E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letërsia, përgjigjet e sakta të testit



zirina llambro

U zhvillua dje në të gjitha gjimnazet e vendit, provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore, ai i lëndës Letërsi -Gjuhë shqipe. Dje pasdite, MASH bëri publik edhe çelësin e përgjigjeve. Gazeta publikon të plota përgjigjet e sakta për maturantët. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin, në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë. Në provim morën pjesë rreth 38 000 maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat Arsimore. Plot 2.000 administratorë të provimit u përfshinë në këtë proces. Nga sa bëri me dije Ministri e Arsimit, pas monitorimit të vazhdueshëm në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore rezultoi se gjithçka eci normalisht. "Po sot, testet e maturantëve me masa të rrepta sigurie do të nisen në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve dhe do të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimeve. MASH, në bashkëpunim me AVA-n, ka trajnuar të gjithë vlerësuesit e testeve, në mënyrë që ky proces të jetë korrekt, i saktë dhe bindës për secilin maturant", sqaroi MASH. Procesi i korrigjimit të testeve do të nisë në datën 3 qershor, në katër qendra vlerësimi. Testet do të shpërndahen në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier. "Procesi i vlerësimit të testeve, kësaj here do të monitorohet nga ekspertë të politikave të inspektimit në MASH dhe specialistë të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar", thuhet në deklaratën e MASH. Sipas këtij dikasteri, në këtë mënyrë, MASH synohet të konsolidohet vlerësimi i produktit të çdo maturanti në mënyrën më të mirë, në të njëjtat standarde me vendet e BE-së. "Monitoruesit do të ndjekin të gjitha provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje, me qëllim që MASH të bëjë të mundur një vlerësim real të cilësisë në të gjitha shkollat e vendit", bëri me dije MASH. Gjatë gjithë muajit qershor, maturantët do t'u nënshtrohen provimeve, atyre të detyruara dhe atyre me zgjedhje. Më 15 qershor, ata do të japin matematikën, ndërsa më 30 qershor do t'i nënshtrohen testit të dy lëndëve me zgjedhje. Në muajin korrik, maturantët do të kenë në duar të gjitha rezultatet e maturës, për të plotësuar më pas formularin A2, për degët që duan të studiojnë në universitete.

Këtë vit s'ka rikorrigjim të tezave

Këtë vit nuk do të aplikohet rikorrigjimi i tezave, por do të ketë korrigjim të dyfishtë. çka konsiston në kontrollin e testit nga 4 mësues të ndryshëm. Vitet e mëparshme, numri i tyre ka qenë dy. Do të ketë korrigjimin nga dy mësues, që është korrigjimi i parë dhe në rastin kur diferenca mes dy vlerësuesve është e ndjeshme, atëherë bëhet një vlerësim i dytë. Në fund, çdo test është i certifikuar nga tre korrigjues dhe nga një përgjegjës. Sipas specialistëve të MASH, vlerësimi do të jetë më objektiv dhe me standardet që aplikohen edhe në vende të tjera. Pas publikimit të përgjigjeve për letërsinë, maturantët në rast se kanë ankesa mund të kërkojnë një kopje të testit.

Aksidentohet inspektori i arsimit

SKRAPAR- Aksidentohet inspektori i Ministrisë së Arsimit, teksa çonte bazën materiale të provimeve të maturës në qytetin e çorovodës. Vladimir Shahini, 63 vjeç, ishte duke udhëtuar me makinën e Drejtorisë Arsimore, kur është aksidentuar në fshatin Jaupas, komuna Bogovë e çorovodës. Makina ku udhëtonte inspektori është përplasur me një automjet tjetër e për pasojë, Shahini është plagosur rëndë. Ai u dërgua menjëherë në spitalin e Beratit, nga ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Nga hetimet e kryera rezultoi se aksidenti kishte ndodhur si pasojë e pakujdesisë së drejtuesit të mjetit tjetër, që goditi makinën ku udhëtonte inspektori. d.xh

E rrallë, me barelë në provimin e letërsisë
BURREL - Mes 800 maturantëve të shkollave të mesme të Matit zhvilloi dje provimin e letërsisë dhe Loranda Abazi, maturantja e aksidentuar ditën e fundit të shkollës, më 21 maj të këtij viti. Kushëriri i saj humbi jetën tragjikisht teksa lëvizte në segmentin rrugor Burrel-Klos, ndërsa Abazi pësoi fraktura të rënda, sidomos në gjymtyrë dhe pjesët e legenit. Mesnatën e të hënës babai i vajzës, Pajtimi, ka trokitur në zyrën e ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe i ka kërkuar atij të mundësojë dërgimin e vajzës në qytetin e Burrelit për të dhënë provimin e parë të maturës. Mëngjesin e djeshëm një ambulancë e Spitalit Ushtarak, së bashku me personelin shëndetësor ka nisur udhëtimin drejt qytetit të Burrelit. Sirena e ambulancës me targa të Tiranës dhe mbërritja e saj në oborrin e shkollës ka tërhequr vëmendjen e shumë të pranishmëve. Si të gjithë maturantët e tjerë Abazi ka tërhequr testin e letërsisë dhe ka nisur ta plotësojë atë me kujdes, e kthyer në krah në barelë. "Testi nuk ishte i vështirë. Dhe pse kam qenë me plagë të rënda kam lexuar shumë edhe në spital", tregon Lorena, e cila mesataren e katër viteve e ka 9.7. h.p

FAQET E PLOTA,MUND TI LEXONI NE FORMATIN PDF

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›