E Diel, 1 Nëntor 2026

Letra e Ruçit: "Ruzhdia" provon manipulimin e zgjedhjeve

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u drejtohet shqiptarëve me një letër të hapur


TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi në një letër të hapur drejtuar shqiptarëve, thekson se faktet e gjetura në kutinë e komunës "Ruzhdie" të qarkut Fier, ku paraqiten manipulime në procesin zgjedhor, tregojnë manipulimin tërësor të zgjedhjeve të 28 qershorit.


Hapja e kutisë së kësaj komune, sipas Ruçit, përforcon kërkesën e Partisë Socialiste për transparencën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. "Hapja e vetëm një kutie votimi ka provuar katërçipërisht manipulimin e zgjedhjeve të 28 qershorit.


Hapja e kutisë në Ruzhdie është argumenti më i fortë që mbështet kauzën e popullit opozitar për bërjen e transparencës së plotë të zgjedhjeve, si të vetmen mundësi për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për të bërë të mundur që vota e lirë të mos cenohet,"- thotë Ruçi.


Sipas tij, në fshatin e shumëdebatuar "Ruzhdie" është hapur një kuti votimi dhe janë gjetur firma të falsifikuara, letërnjoftime të rreme si dhe persona që kanë votuar në këtë zonë kur nuk kanë qenë të pranishëm në Shqipëri .


"Në mbështetje të kërkesës së Partisë Socialiste për hapjen e kutive dhe bërjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit kanë dalë prova të reja. Në fshatin Ruzhdie është hapur një kuti dhe brenda saj janë gjetur fakte të frikshme të manipulimit zgjedhor.


Firma të falsifikuara, dokumente identifikimi të rreme, persona që rezultojnë se kanë votuar, kur në fakt nuk kanë qenë fare në Shqipëri", - shprehet ai.


Por, pavarësisht këtyre fakteve, sipas Ruçit, deri më tani, shumica qeverisëse ia ka mohuar opozitës të drejtën kushtetuese për bërë transparencën e plotë të zgjedhjeve të vitit të kaluar. "Për më shumë se 6 muaj, kemi kërkuar transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit përmes një hetimi parlamentar të plotë e të hollësishëm.


Fatkeqësisht, qeveria e votave të vjedhura me në krye Sali Berishën ia ka mohuar Partisë Socialiste dhe popullit opozitar të drejtën për transparencë, këtë të drejtë plotësisht ligjore dhe kushtetuese",- shkruhet më tej në të.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›