E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e Veliajt disinformon eurodeputetët

16/06/2011  Historia e sajuar e Griseldës, Doda i tregon Tanja Fajonit të vërtetën

Edhe pse kanë kaluar dy javë nga historia e sajuar nga bashkëshortja e kryebashkiakut të Kavajës Griselda Roshi për shtatzëninë 9-muajshe dhe fëmijën e saj të rrëmbyer, eurodeputetja sllovene Tanja Fajon vijon ta besojë këtë histori. Kjo pasi informacioni i vetëm që ajo ka marrë për këtë histori, që e ka tronditur, është imeili që i kishte dërguar socialisti Erion Veliaj. Ditën e djeshme Fajon ka debatuar në Parlamentin Europian me deputeten shqiptare Mesila Doda në lidhje me këtë ngjarje. Nga ana e saj Doda e ka sqaruar eurodeputeten përfundimisht se historia ishte një sajesë e rëndë e pohuar nga Griselda dhe bashkëshorti i saj. Por ajo që nuk ka bërë Erion Veliaj është dërgimi i një imeili të dytë për të sqaruar edhe zonjën Fajon për këtë çështje.

Situata e krijuar

Delegacioni shqiptar, i ndodhur në Bruksel në takim me eurodeputët gjatë një seance për të drejtat e njeriut në Shqipëri, janë habitur nga deklaratat e eurodeputetes sllovene Tanja Fajon, e cila tha: “Gjendja e të drejtave të njeriut në Shqipëri është shumë e rëndë. Këtu nuk mund të lë pa përmendur rastin e kryetarit të sapozgjedhur të bashkisë së Kavajës, gruaja e të cilit u rrëmbye nga persona të paidentifikuar. Ajo ishte 9-muajshe shtatzënë. Iu nxor fëmija nga barku në mënyrë kanibale dhe u hodh në kanal. Nga shteti shqiptar nuk ka asnjë reagim. Këto janë sinjale të forta se shteti ka gisht në këtë ngjarje dhe në Shqipëri nuk ka drejtësi”, - ishin fjalët e Fajon. Në këtë kohë ndërhyri deputetja shqiptare Mesila Doda, e cila i hodhi poshtë deklaratat e sllovenes. “E nderuar zonja Fajon, më duhet t’ju abdetoj në lidhje me këtë ngjarje. Ka mbi 10 ditë që në të gjithë Shqipërinë e më gjerë e dinë se kjo ishte një histori e sajuar. Sajimin e së cilës e kanë pranuar vetë protagonistët e ngjarjes, edhe Griselda. Madje, kryebashkiaku i ri i Kavajës u ka kërkuar falje të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, - u shpreh Doda. Por debati ka vijuar edhe më tej kur deputetja e PE-së u shpreh se zotëron fakte për vërtetësinë e kësaj ngjarjeje. “Unë këto që po them i kam të bazuara në fakte dhe po të doni ju citoi imeilin e socialistit Erion Veliaj lidhur me këtë ngjarje, që ka informuar jo vetëm vendet e Bashkimit Europian”, - tha Fajon. Ndërkohë reagimi i deputetes demokrate ishte i menjëhershëm. “E nderuar zonja Fajon, Erion Veliaj ka bërë shumë mirë që ka dërguar imeilin e parë, por mendoj se duhet t’ju kishte dërguar me dhjetëra imeile të tjera, ku t’ju bënte të ditur se kjo ngjarje ishte e sajuar”, - tha Mesila Doda. Pas kësaj bisede duket qartë se si e manipulon opinionin e eurodeputetëve të Bashkimit Europian Partia Socialiste. I njëjti skenar është përdorur nga socialistët edhe me liberalizimin e vizave, ku PS-ja alarmoj BE-në se do të kishte mbi 1 milion emigrantë pas heqjes së vizave.

Tanja Fajon

“Rasti i kryetarit të sapozgjedhur të Bashkisë së Kavajës, gruaja e të cilit u rrëmbye nga persona të paidentifikuar. Ajo ishte 9-muajshe shtatzënë, iu nxor fëmija nga barku në mënyrë kanibale dhe u hodh në kanal. Nga shteti shqiptar nuk ka asnjë reagim. Unë këto që po them i kam të bazuara në fakte dhe, po të doni, ju citoi imeilin e socialistit Erion Veliaj lidhur me këtë ngjarje, që ka informuar jo vetëm vendet e BE-së.”

Mesila Doda

“Ka mbi 10 ditë që në të gjithë Shqipërinë e më gjerë e dinë se kjo ishte një histori e sajuar. Sajimin e së cilës e kanë pranuar vetë protagonistët e ngjarjes, edhe Griselda, edhe kryebashkiaku i ri i Kavajës. Erion Veliaj ka bërë shumë mirë që ka dërguar imeilin e parë, por mendoj se duhej t’ju kishte dërguar me dhjetëra imeile të tjera, ku t’ju bënte të ditur se kjo ngjarje ishte e sajuar.”

Deklarata e Kukan

“Rama të pranojë vendimet e institucioneve ligjore”

Në lidhje me situatën e fundit të krijuar në Shqipëri kreu i delegacionit për Europën Juglindore në Parlamentin Europian, Eduard Kukan, theksoi dje se vendimet ligjore të gjykatave duhet të respektohen nga politikanët. Duke lënë të kuptohet se ai ishte një mesazh për kreun e opozitës, Kukan u shpreh dje se “duhet të respektohet vendimi i institucionit që është kompetent për të gjykuar çështjen e zgjedhjeve dhe apeli është se të gjithë duhet ta bëjnë këtë gjë”. Sipas tij, procesi zgjedhor nuk ka mbaruar dhe po vazhdon ende numërimi i votave e do të jetë e rëndësishme që, kur ai të mbarojë, situata politike në Shqipëri të qetësohet. “Unë po e shpresoj vërtet këtë, sepse i kam parë deklaratat e zotit Rama dhe do të citoj vetëm njërën. Ai ka thënë se do të vazhdojë betejën ligjore. Nëse ai vazhdon betejën ligjore, kjo është pozitive. Pra, ankesa para institucioneve përkatëse është shumë e drejtë, po kur ai thotë këtë, duhet gjithashtu të pranojë vendimet e këtyre institucioneve ligjore”, - nënvizoi Kukan, duke theksuar se është e rëndësishme që të dëgjojmë më shumë lajme pozitive për Shqipërinë. Më tej ai shtoi se Shqipëria është duke bërë punë të mirë, sidomos për liberalizimin e vizave. “Nuk ka ankesa që qytetarët shqiptarë po abuzojnë me sistemin, siç është rasti i vendeve të tjera në rajon. Pra, ju mund të bëni gjëra kur doni. Por mungesa e dialogut politik në këtë aspekt asgjë nuk ka ndryshuar”, - u shpreh ai. Në fund Kukan vuri në dukje faktin se është dialogu politik dhe vullneti politik që do të bëjë të mundur ecjen e vendit përpara në integrimin europian. “Ne gjithmonë themi se këtë mungesë dialogu e vuajnë qytetarët e Shqipërisë, ndaj politikanët shqiptarë duhet të vënë interesin e qytetarëve si kryeprioritet. Deri tani nuk ka progres për dialogun politik, pasi qëndrimet janë të kundërta”, - përfundoi Kukan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›