E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e PLOTE e Withers: DASH duhet të shikojë gërryerjen e demokracisë në Shqipëri

Share

Ish-ambasadori Amerikan John Withers i drejtohet sërish shqiptarëve me një tjetër letër të hapur përmes Top Channel. Withers shprehet dakord me pesë pikat e deklaratës se Departamentit të Shtetit, por shton se ajo deklaratë nuk preku thelbin e shqetësimeve të tij, gërryerjen e demokracisë dhe keqqeverisjen.

Më poshtë letra e plotë e zotit Withers për publikun shqiptar:

Të dashur miq!

Po ju shkruaj për të komentuar mbi një deklaratë të Departamentit të Shtetit të disa ditëve më parë, e cila mund të ketë shkaktuar disa keqperceptime lidhur me pikëpamjet e mia për Shqipërinë. Unë vetë nuk kam marrë ndonjë njoftim formal lidhur me deklaratën dhe për pasojë më duhet të përdor informacion që e kam marrë tërthorazi.

Edhe pse deklarata ofron vetëm informacion që tashmë është publikisht shumë i mirënjohur, dëshiroj të sigurohem që asnjë prej jush të mos besojë gabimisht se unë kam qëndrime që në fakt, nuk i kam apo që paskam thënë gjëra që unë në fakt nuk i kam thënë.

Deklarata e Departmamentit ngre pesë pika. Dëshiroj ta trajtoj secilën prej tyre me radhë. Deklarata pohon që:

        Pikëpamjet e mia janë të një qytetari privat: kjo është absolutisht e vërtetë, siç e kam bërë gjithmonë të qartë, si në fjalët e mia drejtuar medias shqiptare ashtu edhe në fjalimet që mbaj këtu në Amerikë.

        Pikëpamjet e Ambasadorit Arvizu përfaqësojnë pozicionet zyrtare të qeverisë së SHBA: edhe kjo është absolutisht e vërtetë. Alexander Arvizu është Ambasadori Amerikan në Shqipëri. Është ai që flet në emër të qeverisë amerikane.

        SHBA mbështesin fort Shqipërinë si anëtare e NATO-s: Po kështu edhe unë. Në fakt, gjatë qëndrimit tim si ambasador në Shqipëri, nuk ka pasur asnjë çast më të mrekullueshëm se sa ditën kur Shqipëria u ftua në aleancën e NATO-s. Sot, heroizmi i ushtarëve shqiptarë në operacionet e NATO-s  – ashtu si trimëria e Kapitenit Vogli dhe Nëntetarit Peci në Afganistan më bën shumë krenar.

        SHBA mbështesin fort aspiratat e Shqipërisë për në BE: Unë besoj vendosmërisht që hyrja e Shqipërisë më në fund në BE do të ishte një arritje e jashtëzakonshme për vendin tuaj dhe për Europën. Pikërisht për këtë arsye, raporti i fundit i progresit i BE-së për Shqipërinë ishte aq zhgënjyes dhe pse ka rëndësi jetësore që Shqipëria tia ripërkushtojë veten përmbushjes së kritereve të BE-së.

        Qeveria dhe opozita duhet të punojnë në mënyrë bashkëpunuese dhe të përgjegjshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre politike dhe për të qeverisur në interesin kombëtar: Unë mendoj se ka rëndësi kritike që udhëheqja juaj politike të kapërcejë, këtu po citoj intervistën time të fundit, ndasia që mbizotëron aktualisht mes dy partive kryesore politike një ndasi aq e hidhur sa e ka bërë qeverisjen, për të mos përmendur reformat për të cilat vendi ka aq shumë nevojë – thuajse të ndalojnë.

Në përmbledhje, unë nuk kam problem me asnjë prej çështjeve të ngritura në deklaratën e Departamentit. Në fakt, jam në një mendje me të pesta pikat. Megjithatë, deklarata nuk trajton pikën qëndrore të shqetësimit tim, atë mbi të cilën edhe kam përqendruar fjalët e mia në të kaluarën: gërryerja e demokracisë në Shqipëri. E thënë thjesht, frika ime është që në pak duar po përqendrohet tepër pushtet; që, nën trysninë e paepur të qeverisë, institucionet e pavarura që janë kyçe për të ruajtur praktikat demokratike, sundimin e ligjit, madje edhe zgjedhjet e ndershme, janë dobësuar seriozisht; që lufta për të ruajtur pushtetin e ka eklipsuar qeverisjen si përparësi të qeverisë; dhe që, nëse vazhdojnë prirjet e tanishme, Shqipëria ka rrezik të bjerë në atë lloj sundimi të të fortit që ka qenë edhe tragjedia e rajonit të Ballkanit gjatë gjithë historisë së tij.

Këto janë pikëpamjet e mia dhe më lejoni të ritheksoj, janë pikëpamjet e mia si një qytetar privat amerikan. Por, në një perspektivë më të gjerë, pikëpamjet e mia dhe, në fakt, ato të cilitdo vëzhguesi të huaj, zyrtar apo jo as nuk i afrohen për nga rëndësia pikëpamjeve tuaja, pikëpamjeve të popullit shqiptar.

A besoni se qeveria juaj është vërtet demokratike? A besoni se ajo vepron në interesin tuaj? A besoni se ju thotë të vërtetën? A besoni se gjykatat japin drejtësi për të gjithë? A besoni që qeveria i merr vendimet tregtare dhe ekonomike në mënyrë transparente? A besoni se po e lufton seriozisht korrupsionin dhe nepotizmin? A besoni se po miraton politika që do tju sjellin vende pune dhe do të krijojnë mundësi për fëmijët tuaj? A shihni nga e ardhmja me shpresë dhe optimizëm apo me pesimizëm dhe dëshpërim?

Këto janë vetëm disa prej pyetjeve që shtrohen përpara jush dhe të cilave mund tiu përgjigjeni vetëm ju.

E vlerësoj këtë mundësi për të ndarë pikëpamjet e mia me ju, miqtë e mi shqiptarë. Edhe pse disa mund të mos jenë në një mendje me sinqeritetin tim, ju premtoj që do të them gjithmonë të vërtetën ashtu siç e shoh.

Përshëndetjet më të përzemërta për të gjithë ju!

Miku juaj,

John L. Withers, II

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›