E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra e sherrit

Drejtori i Galerisë së Arteve përgjigjet ndaj letrës, të cilën dikush nga punëtorët e galerisë ia ka dërguar ministrit të kulturës, duke kërkuar shkarkimin e Spahisë. Ai thotë se kurrë nuk e ka ofenduar asnjë punëtor, por ka kërkuar nga ta që ta respektojnë orarin e punës. Letrën e konsideron jolegjitime, pasi që ajo është e panënshkruar, ndërsa thotë se është zotuar që ta qojë galerinë përpara Nga Alfred Beka më 20 maj 2011 në ora 12:45

Drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës ndihet i sigurt në punën e tij. Fahredin Spahija nuk ka frikë se një letër, të cilën disa punëtorë të galerisë ia kanë dërguar ministrit të kulturës dhe mediave mund ta rrezikojë pozitën e tij si drejtor. Në këtë letër kërkohet nga ministri Memli Krasniqi që ta shkarkojë drejtorin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Aty akuzohet drejtori Spahija se i trajton ata si skllevër, duke i ofenduar dhe duke iu bërtitur.

“Me keqardhje duhet të ju njoftojmë se drejtori ynë i tanishëm nuk ka treguar as minimumin e kulturës së komunikimit me ne, duke na trajtuar si skllevër të tij me ofendime, bërtitma dhe poshtërsi. Pa dashur të zgjerohemi në shembuj banal të sjelljes së tij, të cilët nuk janë të denjë për t’u shënuar në një kërkesë zyrtare, ne punëtorët e Galerisë së Arteve kërkojmë shkarkimin e tij të menjëhershëm”, thuhet në këtë letër, e cila nuk është e nënshkruar nga askush.

Pikërisht për këtë arsye, drejtori i galerisë këtë letër e konsideron të pavlerë. “Në aspektin ligjor kjo është një letër e pavlerë sepse është e panënshkruar”, u shpreh për Express Fahredin Spahija, drejtor i GAK-ut. Ai tha se kërkesa që është bërë në këtë letër është jolegjitime, pasi që, sipas tij, nuk është punëtori që e vlerëson punën e drejtorit dhe punën e institucionit.

“Punëtori i ka obligimet e veta që dalin prej detyrave që i përcaktohen secilit me kontratë. Nëse ndonjë punëtor ka vërejtje të veçantë karshi drejtorit, gjëja e parë që duhet ta bëjë duhet të vijë të drejtori dhe ta shprehë mospajtimin apo brengën e vet karshi sjelljeve të drejtorit. Pastaj natyrisht ka shkallë tjetër nëse drejtori nuk e përfillë kërkesën apo ankesën e punëtorit atëherë është Këshilli Drejtues, që është i ngarkuar prej ministrit që të mbikëqyrë punën e drejtorit. Këta punëtorë asnjëherë nuk e kanë përfillë këtë, asnjëherë nuk kanë shtruar kërkesë apo ankesë karshi punës së drejtorit as tek unë as tek Këshilli Drejtues”, u shpreh Spahija.

Përderisa, sipas tij, këta punëtorë për dy vjet asnjëherë nuk janë ankuar dhe tash menjëherë paskan dalë një varg ankesash karshi drejtorit, për Spahinë kjo tregon apo është indikacion që është diçka që është përgatitur nga jashtë galerisë. Spahia beson se kjo letër ka më shumë lidhje me emrin e tij sesa me pozicionin, mirëpo, nuk e mohon se mund të ketë edhe interesa për të vendosë dikë tjetër në këtë pozitë.

“Ndoshta ka edhe interesa me vendosë dikë që iu shkon për shtati grupeve të caktuara të interesit, mirëpo, unë nuk kam ardhur të krijoj shërbim informativ në galeri, unë kam ardhur të punoj”, shprehet ai, duke theksuar se vetëm njerëzit që veprojnë në errësirë bëjnë apo nxjerrin komunikata të panënshkruara. Kjo, sipas tij, tregon që këta njerëz nuk kanë guxim të dalin dhe t’i thonë problemet haptas.

Lidhur me këtë letër është prononcuar edhe Këshilli Drejtues i GAK-ut, duke dërguar një komunikatë për shtyp, në të cilën thekson se kjo kërkesë nuk ka legjitimitet juridik dhe si e tillë as që do të duhej të shqyrtohej, por për hir të opinionit publik e kulturor, Këshilli drejtues i GAK-ut informon opinionin se asnjëherë nuk ka pranuar asnjë ankesë nga punëtorët e këtij institucioni.

“Si e tillë, kjo kërkesë, e adresuar jashtë logjikës së hierarkisë, me përmbajtje etiketuese dhe me prapavijë që cenon personalitetin dhe autoritetin profesional e moral të drejtorit Fahredin Spahija, duke anashkaluar Këshillin Drejtues, vlerësohet si tendencë për destabilizimin e punës artistike dhe profesionale të GAK-ut”, thuhet në komunikatën e Këshillit Drejtues të GAK-ut.

Ndërkaq, Shasivar Haxhia, këshilltar politik i ministrit të kulturës, u shpreh për Express se në bazë të përgjegjësisë që e ka sekretari permanent dhe drejtori i kulturës do të bisedojnë me drejtorin e galerisë dhe të shohin se ku janë problemet, cilat janë shqetësimet edhe të punëtorëve, por edhe problemet nëse ka drejtori diçka. Ai shtoi se do të bëhet vlerësimi i punës se të gjithë drejtorëve të institucioneve kulturore, por kjo do të ndodhë mbas njëqind ditëshit të parë të ministrisë.
“Do ta bëjmë një vlerësim për të gjithë drejtorët e institucioneve dhe për punën e krejt ministrisë, duke e përfshirë edhe punën e vet kabinetit, por kjo do të bëhet mbas njëqind ditëshit të parë të ministrisë”, tha Haxhia.

Ai mohoi të ketë gisht në këtë letër ministria e kulturës. “Ministria e Kulturës nuk ka gisht në asnjërën prej këtyre kërkesave që kanë ardhur”, tha Haxhia.

Edhe vetë drejtori i galerisë e mohoi faktin se në këtë çështje mund të ketë gisht ministria e kulturës apo ndonjë parti politike.

“E gjithë kjo storie nuk kisha pasur qejf të ketë prapavijë politike sepse jam njeri që jam përpjekur mos me bartë ngjyrime politike në galeri. Për hir të kësaj, ish ministrit Haziri ia pata refuzuar një kërkesë për një ekspozitë të një artisti austriak, të cilën ka dashur ta fusë jashtë programit”, tregon Spahia, duke u zotuar se sa të jetë ai drejtor galerie do të jenë këto parime. “Politika absolutisht s’ka me pasë mundësi të përzihet derisa të jem unë drejtor galerie, sepse jam për komunitetin artistik këtu, nuk jam për me ba politikë”, shtoi ai.

Spahia konsideron se e tërë kjo zhurmë është bërë për shkak se ai ka dashur të vejë rënd në galeri.

“Për dy vjet jam përpjekur t’i dëgjoj hallet e secilit veç e veç, mirëpo, ka punëtor këtu që edhe për dy vjet akoma nuk kanë mundur të adaptohen me kushtet e reja të punës. Ka punëtor që në kohën e ish drejtorit kanë ardhur vetëm e kanë vizituar galerinë për rreth 15 minuta apo gjysmë ore dhe i janë kthyer biznesit privat. Janë dy tre prej tyre. Dhe unë kur kam ardhur e para e punës ka qenë me krijuar një rend të punës sepse absolutisht s’ka pasur. Krahas renovimit të objektit jam munduar me punëtorët e galerisë të krijoj një komunikim normal, një gjuhë të përbashkët, prandaj nuk kam shkruar asnjëherë asnjë ankesë me shkrim ndaj punës së tyre, sepse kam menduar se me komunikim do të zgjidhen të gjitha problemet”, tha Spahia, duke konsideruar se njerëz të caktuar këtu e kanë keqpërdorur këtë sjellje të tij. Ai po ashtu tregon se ka pasur punëtor në galeri që gjithë ditën e lume ka qëndruar në oborr të galerisë dhe është shtrirë duke u rrezitë.

“Unë me kësi kategorie të njerëzve kam pasur punë këtu dhe është dashtë me bindë se ky është institucion kulturor dhe këtu vijnë njerëz ta vizitojnë ekspozitën e caktuar dhe nuk është përshtypje e mirë me pa këdoqoftë në oborr të shtrirë duke u rrezitur”, shprehet ai.

Spahia shton se për dy vjet sa është në pozitën e drejtorit nuk e ka ofenduar askënd. “Ndoshta e kam ngritur zërin, sepse njerëz jemi. Kur punohet ka nervozë, ngritët zëri, mirëpo, me shajt, me ofendu as më pak me pas pretendime me sulmu fizikisht dikë kjo s’ka ndodhë kurrë as s’ka me ndodhë kurrë, sepse përderisa e kam gjuhën si mjet komunikimi s’ka nevojë m’i përdorë mjetet tjera”, theksoi Spahia, duke shtuar se është zotuar ta qojë galerinë përpara.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›