Arrestohet autori i goditjes me thikë në mes të qytetit të Pukës
Pukë – Forcat e Policisë së Pukës kanë mundësuar arrestimin në flagrancë të 40-vjeçarit Petrit Hadraj, lindur në fshatin Kabash dhe banues në qytetin e Pukës. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, arrestimi i tij u bë pasi në qendër të Pukës, pas një konflikti banal për motive të dobëta, ka goditur me thikë duke plagosur 40-vjeçarin Gjokë N., banues të këtij qyteti. I plagosuri ndodhet aktualisht i shtruar në Spitalin Rajonal të Pukës, jashtë rrezikut për jetën.
Operacioni “Vila”, pranga autorëve të disa vjedhjeve në Durrës
Durrës - Në kuadër të operacionit të koduar “Vila”, policia e Shijakut ka mundur të vërë në pranga 36-vjeçarin Sokol Duka dhe 39-vjeçarin Flamur Hoxha, të dy banorë në Sukth, pasi ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, si dhe një shtetas tjetër me banim në Dibër, rezultojnë të jenë autorë të disa vjedhjeve të ndodhura muajt e fundit në zonat Sukth, Fermë Xhafzotaj dhe Plazh të Durrësit. Sipas të dhënave të policisë, në fshatin Perlat të Durrësit ata kanë kryer vjedhje në banesën e Mustafa I., prej së cilës kanë rezultuar të grabitur: 4 televizorë plazmë, 3 kompjutera, 1 laptop, 2 tapete, 1 ekspres kafeje dhe 2 abazhurë. Ndërsa në fshatin Fermë Xhafzotaj, ata kanë vjedhur me thyerje dyqanin me pjesë këmbimi për autovetura në pronësi të Osman V. Por një procedim tjetër penal në ngarkim të tyre ka qenë edhe ai i pak javëve më parë në një supermarket të plazhit të Durrësit, si edhe ai i pajisjeve të një lavazhi.
6 Prill 2009