Kriza, Hysi: Zgjidhja s'duhet të vijë nga Komisioni i Venecias

Opozita kundërshton Komisionin e Venecias, si mjet për zgjidhjen e ngërçit.
TIRANË- Opozita kërkon që kriza politike të zgjidhet midis saj dhe mazhorancës, duke përjashtuar ndërhyrjen e çdo organizmi ndërkombëtar, siç është edhe Komisioni i Venecias, që është në plan të propozohet nga përfaqësuesit e demokratë në Komisionin e Ligjeve.
Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi, theksoi dje se problematika e krizës politike është shumë e qartë dhe për zgjidhjen e saj nevojiten mjete ligjore të vendit dhe jo ndërkombëtare. Për këtë arsye, sipas saj, ndihma e faktorit ndërkombëtar mund të thirret vetëm kur gjërat janë të paqarta.
Por, në rastin e kërkesës për transparencën e zgjedhjeve të Qershorit, sipas deputetes socialiste, vendimet e Gjykatës Kushtetuese evidentojnë qartë punën e komisionit hetimor dhe raportin e këtij komisioni me prokurorinë.
Ajo vuri në dukje gjithashtu, se opsioni për zgjidhjen e krizës politike nëpërmjet organit këshillimor, siç është Komisioni i Venecias është vetëm një përpjekje e mazhorancës për të zvarritur krizën politike dhe për të mos i dhënë zgjidhje asaj. "Instrumentet ligjorë duhet të jenë në Shqipëri. Boll më me kërkesën e ndihmës së institucioneve ndërkombëtare.
Asistenca ndërkombëtare është e nevojshme atëherë, kur gjërat nuk janë të qarta, por në momentet kur gjërat janë të qarta, e zeza është e shkruar mbi të bardhë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese shprehin qartë rolin e komisionit hetimor parlamentar, raportin e këtij komisioni me prokurorinë dhe Gjykatën, mendoj se nuk është e nevojshme që të shkojë përsëri çështja në Komisionin e Venecias, sepse kjo është një zvarritje, kjo është për ta mbajtur krizën politike të gjatë",- tha dje Hysi.
Ndërkohë që në komisionin e Ligjeve, duke nisur nga dita e sotme e në vazhdim do të diskutohen edhe amendimet e Partisë Demokratike, deputetja Hysi u shpreh se opozita do të shqyrtojë çdo amendim që do të paraqesë shumica.
Ajo kërkoi që Parlamenti e kryetarja Topalli së bashku me përfaqësuesit e tjerë të mazhorancës, të japin kontributin për zgjidhjen e krizës politike, përmes plotësimit të kërkesës së PS-së, që është hapja e kutive të votimit.
"Normalisht nëse do të paraqiten amendime, ne do ti marrim, do t'i studiojmë, por uroj dhe shpresoj që mazhoranca e ka kuptuar drejt mesazhin edhe të opozitës, por dhe pardje të zotit Mirel, që tashmë hapi nga PS është hedhur dhe i bie barra Parlamentit, dhe kur thuhet Parlamentit, edhe mazhorancës, dhe theksoj dhe kryetaren e Parlamentit për ta zgjidhur këtë krizë politike", -u shpreh deputetja Hysi.
Nismat e Partisë Socialiste do të diskutohen dhe shqyrtohen për miratim ditën e enjte, konkretisht më 18 mars. Bashkimi Evropian ka kërkuar që në këtë datë, klasa politike shqiptare t'i japë fund krizës politike, ndryshe do të përballet me pasoja për proceset integruese të saj.