Tirane; Në pranga shtatë persona, akuzohen për vjedhje
Policia e Tiranës ka ndaluar shtatë persona, të cilët akuzohen për vjedhje. Uniformat blu organizuan dy operacione, “Sharra” dhe “Kriko”, ku bënë të mundur ndalimin e tyre. Në të parin u ndaluan katër vetë të përfshirë në 11 vjedhje, ndërsa në të dytin u krye arrestimi në flagrancë i tre shtetasve, të proceduar edhe më parë për vjedhje në bashkëpunim. Në pranga ranë J. A., 14 vjeç, banues në Lezhë, Dianos Marku, 18 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje dhe Agron Zylfo, 33 vjeç, lindur dhe banues në Ibë, komuna Bërzhitë, i dënuar dy herë për vjedhje. Sipas policisë, ndalimi i tyre u krye, pasi para dy ditësh, ata janë kapur në flagrancë duke vjedhur shumën e parave prej 48.000 lekësh, në dyqanin e firmës “Shpiragu”, në bulevardin “Zhanë d’Ark”, në pronësi të dy shtetasve. Nga hetimet e kryerja, mbi këta shtetas ka rezultuar se i mituri J. A., i dyshuar si i përfshirë në krimin e vjedhjes, është autor i një sërë vjedhjesh të tjera të realizuara në kohë e vende të ndryshme. Në datën 4 mars 2009 dyshohet të jetë autor i vjedhjes së magazinës “Lindi”, në rrugën “George W. Bush”, në pronësi të një shtetasi. Në datë 11 mars 2009 dyshohet të jetë autor i vjedhjes së dyqanit ushqimor, në Rrugën e Elbasanit, në pronësi të një shtetasi. Në datën 15 prill 2009 dyshohet të jetë autor i vjedhjes së dyqanit “Foto Reli”, në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në pronësi të një shtetasi. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma e parave prej 48.000 lekësh, ndërsa vazhdon puna për dokumentimin e të tjera vjedhjeve 7 të realizuara prej tyre, në bashkëpunim me njëri-tjetrin.