Përgjaket autostrada, përplasja e tri makinave u merr jetën dy të rinjve
Tiranë - Autostrada Tiranë-Durrës është përgjakur në orët e para të mëngjesit të djeshëm pas një aksidenti fatal, i cili u ka marrë jetën dy të rinjve dhe ka plagosur katër të tjerë. Sipas të dhënave për agjencinë e lajmeve NOA, ngjarja ndodhi dje, rreth orës 02:00 të mëngjesit, në segmentin ndërmjet Sukthit dhe Urës së Dajlanit, ku tre automjete janë përplasur me njëri-tjetrin. Burime policore nga Durrësi bënë të ditur se si pasojë e përplasjes kanë gjetur vdekjen e menjëhershme 20-vjeçarët Alban Sollaku dhe Jetmir Mazreku, banorë të qytetit të Durrësit. Ishte Mazreku ai që po drejtonte automjetin Golf, me targë AI 518 CS, i cili u përplas me automjetin tip BMW, me targa TR 55224N, i cili drejtohej nga shtetasi Kujtim Troci. Ndërkaq, nga makina e tretë, që u ndodh aty në atë moment dhe u përplas edhe ajo, mbetën të plagosur Edmond Barushi, Teo Aliko dhe Ilir Mazreku. Bëhet e ditur se dy të parët janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Nga hetimet paraprake të policisë dyshohet se shkak i këtij aksidenti fatal mund të ketë qenë shpejtësia e të tre automjeteve.
6 Prill 2009