E Diel, 1 Nëntor 2026

Alia i përgjigjet Berishës për masakrën e Tivarit:Libri, për të rehabilituar të mirat e komunizmit



Ferdinand Dervishi

Më në fund Ramiz Alia e nxjerr në opinion me plotë gojën qëllimin kryesor të publikimit të librit të tij me kujtime “Jeta ime”. Punimi që përmbledh detaje apo pika kulmore të veprimtarisë në 7 dekada të ish-kreut të fundit komunist shqiptar dhe që mbyllet duke përfshirë ngjarje deri në vitin 1997, sipas Alisë ka për qëllim kryesor të “tregojë të vërtetën dhe të hedhë poshtë shtrembërimet dashakeqe”, të bëra në adresë të arritjeve të kohës së komunizmit.
Pak a shumë, ky ka qenë thelbi i fjalës së Ramiz Alisë gjatë promovimit të librit të tij, dje pasdite në një sallë të Muzeut Kombëtar. Në një sallë pothuaj të mbushur plot, ku e veçanta e parë surpizuese ishte, përkundër ritit të dikurshëm të kohës së komunizmit, mungesa e duartrokitjeve në kohën kur Alia, i shoqëruar nga ish-kolegu i tij Guro Zeneli dhe një përfaqësuese e shtëpisë botuese “Toena”, u ngjitën në podium. Jo për mungesë respekti, por për përshtatje me kohën. I përshtatur me kohën ishte edhe përdorimi prej mikut të Alisë i shprehjeve “shok e shoqe” dhe “zonja e zotërinj”, në vijim të njëra-tjetrës, drejtuar të pranishmëve, mes të cilëve kishte bashkëpunëtorë të vjetër të ish-presidentit, por edhe politikanë, shkrimtarë, kritikë letërsie të njohur. Një masë njerëzish, mes të cilëve ish-presidenti Alia duket se ndihej ngrohtë, pasi përgjatë fjalës së tij, apo edhe përgjigjeve për gazetarët, duket nuk u autocensurua, pra nuk i kurseu batutat apo edhe akuzat në adresë të një prej kundërshtarëve të vjetër të tij, Kryeministrit Sali Berisha.
Libri i Alisë
Në fakt përseja e shkrimit të këtyre kujtimeve të Ramiz Alisë e ka një lidhje të fortë me Kryeministrin aktual të vendit. është një lidhje aq sa mund të jetë një lidhje kundërshtarësh, apo dy njerëzish të vendosur në ekstremet e një rruge historie, të cilët herë e gllabërojnë këtë udhë e herë e vjellin, sipas revanshit të momentit, apo revanshit të deklaratave. Ku ajo që mbetet për opinionin, që mbyllet përkohësisht në memorien e tij, për meritat apo mëkatet e protagonistëve të historisë së re të shqiptarëve, herë shkelmohet nga njëri e herë helmohet nga tjetri, me qëllimin final të fitimit të terrenit. Natyrisht që Kryeministri është në pozita më të qëndrueshme, kjo për faktin e dështimit total të aplikimit të sistemit komunist në Shqipëri, por kjo nuk do të thotë se kryekomunisti i fundit shqiptar, Ramiz Alia, të mos ketë asnjë shpresë. Pak a shumë dhe shkrimi i këtyre kujtimeve në thonjëza të Ramiz Alisë ka për qëllim pikërisht latimin edhe njëherë, edhe më me mjeshtëri, të të gjitha atyre detajeve të sistemit të shkuar, ku tenton të gjejë dhe vërtetojë vlera.
I shkruar këto kohë të fundit – kjo kuptohet nga gjuha e reformuar, larg shtampave apo formulimeve demode të kohës së komunizmit – në libër mund të vihet re edhe kërkimi i njëfarë ndjese për gjithçka të bërë keq, për më tepër figura e Enver Hoxhës trajtohet me më shumë dritë-hije, përmendet sëmundja e tij, harresa, përmendet kulti i tij i individit, etj. Gjithsesi, qëllimi kryesor i Alisë në këtë punim duket se është ruajtja apo justifikimi i një sërë detajesh pozitive të kësaj periudhe. Një analizë që për fat të mirë të autorit vjen në një kohë, kur ai për shkak të viteve të shkuara në epokën postdiktaturë, ka pasur mundësi të koleksionojë të gjitha akuzat më të forta dhe më të argumentuara në adresë të dështimit të sistemit komunist. Pra Alia, rreth 20 vjet pas rrëzimit të Diktaturës, ka pasur edhe privilegjin të gjejë përgjigjet e duhura, rrumbullakosjet e duhura, justifikimet e duhura, për këto pika më të dobëta të sistemit komunist. I njëjti privilegj kohor duket se ka ndihmuar Alinë, edhe për të ç’ndyrshkur pjesë të veprimtarisë së vet në krye të udhëheqjes së komunistëve shqiptarë. Për shembull, në një rast në ai ia lë topin Enver Hoxhës, kur thotë se vetëm ai kishte staturën për të bërë një hapje pa probleme me Perëndimin. Pra ai, me këtë deklarim, duket se kërkon të pastrojë akuzat që janë bërë në adresë të tij, për mbyllje ndaj Evropës dhe për ndjekje të vijës së Enverit, edhe pse që më 1985 Ramiz Alia, si pasardhës i Enver Hoxhës, ishte njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri.
“Përse i shkrova kujtimet”
Përfundimet e mësipërme mund të lexoheshin dje edhe përmes fjalës së Alisë, drejtuar të pranishmëve në promovimin e librit të tij me kujtime.
“Libri është përpjekje që bëra për të përshkruar jetën time. Dëshiroja të kujtoja gjithçka ka qenë e dashur, e shtrenjtë nga familja, shokët e shkollës... ngjarjet kryesore në dekada kohë... Punova për zhvillimin e kulturës së vendit, sipas parimeve të socializmit. Së fundmi po jetoj edhe vitet që më kanë mbetur në shoqërinë pluraliste”, ishin disa nga fjalitë hyrëse të fjalës së tij. Ndërsa gjithë thelbi, përse Alia e ka shkruar këtë libër mund të kuptohet nga këto fjalë: “Në ditët tona, kryesisht sundon nihilizmi ndaj arritjeve të së kaluarës, injorohen figurat e Luftës Nacional-çlirimtare...” Këtë libër e shkrova “...për të treguar të vërtetat dhe për të hedhur poshtë shtrembërimet dashakeqe...”
Në fjalimin e tij, Alia përmendi se në libër ka përfshirë edhe ngjarjet kur Sali Berisha e futi në burg, sipas tij politik, dhe se shënimet mbyllen me ndodhitë e vitit 1997. Në fund të fjalës së tij, Alia lëshoi fraza kundërsulmuese, duket duke tentuar të bëjë në këtë mënyrë balancën e radhës ndaj akuzave më të fundit në adresë të tij të Kryeministrit Sali Berisha: “...Vendi gjendet në një tranzicion të tejzgjatur... Ka vështirësi për shtresat në nevojë, sundimtarët berishjanë janë pengesë për zhvillimin e shoqërisë... Shqetësuese është përpjekja për të përçarë...”
Po në këtë pjesë të mbylljes, Alia, përmend grevën e urisë të socialistëve dhe vlerëson si produkt të politikës së Berishës ndarjen e intelektualëve në dy pjesë. Ai siluron edhe më fort, kur e përmbyll duke thënë se “edhe për të marrë pjesë në këtë takim (të përurimit të librit të tij) nëpunës të ndryshëm janë kërcënuar nga Berisha”.

ç’tha Berisha për Masakrën e Tivarit?
Pak ditë më parë, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Kryeministër i vendit, akuzoi ish-kreun e fundit komunist dhe ish-presidentin Ramiz Alia si një personazh që duhet të përgjigjet për “Masakrën e Tivarit” pasi ajo, masakra, është bërë “me dijeninë dhe miratimin e tij”. Më poshtë akuza e plotë e Berishës në adresë të Ramiz Alisë. “...Për të mos hyrë pastaj në kapitullin më të zi të këtij xhelati, se është xhelat, gjer sa nuk zbërthehet për masakrën e Tivarit. Dhe Parlamenti duhet të qëndrojë për masakrën e Tivarit. Ne jemi vend që kemi në fuqi ligjin kundër gjenocidit. është përgjigjur për disa krime, duhet të përgjigjet për masakrën e Tivarit. Masakra e Tivarit është krimi më monstruoz, i kryer në gadishullin e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një Katin i dytë dhe është bërë gjithçka me dijeninë dhe miratimin e tij”.

“Masakra e Tivarit? Isha në Bosnjë”

“Unë në atë kohë kam qenë në Bosnjë...” Ramiz Alia i është përgjigjur me shumë pak fjalë akuzës së Kryeministrit Sali Berisha, për një krim që daton vitin e largët 1945 dhe që ka lidhje me ngjarjen mbase më të errët, më kriminale në historinë shqiptare të Luftës së Dytë Botërore. Akuza ka lidhje me të quajturën “Masakra e Tivarit”, konsumuar më 1 prill 1945 në Tivar, sot Bar, të Malit të Zi, ku qindra rekrutë kosovarë të paarmatosur, u ekzekutuan nga ushtarë serbë e malazezë, pasi më parë kishin kaluar, sërish të paarmatosur, përmes tokës shqiptare.
Akuza e drejtpërdrejtë dhe shumë e fortë u bë nga Kryeministri i vendit, Sali Berisha, pak ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Berisha, duke marrë shkas nga qëndrimi, sipas tij, i Ramiz Alisë, kundrejt grevës së urisë të Partisë Socialiste, mes të tjerave tha se “diktatori i fundit” komunist i shqiptarëve duhet të “përgjigjet për masakrën e Tivarit” dhe se ajo është bërë “me dijeninë dhe miratimin e tij”.
Masakra e Tivarit dhe akuza e Berishës
Akuza e Berishës për “Masakrën e Tivarit” në adresë të Ramiz Alisë, duket ka lidhje me faktin se kjo ngjarje, ende e mbetur shumë e zbehtë për historinë
shqiptare, është bërë në një kohë kur Ramiz Alia ka qenë një nga drejtuesit e formacioneve ushtarake shqiptare, që u dërguan në territorin jugosllav, pra në Kosovë, për të ndihmuar në çlirimin nga nazi-fashistët. Pikërisht në këtë periudhë, në mars 1945, Shtabi Operativ i Kosmetit (Kosovës dhe Metohisë), i urdhëruar nga Shtabi i Ushtrisë Nacional-çlirimtare Jugosllave, organizon grumbullimin e rekrutëve kosovarë për t’i dërguar në “Frontin e Adriatikut”, ku forcat gjermane vazhdonin të bënin rezistencë. Kolona me kosovarë që u fut në grackë në Tivar, më 1 prill 1945, ishte detyruar të udhëtonte e paarmatosur nëpër territorin shqiptar, në itinerarin Prizren-Zhur-Kukës-Puk-Shkodër. Si shkas për masakrën shërbeu një incident mes kosovarëve dhe rojeve. Kaq mjaftoi që të shkaktohej një masakër masive. Sipas të mbijetuarve të kësaj ngjarjeje, të vrarët llogariten të kenë qenë jo më pak se 1 700. Gjithsesi kjo nuk i ndaloi serbët që të vazhdonin rekrutimin e kosovarëve dhe përsëritjen e historive të ngjashme. Kjo ngjarje është përmendur edhe nga drejtues të lartë të ushtrisë dhe politikës jugosllave, por me shifra të minimizuara të viktimave, nga ana tjetër edhe Enver Hoxha e ka quajtur si krim dhe përgjegjësi të jugosllavëve. Gjithsesi për këta qindra e qindra kosovarë, të vrarë në mënyrë masive, nuk pati më shumë se disa deklarime të ngjashme. Për ngjarjen nuk u bënë hetime, nuk pati as përgjegjës. Në njëfarë mase ky trajtim i zbehtë, apo krejt i errët, ka mbërritur deri në ditët tona dhe si i tillë është formuluar edhe në gojën e Kryeministri të vendit, që deklaroi se “ky është krimi më monstruoz i kryer në gadishullin e Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore, është një Katin i dytë” dhe më tej, ai, Ramiz Alia, “nuk zbërthehet për masakrën e Tivarit” që është bërë “me dijeninë e miratimin e tij”.
Përgjigjja e Alisë
“Unë në kohën që ka ndodhur Masakra e Tivarit kam qenë në Bosnjën Jugore”. Ky ishte thelbi i deklaratës së Ramiz Alisë bërë dje, gjatë promovimit të librit të tij “Jeta ime”, për akuzën e bërë nga Kryeministri Sali Berisha, pak ditë më parë. Sipas shpjegimit të Alisë, ai ishte në krye të një prej formacioneve luftarake shqiptare, të dërguara në ndjekje të nazistëve përtej kufijve, në kohën që në Tivar të Malit të Zi ishte konsumuar e quajtura “Masakra e Tivarit”. Pra sipas tij, ai vetë, bashkë me trupat partizane shqiptare, ishin shumë larg vendngjarjes. Por Alia dje pati gjithashtu edhe një përgjigje për përgjegjësit e kësaj masakre. Sipas tij, përgjegjës për nisjen në drejtim të Tivarit të rekrutëve kosovarë ishin “kosovarët, më saktë serbët, që i nisën rekrutët në drejtim të Tivarit, të cilët mund të flasin rreth kësaj akuze”. E deshifruar një përgjigje e tillë do të thotë se përgjegjës për këtë ngjarje janë drejtues të formacioneve antifashiste kosovare apo jugosllave, që pas çlirimit të Kosovës kishin marrë në duar frenat e pushtetit në këtë rajon. Në vijim të së njëjtës temë, Ramiz Alia pohoi se vetë Enver Hoxha e ka quajtur këtë ngjarje si “krim të jugosllavëve”. Alia e mbylli komentin për këtë temë, duke deklaruar se Berisha e ka lëshuar këtë akuzë në adresë të tij për një qëllim krejt tjetër. fe. de.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›