E Diel, 1 Nëntor 2026

Transferimi i parave, kriza i detyroi bankat të depozitonin 225 milionë euro jashtë

Privatët thyen urdhrin e BSH-së për moslargimin e valutës. BSH urdhëroi bllokimin e shpërndarjes së fitimeve të 2008-s

Ervin KOÇI

Presionet e krizës financiare ndërkombëtare janë shtrinë edhe në sistemin bankar shqiptar. Vetëm në muajt e fundit të vitit 2008 dolën jashtë vendit 225 milionë euro nga bankat private që kryejnë aktivitet biznesi në Shqipëri. Pavarësisht kërkesës nga ana e Bankës së Shqipërisë për të mos transferuar fondet jashtë kufijve të vendit, bankat private kanë ndjekur rekomandimet e bankave mëmë duke i transferuar paratë e depozitave të shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Sipas BSH-së, mjetet valutore të investuara jashtë ekonomisë shqiptare kanë regjistruar një rënie neto prej 94 milionë eurosh. Kjo rënie vihet re kryesisht në investimet në formën e depozitave të sistemit bankar në institucionet financiare jorezidente. Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, edhe pse kjo lëvizje mund të jetë bërë në kundërshtim me interesat ose rekomandimet e BSH-së, ajo nuk përbën në vetvete asnjë risk. “Bankat tregtare në vendin tonë janë institucione të pavarura biznesi dhe kanë një aktivitet të tyrin privat. Ato e kanë pjesë të politikës së tyre transferimin e valutës dhe depozitimin e saj në banka më të fuqishme që kanë interesa më të larta me qëllim që të fitojnë e që më pas të paguajnë interesat për klientët që kanë depozituar para pranë tyre”, - analizojnë ekspertët e ekonomisë. Por ata theksojnë faktin se një lëvizje në shuma të mëdha parash jashtë vendit, sidomos në kohë krize, përbën një rrezik më vete pasi ekonomia e vendit dhe klientët e bankave mund të ketë nevoja imediate për likuiditete. “Kjo do ta çonte situatën drejt një bllokimi që mund të kishte pasoja të gjera sidomos për bankat dhe degët e tyre”, - thanë ekspertët.

Bllokimi i BSH-së

Në kushtet e krizës, BSH-ja urdhëroi bllokimin e shpërndarjes së fitimeve të vitit 2008 në sektorin bankar. Ky fitimi, i cili shkonte në total 110 milionë dollarë, nuk u shpërnda tek aksionerët në formën e dividendëve, duke u ruajtur si kapital. Në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së të stabilitetit financiar, për 6-mujorin e dytë të vitit 2008, theksohet se një vendim i tillë u bë përmes një akti të posaçëm rregullativ, ku kërkohej që bankat të mos shpërndanin fitimin e 2008-s në formë dividendi. “Nëpërmjet një akti të veçantë rregullativ, BSH-ja i ka kërkuar sektorit bankar që të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008 në formën e dividendit. Në këtë mënyrë, kapitalizmi i veprimtarisë bankare forcohet më tej, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit bankar në vijim”, - sqarohet në deklaratën e BSH-së për stabilitetin financiar. Sipas të dhënave zyrtare, për vitin 2008, 16 bankat e nivelit të dytë në vend kanë fituar rreth 110 milionë dollarë (me kursin aktual), duke treguar se sistemi është i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Kurse humbjet llogariteshin në vlerë të papërfillshme, rreth 7 milionë dollarë.

Shtimi i kapitalit

BSH-ja u ka kërkuar gjithashtu bankave private që aksionerët e tyre në Shqipëri të shtojnë kapitalin. Në deklaratën për stabilitetin financiar thuhet: “BSH kërkon nga aksionerët e bankave që të jenë të gatshëm që, në rast nevoje, të shtojnë kapitalin dhe të ruajnë linjat e financimit për filialet e tyre që veprojnë në Shqipëri”. Sipas BSH-së, brenda parametrave të një veprimtarie të sigurt bankare dhe në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullativ mbikëqyrës, sektori bankar duhet të shfrytëzojë mundësitë ekzistuese për të kryer rolin e tij të rëndësishëm në ndërmjetësimin financiar dhe në mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit.

Ndryshimi i strategjisë

Gjatë vitit 2008 është vënë re një ndryshim i raportit të mjeteve të investimit. Sistemi bankar këtë vit ka preferuar zhvendosjen e mjeteve nga depozita në investime portofoli. Mjetet financiare, në formën e investimeve të portofolit, kanë shënuar një rritje vjetore prej 69 milionë eurosh. Flukset hyrëse të mjeteve valutore në formën e kapitaleve financiare u reflektuan në rritje të rezervave valutore të autoritetit monetar. Mjetet e rezervës u rritën me 192 milionë euro. Stoku i rezervës valutore në fund të vitit 2008 shënoi nivelin 1,695 milionë euro, mjaftueshëm për mbulimin e 4.2 muajve importe të mallrave dhe shërbimeve.

Zërat e tjerë

Lëvrimet e kredive afatgjata dhe atyre të buta nga jashtë, gjatë këtij viti vlerësohen në 456 milionë euro, nga të cilat 74 për qind kanë shkuar për sektorin publik. Huamarrja private është rritur ndjeshëm ndaj një viti më parë, në 119 milionë euro nga 10 milionë euro. Rritja e këtyre detyrimeve ka çuar në rritjen e detyrimeve për pagesat e ardhshme të borxhit të jashtëm. Shërbimi i borxhit të jashtëm për vitin 2008 ka ulur detyrimet e rezidentëve me rreth 62 milionë euro. Edhe gjatë vitit 2009 qeveria shqiptare ka vazhduar që të marrë kredi nga jashtë. Llogaritet që gjatë pjesës së parë të vitit të merret një kredi që shkon deri në 300 milionë euro, fonde që do të përdoren kryesisht për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›