Rama harxhon 2 milionë euro taksa për 500 mimoza
Dy milionë euro është totali i mbledhur nga taksa e gjelbërimit nga Bashkia e Tiranës, ndërkohë që për vetë gjelbërimin janë shpenzuar shumë pak. Pas një mori pemësh të mbjella nga sipërmarrjet private në kryeqytet, Bashkia e Tiranës vendosi të kontribuonte në gjelbërim, me 500 mimoza të reja në parkun e Liqenit Artificial.
Këshilltari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh zëvendësministër i Mjedisit, z. Taulant Bino, ngriti dje problematikën e kësaj takse të katërfishuar vetëm në tre vjet dhe paralajmëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm në Këshillin Bashkiak për të treguar se ku kanë shkuar taksat e kryeqytetasve.
Ku shkojnë?
Më së shumti kjo taksë e katërfishuar duket se nuk shkon për qëllimin fillestar. Z. Bino deklaroi dje se nuk mund të heshtet më përballë kësaj hipokrizie të kryetarit të bashkisë, z. Edi Rama. “Daljet e fundit publike po tregojnë se gjelbërimi në qytet po kryhet nga bizneset dhe donatorët. Atëherë ku shkon taksa e gjelbër e paguar nga qytetarët e Tiranës? Vetëm ne vitin 2008, nga taksa e gjelbër u grumbulluan 230 milionë lekë apo 2 milionë euro. Ku shkuan taksat e katërfishuara?”, - deklaroi në një konferencë për shtyp z. Bino.
Ai parashtroi shifrat zyrtare të gjelbërimit në Tiranë, që ka mbetur i pandryshueshëm prej vitit 2001. Edhe atëherë, sikurse tani, Tirana ka vetëm 3.1 metra katrorë gjelbërim për frymë, që përbën njëkohësisht edhe shifrën më të ulët ndër kryeqytetet evropiane.
“Për t’i dhënë përgjigje pyetjeve tona, në emër të këshilltarëve bashkiakë të Partisë Demokratike deklaroj se së shpejti do të ngremë pranë Këshillit Bashkiak të kryeqytetit një komision që do t’u tregojë qytetarëve të Tiranës abuzimin e frikshëm me “taksën e gjelbër” dhe shpërdorimin e mashtrimin e madh të z. Rama”, - paralajmëroi Bino.
Më e vogël se taksa e biznesit?!
Problemi kryesor i vërejtur ka të bëjë me sasinë e taksës. Ajo është katërfishuar gjatë tri viteve të fundit, duke kaluar edhe masën e taksës së biznesit të vogël, çka është e paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit.
“Z. Edi Rama po përpiqet këto ditë më shumë se asnjëherë tjetër që me mashtrime mediatike të bindë qytetarët e Tiranës se po gjelbëron kryeqytetin. Në të vërtetë, me këtë fushatë po përpiqet të fshehë vjedhjen e madhe dhe shpërdorimin e “taksës së gjelbër” të cilën z. Rama e katërfishuar në raport me vitin 2006”, - deklaroi z. Bino.
Sipas tij, ka katërfishim të taksës për përpunim dhe prodhim të produkteve farmaceutike e për pasojë, qytetarët e Tiranës, sidomos prindërit e të moshuarit, duhet të paguajnë më shumë për ilaçet, sikurse edhe në të gjithë sektorët e tjerë. Taksa e gjelbërimit është vendosur fillimisht si një taksë e përkohshme dhe me vlerë minimale. Në të gjitha qytetet e vendit ajo varion nga 2 në 6 mijë lekë të vjetra, por në Tiranë, kjo taksë është dhjetëfishuar.
“Masa e taksës së gjelbër është tepër e lartë dhe në raport me vetë taksat e biznesit të vogël. Në disa raste kjo taksë e ashtuquajtur e përkohshme është 3-4 herë më e lartë se vetë taksa e biznesit të vogël. Kemi të bëjmë qartësisht me një barrë të shtuar mbi biznesin e vogël. Për një sërë biznesesh të tjera ajo varion nga 70-160% të vlerës së taksës për biznesin e vogël, duke na detyruar të gjithëve të paguajmë më shumë për një shërbim që nuk e marrim”, - tha z. Bino.
Deri më sot, Bashkia e Tiranës nuk është përgjigjur zyrtarisht se përse shkojnë fondet e mbledhura nga taksa e gjelbërimit dhe përse nuk përfundojnë në destinacionin e tyre.
Taksa e gjelbër në vite
Kategoritë 2006 2009 Rritja (në %)
Prodhim, përpunim produktesh farmaceutike 25000 100000 400
Prodhim, përpunim letre, kartoni etj 4000 16000 400
Prodhim, përpunim vajrash, nafte dhe gaz 4000 16000 400
Impiante, territore për therjen e kafshëve 4000 16000 400
Bar, restorant 7000 28000 400
Fast Food 5000 28000 560
Njësi shërbimi non-stop 10000 40000 400
Hotele 10000 40000 400
Krahasuar me biznesit e vogël
Kategoritë Taksa e biznesit të vogël Taksa e gjelbër ne 2009
Prodhim, përpunim produktesh farmaceutike 23000 100000
Prodhim, përpunim letre, kartoni etj 23000 16000
Prodhim, përpunim vajrash, nafte dhe gaz 23000 16000
Impiante, territore për therjen e kafshëve 23000 16000
Bar, restorant 45000 28000
Fast Food 45000 28000
Njësi shërbimi non-stop 45000 28000
Hotele 25000 40000