E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preljocaj në Torino rrëfen versionin modern të Borëbardhës

Sensuale, fizik erotik dhe veshjet e dizenjuara nga Jean Paul Gaultier… njerka-mbretëreshë, e shfaqur kështu, e la krejt në hije heroinën e baletit “Borëbardha”, e vënë në skenë nga koreografi shqiptar Angjelin Preljocaj, shfaqje që pas suksesit të mbrëmshëm do të vazhdojë të ngjitet në skenën e Teatrit të Torinos deri më 26 maj. Një Mbretëreshë sensuale me lëvizje erotike dhe një Borëbardhë naive, delikate dhe virgjërore, dy kundërshti femërore në skenën torineze. Koreografi bashkë me 27 balerinët, pjesë e kompanisë, kishte skalitur një Borëbardhë me figura të mrekullueshme koreografike, që lëviznin nën tingujt e muzikës simfonike të Gustav Mahler-it. Lëvizjet skenike dhe kostumografia ishin po kaq të realizuara, sipas stilit francez të Jean Paul Gaultier. Preljocaj i ka mbetur besnik versionit të vëllezërve Grimm, me pak ndryshime që bazohen tek analizat e tij vetjake të simboleve të përrallës. Në versionin e Preljocajt, njerka e ligë është një personazh qendror në baletin e tij. Është e vetmja, të cilën Preljocaj e analizon përmes narcisizmit të saj, por pa hequr dorë nga sensualiteti dhe figura e saj si grua joshëse. Kështu e ka konceptuar edhe dizenjuesi i veshjeve Gaultier, veshjet e të cilës kanë pak stil marsian, sensual dhe të japin imazhin e një gruaje vërtet seksi. Ndërsa Borëbardha ka mbetur ashtu e pafajshme, naive e delikate, me fustanin e bardhë shprehje e pastërtisë së saj. Njerka bëhet personazhi kryesor, e veshur me fustane të ngushtë lëkure të zezë, madhështore, dominuese; është ajo që mbyll baletin me një kërcim solo, si për t’i treguar publikut se ajo e fitoi sfidën kundër Borëbardhës virgjëreshë.

Baleti modern “Borëbardha” është shfaqur premierë në vitin 2008, me një sukses të jashtëzakonshëm, në Bienalen e Danse de Lyon dhe më pas në Paris në Théâtre de Chaillot për dy sezone rresht. Pas tureve në 25 vende të ndryshme të botës, baleti shfaqet në Teatro Regio të Torinos nga 19-26 maj. Koreografi me origjinë shqiptare, një prej eksponentëve më të shquar të ”nouvelle danse” franceze, Angelin Preljocaj prej më shumë se njëzet vjetësh është një krijues origjinal, i ndjeshëm dhe me personalitet të spikatur. Ai vazhdon të befasojë publikun dhe t’i fitojë zemrën kritikëve, për krijimet koreografike sensuale dhe elegante, për origjinalitetin e vënies në skenë. Për shfaqjen “Borëbardha” Preljocaj ngjiti në skenë 27 balerinët e kompanisë së tij, ndërsa skenografinë ia kishte besuar edhe në këtë prezantim skulptorit Thierry Leproust. Muzika e dhjetë simfonive të mrekullueshme të Gustav Mahler ishin kolona zanore e rrëfimit përmes lëvizjeve koreografike të Preljocajt. Në rolet kryesore u ngjiten në skenë Caroline Jaubert, Julien Thibault, Charlotte Siepiora, Nagisa Shirai, Fabrizio Clemente, Patrizia Telleschi etj. Me “Borëbardhën”, Preljocaj ka krijuar një shfaqje magjike dhe të këndshme, një balet të madh bashkëkohor, për t’u eksploruar me familjen, që ka gëzuar më shumë se 150.000 spektatorë në të gjithë botën dhe ka udhëtuar në më shumë se 25 vende. Vetëm disa muaj më parë, ai pushtoi skenën e Balshoit në Moskë me baletin Apokalipsi, një balet modern që ndryshoi faqen e Teatrit Balshoi.

Angjelin Preljocaj u lind në Francë nga prindër shqiptarë më 1957. Para se t’i futej kërcimit bashkëkohor, të cilin e studioi me Karin Ëaehner, filloi të studiojë balet klasik. Më 1980 shkoi të studiojë në Nju Jork me Zena Rommett dhe Merce Cunningham dhe një ndër mësuesit e tij ishte koreografja amerikane Viola Farber. U bashkua me Dominique Bagouet, para se të themelonte kompaninë e tij “Ballet Prejlocaj” në dhjetor 1984. Koreografia e tij e parë për pjesën “Tregu i zi” (Marche Noir) fitoi çmimin e Ministrisë së Kulturës në Francë. Më pas punoi për “Lotët e Bardhë”. Më 1989, kompania e tij shndërrohet në Qendër Koreografike Kombëtare. Produksionet e tij janë bërë pjesë e repertorit të shumë kompanive, si Baleti dhe Opera e Parisit, “La Scala” e Milanos dhe Baleti i Nju Jorkut. Është nderuar me shumë çmime, duke përfshirë Çmimin e Madh Kombëtar të Dancit nga Ministria franceze e Kulturës në vitin 1992, “Benois de la danse” për “Le Parc” në vitin 1995, çmimin “Bessie Aëard” për “Annonciation” më 1997, “Les Victoires de la musique” për “Romeo dhe Zhuljeta” po më 1997, apo “Globi i Kristaltë” për “Borëbardhën” në vitin 2009. Për veprat e tij, i është akorduar titulli Kalorës, ndërsa në 1998 ka marrë titullin Kalorës i Legjionit të Nderit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›