E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet në flagrancë hajduti i pensioneve

TIRANE- Arrestohet hajduti i arkës së pensioneve, në kryeqytet ndërsa tentonte të largohej nga kioska e arkës. Ervis Lika.


37 vjeç, banues në rrugën "Bardhyl", është arrestuar në flagrancë dje rreth orës 04:00 mëngjesit nga patrullat e policisë së komisariatit nr.4 dhe shërbimet e policisë të cilët kanë vënë re lëvizjen e dyshimtë që ndodhte pranë arkës së pensioneve që ndodhet në rrugën "Bardhyl" e cila gjithashtu ndodhet edhe pranë një banke në zonë.


Sipas burimeve të policisë, i arrestuari kishte mundur të hynte në ambientet e arkës një kioskë e vogël, duke e thyer atë. Pasi ka hyrë në arkë ka mundur të gjejë paratë e vendosura në një prej sirtarëve të arkës, gjithsej jo më tepër se 800 mijë lekë të vjetra.


Pasi i arrestuari kishte nxjerrë paratë në daljen e arkës, është munduar të dalë edhe vetë, nga kioska.


Ndërkaq shërbimet e rendit që kanë mbërritur në zonë kanë dëgjuar zhurmën që bëhej aty dhe kanë vendosur të shohin se ç'bëhej. Sapo janë afruar efektivët e policisë kanë vënë re se një person po përpëlitej të dilte nga kioska e arkës së pensioneve.


Personi është bllokuar prej shërbimeve ndërsa aty kanë mbërritur edhe efektivë të seksionit të hetimit të krimeve kundër pronës të cilët kanë kryer arrestimin në flagrancë të 37 vjeçarit, me akuzën e vjedhjes, ndërsa më parë ai ka qenë akuzuar për shitje të lëndëve narkotike.


Dyshimet e policisë ishin se i arrestuari mund të ketë pasur lidhje dhe bashkëpunëtorë edhe me persona të tjerë por që sipas saj nuk është provuar.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›