E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në bllok, bie pista e kromit, shpresat te kamerat

16/06/2011  Policia po verifikon konfliktet dhe hasmërinë. Vihen disa numra në përgjim

TIRANE- Zbehet pista e vrasjes së Nadien Zenelit për koncesionet e kromit në Bulqizë. Tre ditë hetime mbi këtë version s’kanë sjellë asnjë provë bindëse që të vërtetonte se krimi i rëndë është kryer për biznesin në Bulqizë që viktima kishte ngritur kohët e fundit. Hetimi i ka drejtuar sytë prokurorëve dhe policisë së Tiranës në disa konflikte të tjera që viktima ka pasur në të kaluarën. Sipas tyre, 32-vjeçari nga Fushë-Kruja rezulton në skedat e policisë si i implikuar në disa ngjarje kriminale dhe hasmërie e për pasojë momentalisht vëmendja më e madhe e grupit të hetimit është përqendruar në verifikimin e të gjithave përplasjeve që viktima ka pasur në të kaluarën dhe kohët e fundit. Nga të dhënat e para që janë administruar në dosjen hetimore, bëhet fjalë për disa konflikte që kanë ndodhur në zonën e Fushë-Krujës, ndërsa për sa i përket atentatorit që ekzekutoi 32-vjeçarin Zeneli, në dosje tregohet se ende nuk ka një emër konkret. “Kemi të bëjmë me një vrasje profesioniste dhe tepër të guximshme. Duke qenë se dhe viktima ishte i armatosur, kjo të shtyn të ngresh dyshime të forta se ai kohët e fundit mund të jetë paralajmëruar për një hakmarrje të mundshme nga kundërshtarët, të cilët duket se kanë pajtuar vrasës me pagesë për ekzekutimin e Nadien Zenelit”,- thanë burimet pranë grupit hetimor. Më tej burimet shtuan se për zbardhjen e çështjes kanë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore, duke filluar nga sekuestrimi i kamerave në dy bizneset që ndodhen afër zonës së krimit, pyetja e rreth 20 dëshmitarëve, si dhe dy personave të plagosur. Ndërkohë që brenda kësaj jave është planifikuar të pyeten edhe familjarët e viktimës, pasi ata mund të kenë dyshimet e tyre se nga kush person mund të ketë ardhur vrasja. Lidhur me vrasjen e biznesmenit punë intensive është duke u kryer edhe për sa i përket mënyrës së grumbullimit të provave nëpërmjet përgjimit të telefonave. Mësohet se rreth 10 numra telefoni që disponohen nga persona që momentalisht janë të dyshuar janë duke u përgjuar. Prokuroria dhe policia ka shpresa se mund të interceptojë ndonjë telefonatë nga ku mund të bjerë në gjurmët e vrasësit që mbrëmjen e ditës së hënë rreth orës 10:00 ekzekutoi me armë zjarri biznesmenin Nadien Zeneli. Gjatë atentatit autori i krimit ka hapur zjarr edhe në drejtim të dy personave që ndodheshin në vendin e krimit Tafa Mandri dhe Bledar Miha, ku nga të shtënat ata mbetën të plagosur lehtë. Ndërkohë që miku i tyre Zeneli ka mbetur i ‘gozhduar’ në karrige nga plumbat që nuk i dhanë mundësi të reagonte me armët e tipit ‘Rossi’ që mbante me vete. Pas kryerjes së krimit autori është larguar me shpejtësi mes blloqeve të pallateve, nga ku ka arritur t’i shpëtojë syrit të efektivave të policisë së kryeqytetit.

Përgjimi dhe videot

Pas vrasjes në zonën e ish-bllokut të shtetasit Nadien Zeneli mësohet se Prokuroria ka dorëzuar në gjykatë disa kërkesa për vënien në përgjim të rreth 10 numrave telefonike, pasi ka dyshime se poseduesit e tyre mund të kenë lidhje me vrasjen. Përgjatë këtyre katër ditëve, kjo praktikë ende nuk ka dhënë ‘fryte’, ndërkaq shpresa të shumta për zbardhjen e vrasjes ekzistojnë dhe tek verifikimi i pamjeve filmike, ku mendohet se ato kanë mundur të fiksojnë autorin, duke qëlluar në drejtim të 32-vjeçarit Nadien Zeneli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›