E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kledi Kadiu: Më mirë se një përrallë

Intervista / Në qarkullim në gjuhën italiane autobiografia e balerinit shqiptar Kledi Kadiu "Më mirë se një përrallë", botuar nga Mondadori. Nga dje ai ka nisur turin e prezantimit dhe nënshkrimit të librit në Romë dhe Milano. "Do doja t'u jepja të rinjve një shembull të mirë se si të arrijnë objektivat e tyre. Dua që të mos mendojnë se gjithçka varet thjesht nga fati."

Pas filmit "Passo a due", jeta e Kledi Kadiut u jepet adhuruesve të tij tashmë në libër. Kësaj here është ai që ulet të shkruajë biografinë e vet për Mondadorin. "Meglio di una favola", i sapodalë më 27 janar shfaq që tani të gjitha shenjat e një suksesi më shumë për idhullin e qindramijëra italianeve.
Dhe nuk mund të kishte titull më të përshtatshëm, që të sintetizonte suksesin e tij, dhe tejkalimin e pritmërive me të cilat ai zbarkoi në bregun tjetër të Adriatikut shumë vite më parë që sot duken shekuj të lënë pas nga ritmet e ndryshimit të gjithçkaje për Kledin dhe për shqiptarët. Nëpërmjet "Meglio di una favola" tregon atë që nuk duket, vitet e gjata të punës, që fshihen pas Kledit të suksesshëm sot.


Pas filmit "Passo a due", jeta juaj përshkruhet në një libër...
Libri është pjesë e jetës sime të jetuar, e të kaluarës sime. Ka disa pjesë të rëndësishme të jetës sime, ndryshimet e mëdha nga pikëpamja profesionale, dhe nga pikëpamja personale. Por përveç kësaj janë në këtë libër edhe ato ndryshime të mëdha që Shqipëria dhe gjithë shqiptarët kanë përjetuar gjatë këtyre viteve. Është një periudhë shumë e ngjeshur me data dhe fakte. Libri trajton që nga fillimi, fëmijërinë time, momentin kur kam hyrë në akademinë e Tiranës. Janë në të të tetë vitet që kam kaluar në akademinë e Tiranës. Pastaj siç e dinë të gjithë vjen ajo etapë e jetës sime ku gjithçka ndryshoi. Bëhet fjalë për një etapë që e ndaj edhe me shumë shqiptarë të tjerë, tundimi që pjesa më e madhe prej nesh pati për të lënë Shqipërinë. Kështu flas për tundimin e parë, zhgënjimin, dhe rikthimin në Shqipëri në të njëjtën shkollë, turnetë e ndryshëm që kam bërë me shkollën dhe teatrin e Operas dhe Baletit, pastaj sërish ardhja në Itali por këtë herë me dokumente të rregullta. Të gjitha vështirësitë që një i huaj mund të gjejë në Itali, dhe pastaj suksesi, fitorja. Në këtë fazë historia mbaron, sepse pjesa tjetër vazhdon, dhe të gjithë ata që më njohin e dinë se cili jam unë sot, me se merrem, ku kam lindur e pse jam këtu ku jam.

Pse ndiet nevojën të shkruanit këtë libër? Jo gjithmonë balerinët marrin laps e letër në dorë për të treguar jetën e tyre...
Libri flet për ëndrrën për të realizuar suksesin - them sukses duke e përgjithësuar, por do të ishte më e përshtatshme të thuhej objektivat e gjithsecilit në jetë... Kam dashur të tregoj këtë eksperiencë, sepse mendoj se është një arsye e mirë për tu dhënë një shembull të mirë të rinjve se si të arrijnë objektivat e tyre. Dua që të mos mendojnë se gjithçka varet thjesht nga fati. Fati është një kombinim që lidhet ngushtë me talentin dhe me përpjekjet për realizimin e objektivave. Natyrisht ky mesazh vlen për këdo, secili në fushën e interesave të veta, jo vetëm për balerinët. Gjithashtu dua të them se këtë libër ia kushtoj gjyshes sime, një njeriu që gjithmonë më ka qenë shumë e dashur dhe vendimtare për jetën time dhe që fatkeqësisht prej pak kohësh nuk e kam më. Ishte si të thuash edhe një dhuratë për të, duke parë mbrapa nga kjo pikë ku jam tani.

Pra bëhet fjalë për një biografi, përshkruese të gjithë etapave të jetës suaj deri tani. Është edhe një lloj bilanci, ku duket Kledi i fillimit dhe Kledi sot. Me pak fjalë si është ky bilanc?
Është një lloj bilanci, është shumë e drejtë. Madje edhe titulli doli në mënyrë shumë spontane kur isha duke folur me përfaqësuesit e Mondadorit. Nuk mund të kishte titull më të përshtatshëm se "Meglio di una favola". Asnjëherë nuk do të kisha menduar se një ditë do të filloja të bëja kaq shumë gjëra, disa prej të cilave nuk kanë fare të bëjnë me sferën time. Prandaj shkoi më mirë se në përrallë. Është e vërtetë ky libër është një përrallë, që përfundon për momentin në të tashmen. Kuptohet nuk kishte si të ishte ndryshe përderisa unë nuk jam 70 vjeç tani, jam vetëm 35.

Etapat tuaja nuk mund të mos gërshetohen disi edhe me etapat që ka kaluar edhe emigracioni shqiptar në Itali, shumë shqiptarë mund të gjenin elementë të përbashkët me bilancin tuaj.
Ky i imi është një bilanc i privilegjuar. Ka shumë shqiptarë të tjerë, kolegë të mi, apo të sferave të tjera që i kanë realizuar plotësisht objektivat e tyre në jetë, por unë e ndiej veten shumë të privilegjuar dhe mjaft me fat. Por kur them me fat nuk dua që të mendojnë keq se ishte vetëm fat dhe asgjë tjetër. Duke qenë televizioni një mjet komunikimi që mbërrin shumë më shpejt se gjithë të tjerët, emri im u ka mbërritur njerëzve shumë më shpejt se sa ai një balerini tjetër që shihet vetëm në teatër, apo se emri i gazetarit, apo profesionistit tjetër shqiptar po aq të suksesshëm e të realizuar sa të meritojë famë. Imazhi popullariteti, kanë bërë që të ndihem si pjesë e atyre njerëzve që kanë realizuar ëndrrat e tyre. Por historia ime është e veçantë sepse unë isha një djalë shqiptar që hyri në televizionin italian si shqiptar, që për mua ishte normale, ashtu si për gjithë bashkëkombësit e mi, por që për italianët ishte diçka pak e njohur. Kështu nuk dihej çfarë linim pas, çfarë kishim jetuar, imazhi i anijes dhe i skafeve hidhte pastaj tym të errët mbi gjithçka.

Megjithatë nuk ka qe e lehtë të jeni shqiptar?
Sigurisht kjo sferë, e sporteve apo arteve, është diçka tjetër, është një përjashtim. Kur dikush thotë: jam balerin, këngëtar, apo aktor, është shumë ndryshe nga dikush tjetër që thotë: jam murator, elektricist, etj., pra një punë larg prozhektorëve edhe pse jo më pak të denjë për tu nderuar e respektuar. Unë jam plotësisht kundër kësaj, por për fat të keq njerëzit gjithmonë udhëhiqen nga aparenca. Duhet t'i njohësh më parë njerëzit e pastaj të flasësh për ta, jo të gjykosh menjëherë për origjinën. Duhet pasur vullnet për të njohur njerëzit, për të njohur tjetrin. Mirëpo kohët e fundit gjithmonë e më shpesh po ndodh që po mbyllen dyert në Itali. Kohët e fundit italianët nuk janë bërë të ftohtë, por janë bërë mosbesues ndaj të huajve, kjo edhe për shkak të gjërave negative që kanë ndodhur.

Ka një lloj radikalizmi të ksenofobisë, gjithmonë çuditërisht në kah të kundërt me zhvillimin e emigracionit në Itali. Nga ana tjetër vetëm pak muaj më parë edhe ju pësuat një provokim, në ambjentet e shkollës suaj.
Ishte një episod që u fry tej mase, por nuk ishte diçka që mund të quhet racizëm. Ishte thjesht një sjellje jo e ndershme e një njeriu që u gjend në një ambjent prindërish, dhe që u soll keq, nuk ishte kundër Shqipërisë apo shqiptarëve. Mund të thonin edhe "napoletano, torinese apo milanese di merda", nuk besoj se ky mund të cilësohet si një episod racizmi. Unë sot nuk ndihem i huaj në këtë shoqëri, dhe mendoj se edhe gjithë shqiptarët e tjerë që kanë kaq shumë vite sa unë këtu, nuk duhet të ndihen të tillë. Prandaj edhe diskriminimi që mund të ekzistojë sot është njësoj si diskriminimi midis italianëve, sepse duam nuk duam ashtu si edhe kalaberezët, napoletanët apo torinezët që jetojnë në Romë për shembull edhe ne jemi pjesë e kësaj Italie që ka kaq shumë pjesë të ndryshme brenda.

Ju shpeshherë cilësoheni si një promovues i përmirësimit të imazhit të shqiptarëve në Itali. Por këto lloj spektaklesh shikohen kryesisht nga një publik adoleshentësh, a arrin mesazhi juaj deri tek politikani 60-vjeçar?
Politikani 60-vjeçar nuk shikon spektaklet e mia, por përsëri edhe adoleshentët nuk i shikojnë vetëm ato spektakle, i shikojnë me prindërit, kështu që mesazhi ka të bëjë me një pjesë të shoqërisë që është përtej asaj grupmoshe për të cilët kryesisht prodhohen këto spektakle. Por nuk duhet të funksionojë kështu. Nuk duhen mbajtur sytë nga televizioni për të përmirësuar imazhin. Duhet të bëjë pjesë në kulturën e individëve, ndërsa në të vërtetë pjesa më e madhe e njerëzve janë të mbyllur, nuk kanë aspak kuriozitet për të njohur kulturat e tjera, njerëz të tjerë, vende të tjera. Sot një përqindje e mirë e teknologjisë është çuar përpara nga të huajt. Është e lehtë të vjellësh ksenofobi me idenë se të huajt janë aty për të bezdisur. Por këta të huaj çojnë përpara vendin ku kanë ardhur dhe emrin e vendit prej nga vijnë. Për fat të keq ka shumë injorancë. Pastaj janë mediat, që edhe ato kanë përçueshmëri të madhe të mesazheve të tyre, por që edhe sot e kësaj dite vazhdojnë t'i pikturojnë të huajt me ngjyrat më të errëta. Tani protagonistë janë rumunët ashtu siç ishim ne para dhjetë vjetësh. Nuk bëhet fjalë për imazhin negativ vetëm të Shqipërisë por të çfarëdolloj të huaji. Kronika e zezë zë pjesë në faqe të parë të gjitha mediave, prandaj edhe njerëzit janë të bombarduar me lajme të këqija që kanë për protagonistë gjithmonë emigrantët. Shpresoj që përveç kësaj të bëhet edhe një promovim i pozitives që kanë këta të huaj. Dihet që këtë e ka bërë media që ka baltosur figurën e të huajve si më keq ka mundur. Kuptohet që nëse ti hap edicionin e lajmeve me kronikën e zezë dhe në fillim fare thua ja shqiptari, ja rumuni ka bërë këtë krim makabër dhe flet për të 10 minuta, ndërsa lajmin e fundit ia dedikon të njëjtit lloj krimi por që e ka bërë një italian, dhe atëherë i kushton më pak se një minutë, kuptohet që ai italian që dëgjon lajmet do të bombardohet më këtë propagandë negative dhe nuk ka se si të krijojë simpati për të huajt. Kuptohet po të shohë një të huaj do të ruhet, do ta shmangë se do të thotë, ky është si ai që dëgjova në lajme. Sado që ne kemi bërë peticione të shumta, e letra të hapura gazetarët italianë mbeten të njëjtë. Më vjen keq për rumunët që po kalojnë atë që kemi kaluar ne në vitet '90.

Po cili është stereotipi i shqiptarëve sot sipas jush?
Dikur ishte gjithçka negative, sot nuk është më kështu. Sot nuk janë shqiptarët në shënjestër. Natyrisht në vitet '90 ka ndodhur edhe ndonjë episod negativ por kjo nuk do të thotë se duhet të hidhet baltë mbi një popull të tërë. Është një arsyetim shumë i thjeshtë ky. Edhe për italianët tek e fundit thuhet se janë mafiozë, por kjo nuk do të thotë se unë personalisht duhet të konsideroj Italinë si një vend mafioz, sepse ka shumë njerëz të mirë, dhe të këqij nga ana tjetër, si të gjitha vendet. Personalisht në jetën e përditshme kam të bëjë me tipa të ndryshëm njerëzish, por takoj edhe shumë italianë të mirë, që kur mendon për stereotipin që qarkullonte dhe që ndihet nga pak edhe sot në Zvicër apo në Gjermani, se ata janë mafiozë, çuditesh dhe thua si ka mundësi. Prandaj unë jam kundër stereotipave sepse janë vetëm paragjykime të gënjeshtërta, asgjë më shumë. Janë gjëra që krijojnë vetëm probleme.

Profesionalisht përse zgjodhët Italinë?
Unë erdha në Itali sepse në Tiranë bëhej vetëm balet klasik, dhe unë doja të eksperimentoja dhe të përmirësohesha, edhe në lloje të tjera baleti që shikoja në televizor dhe që më pëlqenin, pro që nuk dija se si t'i kërceja. Kështu vendosa të nisesha. Kisha një bazë shumë të mirë kuptohet dhe kështu u nisa. Historia ndryshoi në të mirë, dhe unë përfitova, natyrisht nuk do të kisha mbërritur këtu nëse Shqipëria nuk do të dilte nga izolimi.

Çfarë ju ka sjellë Italia?
Shumë përmirësim, pa tjetër, por nuk është vetëm Italia. Mendoj se do t'ia kisha dalë me punë dhe përkushtim edhe diku tjetër. U bëra njeri i famshëm dhe kjo është diçka që nuk e kisha programuar. Përveç kësaj nuk kisha programuar që një ditë do të bëhesha madje edhe aktor, do të isha i ftuar në kaq shumë spektakle, e në fund si po ndodh këto ditë se do të botoja edhe një libër, biografinë time, e se do të kisha kaq shumë fansa. Kuptohet si gjithë balerinët edhe maksimumi që mendoja se do të arrija në lidhje me publikun ishin duartrokitjet pas shfaqjeve por gjërat rrodhën shumë më mirë. Prandaj edhe libri titullohet kështu. Unë e kisha shkruar dhe nuk kisha asnjë ide për titull. Kur shkova të bisedoja me njerëzit e Mondadorit, njëri prej tyre tha: e si tjetër mund ta titullosh jetën tënde përveçse "Meglio di una favola", dhe unë nuk kisha ç'të komentoja. Pranova menjëherë.

Po me Shqipërinë si janë marrëdhëniet tuaja pas kaq vitesh, dhe natyrisht me baletin shqiptar?
Në Shqipëri shkoj shumë shpesh sepse atje kam familjen dhe të afërmit. Kuptohet që ngelem shqiptar dhe e ndjek Shqipërinë me shumë vëmendje. Është gjithmonë shumë bukur kur shkoj sepse shikoj gjithmonë një Shqipëri të ndryshuar, të përmirësuar. Edhe pse jo gjithmonë ata që jetojnë atje e ndiejnë këtë, ne që e shikojmë herë pas herë e ndiejmë tej mase ndryshimin. Ndërsa për sa i përket anës profesionale, burokracia atje është gjithmonë e më e ndërlikuar dhe kjo nuk lejon që të arrihet asgjë pozitive. Mund të të vijnë ide të mira, por kur mendon t'u hysh meandreve të burokracisë së artit shqiptar stepesh dhe heq dorë sepse artisti duhet të punojë jo të lodhet me humbje kohe. Për mua gjithë ajo burokraci është humbje kohe. Pastaj është shumë e vështirë për brezin e ri të hyjë në këtë art dhe prandaj ka pak prurje të reja nga sa kam parë. Baleti shqiptar ka gjithmonë një cilësi të mirë por kushtet janë të tmerrshme. Balerinët bëjnë prova në salla me temperaturë 0 gradë apo -2 gradë. Nuk ka as kushte më minimale që balerini të vërë trupin e tij në gjendje pune sepse punohet me trup. Të mos flasim pastaj për veshjen, etj. Kjo është një gjë që më irriton tej mase, sepse baleti shqiptar i ka mundësitë të prodhojë gjëra cilësore dhe të përmirësohet prandaj më vjen keq që të vuajë akoma sikur Shqipëria sapo të kishte dalë nga komunizmi. Është e tmerrshme ta imagjinosh në ç'kushte punojnë balerinët në Tiranë.

Cilat janë projektet tuaja të ardhshme? Plane për të kontribuar në baletin shqiptar?
Projektet janë ato që kam pasur. Amici, promovimi i librit, shkolla e baletit që kam në Romë etj. Kurse për të shkuar në Shqipëri e për të kontribuar mendoj se nuk janë ende kushtet e përshtatshme. Për të kontribuar në Shqipëri duhet të jem atje dhe për momentin nuk mund të planifikoj të tilla iniciativa. Është një ide shumë e mirë, më duhet ta pranoj. Cilido shqiptar mendoj që ka arritur diçka jashtë shtetit do të ishte i prirë të kthehej në Shqipëri dhe të ofronte edhe ai kontributin e vet. Veçanërisht në arte, e veçanërisht ata që si unë apo të tjerë kanë të bëjnë me këtë fushë që ka shumë për të ofruar në Shqipëri. Por tani për tani kam vënë rrënjë në jetën time të këtushme dhe është vështirë të nis gjëra të tjera. Por e ardhmja do të sjellë të tjera gjëra, që ndoshta tani nuk jam as në gjendje të imagjinoj. Sidoqoftë lidhja ime me Shqipërinë ngelet e hapur.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›