E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkivohet paketa e propozimeve të LMN-së

Në draftin përfundimtar për ndryshimet në statut pritet që të mos reflektohen ndryshimet e kërkuara nga kjo lëvizje

TIRANË- Në projektin përfundimtar të grupit të punës, që është ngritur për ndryshimet në statutin e PS-së, nuk do të përfshihet paketa e propozimeve e përgatitur pak muaj më parë nga Lëvizja për Mendim Ndryshe.


Që në fillim të muajit Gusht kjo lëvizje paraqiti një paketë propozimesh për disa ndryshime në statut lidhur me anën organizative të partisë, por edhe me një çështje delikate siç ishte edhe kërkesa primare, që kryetari i partisë të jepte dorëheqjen në rast humbjeje të zgjedhjeve.


Por paketa e propozuar më aq buje nga lëvizja e ashtuquajtur për Mendim Ndryshe e ka arkivuar vetë punën e saj sa kohë që këtë paketë ata nuk e kanë dorëzuar pranë grupit të punës.


Burime nga PS-ja deklaruan dje për gazetën Shekulli se anëtarët e grupit të punës nuk kanë në plan që të marrin në shqyrtim një paketë të tillë propozimesh për sa kohë që vetë Lëvizja për Mendim Ndryshe nuk e ka paraqitur.


Për këtë arsye, në draftin përfundimtar pritet që të mos reflektohen ndryshimet e kërkuara nga kjo lëvizje, ndërkohë që grupi i punës po merret gjerësisht me ndryshimet statutore, që pritet të marrin formën përfundimtare në fund të javës që vjen.


Lëvizja për Mendim Ndryshe ka humbur edhe një betejë tjetër brenda partisë, pasi ajo nuk do të mund të organizohet institucionalisht, pas vullnetit të shprehur nga vetë anëtarësia e PS-së përmes një pyetësori.


Të pyetur nëse duhet të legalizohet oponenca kolektive në PS, siç njihen ndryshe fraksionet, rreth 77 përqind e anëtarësisë i është përgjigjur jo.


Ky vullnet i shprehur në këtë sondazh por edhe një paketë e plotë propozimesh, do të paraqiten në formën e një draft-statuti të ri, për t'i diskutuar edhe një herë me strukturat drejtuese të partisë, si dhe për t'i paraqitur më pas për miratim në kongres.


Për këtë qëllim, grupi i punës i ndarë në tre nëngrupe të tjera, po punon për kapitujt e veçantë të statutit. Kështu, njëri grup pune ka përpunuar të dhënat dhe ka hartuar propozimet konkrete, për sa i përket pjesës së dispozitave të përgjithshme të statutit.


Nëngrupi i dytë ka studiuar të dhënat e marra nga pyetësorët dhe ka përgatitur gjithashtu draftin e propozimeve për sa i përket funksionimit dhe organizimit të strukturave lokale të partisë.


Ndërsa grupi i tretë ka përfunduar përkthimin e shifrave të dala nga sondazhi në propozime konkrete për mënyrën e organimizimit dhe funksionimit të strukturave qendrore të partisë.


Të tre nëngrupet kanë shkëmbyer në mbledhjen e fundit të zhvilluar ditën e shtunë raportet e tyre respektive me qëllim që të konsultojnë punën e njeri-tjetrit para se ato të integrohen në një draft të vetëm.


Burime nga ky grup pune kanë bërë të ditur se drafti përfundimtar do të jetë gati brenda të shtunës së ardhshme për t'u paraqitur më pas para strukturave të larta drejtuese të partisë në rang rrethi dhe më pas për t'u miratuar në kryesi, Asamble dhe në fund në kongresin e radhës të partisë që është parashikuar të mblidhet gjatë muajit prill.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›