E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni “Finish”, arrestohen dy persona për trafik lëndësh narkotike



Tiranë – Policia e kryeqytetit, në kuadrin e operacionit Finish, i cili po merret me hetimin e grupeve që prodhojnë dhe shpërndajnë lëndë të ndryshme narkotike, ka vendosur nën pranga dy persona të dyshuar si të implikuar në një trafik të tillë. Të dhënat tregojnë se ata janë 25-vjeçari Oltian Najtellari, banues në Ravonik të Korçës, si dhe 22-vjeçari Matildo Mezini, banues në Vorë. Kapja e tyre u realizua pranë Rrugës së Dibrës, në Tiranë, ku pas një kontrolli të imtësishëm atyre iu gjetën një sasi lënde narkotike e dyshuar si heroinë. Gjatë ushtrimit të kontrollit në banesën e të afërmëve të shtetasit Oltian Najtellari u gjend një tjetër sasi lëndë narkotike e dyshuar heroinë si dhe një pistoletë e tipit TT.

Ndalohet autori i plagosjes për motive të dobëta

Durrës – Forcat e policisë së Durrësit kanë ndaluar 32-vjeçarin Albano Musaj, banues në fshatin Pjeshkë të këtij rrethi, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i një plagosjeje të ndodhur pak ditë më parë. Bëhet e ditur për gazetën “Albania” se i ndaluari ka qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale “Mbajtje e armëve pa leje”. Ngjarja për të cilën është lëshuar urdhri i ndalimit nga Prokuroria ka ndodhur në fshatin Pjeshkë, në datën 15 mars. Albano Musaj, pas një grindjeje për motive të dobëta, ka plagosur rëndë me thikë Arian Kabilin.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›