodhur, Prishtina nuk tha jo seriozisht. Kështu kemi mjaft shembuj, por këto dy që përmendem sa për ta argumentuar se sipas muzikës që po e kompozon Serbia, po luhet vallja në Kosovë.

Valltarët politikë, si këngëtaret e tallavasë

Që t’ua gjej një model krahasues të performancës së tyre, valltarëve tanë “politikanë” m’u kujtua se këngëtarët kosovarë të shundit ose siç po quhen në popull tallava, që janë bërë aq shumë, muzikën gjithmonë e kanë të huajën, më së shpeshti të vendeve ballkanike, por fjalët i prononcojnë gjysmë shqip. Të mendosh jo më shumë se dhjetë sekonda dhe ti krahasosh këto dy kategori, vëren një ngjashmëri tepër të madhe. Po në qoftë se të kërkohet ta bësh dallimin në mes tyre. Për ketë duhet kohë tepër e gjatë dhe nuk mund gjesh shumë dallime, tek valltarët politikë ekziston një xhelozi më e madhe dhe kritikojnë njëri-tjetrin me fjalë që nuk thonë asgjë të hairit, kurse tallava këngëtarët, sigurisht se janë xhelozë edhe ata, por janë pak më të përmbajtur. Së paku kanë gënjyer nuk kam dëgjuar t’i thonë njëri-tjetrit ashtu siç ndodh te valltarët politikë.

Media në këtë rast shumë pak iu thotë atë që duhet thënë, pak i informon valltarët për rrugën e tyre, por fuqishëm iu shërben për lëshimet që ata bëjnë. Shqetësimi është edhe më i madh kur ti kthehesh pak vite më parë ose konkretisht pas çlirimit të vendit dhe ta analizosh unitetin politik të faktorit vendor në at kohë. Sigurisht aso kohe më së shumti i duhej uniteti popullit të sapodalë nga lufta dhe vendit të shkatërruar e djegur, por valltarët politikë veçse nuk e hanin për së gjalli njëri-tjetrin. Nuk u morën vesh për krijimin e një qeverie të përbashkët, për tre muaj sa u pati lënë kohë ish-shefi i UNMIK-ut, Bernard Kushner. Sikur të merreshin vesh dhe të krijohej qeveria, e jo të fillonte nga zero, padyshim se Kosova do bëhej më herët shtet dhe do kishte më pak korrupsion e shumë çka tjetër do ishte më ndryshe për të mirë. E sot kur gjërat kanë ndryshuar dhe rrethanat janë krejtësisht tjera, ku lypen edhe mendime tjera, as pozitë as opozitë, nuk del kush t’i thotë jo ndonjë propozimi që vjen nga fqinjët tanë “muzikëbërës”. Uniteti është i madh, ose të egrit janë zbutur edhe më shumë seç duhet, kurse të butet janë të butë. E keqja është se të fortë nuk kishim pasur, por ose të fortit e fjalës kishin vdekur. Pas sa muajsh të pavarësisë së Ahtisarit, Kosovën e kanë njohur pesëdhjetë vende dhe atë falë ndikimit të SHBA-ve, jo të lobimit të qeverisë dhe faktorit politik të Prishtinës. Vendin e kanë njohur shtetet më të industrializuara të planetit dhe ekspertët ndërkombëtarë e thonë se kjo është plotësisht e ligjshme. “Muzikëbërësi” i valltarëve të Kosovës politike qeveritare e opozitare nuk dinë të thonë jo. Si duket fjala jo u është fshirë nga fjalori i tyre varfanjak ose kanë ra në gjumin dimëror edhe pse me koha jemi akoma në vjeshtë. Beogradi ngriti çështjen e pavarësisë në gjykatën ndërkombëtare, për ta dëshmuar si jo legjitime, siç thonë ata. Në Prishtinë nga Presidenti i Kukullave, Fatmir Sejdiu, Kryeministri i vetëlëvduar, Hashim Thaçi, e deri tek partitë opozitare, ambicioze për një prapanicë në karrige të ministrit, nuk i shkon mendja kujt të thotë jo, jo nuk do të marrim pjesë në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, për shpalljen e pavarësisë, ose në gjykatë do të shtrohen për gjykim të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë dhe Kosovën. A nuk iu mjaftojnë faktet shqiptarëve që Kosovës i është djegur pasuria, janë vrarë dhjetëra-mijëra qytetarë të të gjitha moshave, janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre kohë pas kohe deri një milion luftën e fundit. Dëmet e luftës paguhen gjithmonë sipas konventës ndërkombëtare, por për këto duhet së pari një gjyq pastaj çështjet e tjera.

Fundja edhe vendimi që do të dalë nga gjykata nuk është obligues për asnjërën palë. Kështu zë-vë-dhënësi i qeverisë, Hajredin Kuqi, në vend se të dalë para mediave dhe të thotë Kosova nuk e pranon një gjykim të tillë, ai tha se ne do të ndajmë një buxhet për këtë çështje. Puna e gjykatës zgjat deri në dy vjet dhe pos që është një kompozim i keq, është gjithashtu edhe një valle e keqe. Për të punuar punët e kryera, buxhetit të varfër të Kosovës kjo do t’i kushtojë goxha majm. Ky gjyq do të ndikojë edhe në mosnjohjen e pavarësisë nga vendet e tjera. Nuk e di kush, se ku mbeten ato njëqind shtete që para pavarësisë ishin duke e pritur Hashimin. Ndoshta janë gjithnjë duke e pritur. Pas këtij procesi gjyqësor ka informacione se Prishtina dhe Beogradi do të kenë biseda të tjera shtesë dhe kjo prapë do të ndodhë ngase valltarët tanë nuk do i thonë jo.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›