E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra nga Kukësi kundër rubrikës “Antena”

Nga Antena brenda familjes

Një letër e ashpër mbërriti dje në redaksi për drejtorin e gazetës “TemA”. Një qytetar nga Kukësi, i revoltuar pa masë me drejtorin e gazetës, e ka akuzuar atë se ka poshtëruar popullin e Kukësit, pasi, duke u tallur për një vit rresht me Flamurin, ua la në derë si deputet. Ja përmbajtja e letrës.

“Zoti drejtor! E kam pas lexuar me ëndje gazetën tuaj dhe sidomos rubrikën “Antena brenda familjes”. Më dukej shpesh se personazhi juaj kryesor mishëronte gjithë anën komike të partisë në pushtet, por gjithsesi mendoja se ai personazh ishte krijesë e fantazisë suaj. E lexoja shpesh që ju shkruanit se është nga Kukësi, por mendoja se gjithçka ishte humor. Sot jam revoltuar shumë, kur shkova te zyrat e PD dhe mësova të vërtetën.

Zoti drejtor, zotërinj gazetarë. Ju nuk e kuptoni dot se ç’ndodhte në ato zyra. Sapo hyra brenda dhe i përshëndeta, natyrisht që pyetja e parë ishte për deputetët.

Sapo pyeta kush është i pari i listës në Kukës, të gjithë filluan të qeshin dhe shikonin nga njëri-tjetri. Unë nuk e kuptova pse qeshnin dhe i pyeta disa herë rresht. Në fund njëri prej tyre që arriti të qetësohej më shpejt nga e qeshura më tha se ishte ai… Flamuri.

Fillova të qesh dhe unë për një moment duke iu lutur mikut tim të bëhej serioz, dhe të mos qeshnin me të parin e listës, sikur ishte vërtet personazhi i rubrikës suaj.

Por çudia ndodhi, se shoku im u bë serioz menjëherë dhe më tha se, në fakt bëhet fjalë për atë personazh, për të cilin unë dje e mora vesh se qenka real.

Zoti drejtor. Nëse ai personazh është real, nuk ka rëndësi, nëse e ka emrin Feim apo Flamur, por ka shumë rëndësi, se PD ka fyer thellë inteligjencën tonë me atë kandidim. Pasi bëra krahasimin e fotove që ju botoni dhe pamjeve të tij në TV, u binda se është i njëjti person.

Kam vendosur t’u shkruaj këtë letër, për t’ju denoncuar ju si shkaktarë të këtij akti fyes ndaj popullit të Kukësit.

Duke qenë se ju e njihni mirë zotin Berisha dhe veset e tij, ju jeni tallur me popullin e Kukësit duke bërë simbol të budallait një njeri krejt pa vlera. Duke e ditur se zoti Berisha gjithkënd që ju e tallni e ngre në detyrë, unë ju akuzoj ju se keni investuar në mënyrë diabolike të dëmtoni PD në Kukës dhe të fyeni popullin e Kukësit me këtë kandidaturë. Kjo është vepra juaj më e turpshme që keni bërë kundër PD dhe unë si mbështetës i kësaj partie, por dhe populli më gjerë nuk do t’ua falë kurrë këtë. Sido që të sillet ky deputet, sado të heshtë në Kuvend dhe të mos flasë asnjëherë, sado ta këshillojnë që të mos duket në publik, ju siguroj se ai nuk do njihet më si deputet i Kukësit, por si personazhi i rubrikës së “Antenës”. Nuk dua ta banalizoj këtë histori me historinë që tregojnë me Hasan P...., që ia kujtonin dhe pas 20 vitesh një banalitet, por jam i sigurt se ky do mbetet në histori si Flamuri i “Antenës”. Me këtë akt të shëmtuar ju keni denigruar popullin e Kukësit duke i imponuar Berishës dhe PD caktimin e tij si deputet i sigurt në krye të listës së Kukësit.

Nga ana tjetër, na keni fyer dyfish duke na hequr dy deputetët ekzistues, të cilët kishin plot të meta, por nuk mund të krahasohen me këtë që na sollët. Ne e dimë se Kukësi me Tropojën nuk kanë shkuar kurrë mirë, por nuk na ka shkuar kurrë në mendje që Berisha të na fyente kaq keq, duke na ofruar si përfaqësues të Kukësit Flamurin e “Antenës”. Ju siguroj se ky njeri, dhe nëse do flasë ndonjëherë për ndonjë tragjedi, njerëzit do qeshin, dhe nëse do flasë ndonjëherë për ligje, njerëzit do qeshin, madje dhe nëse do flasë për hallet e Kukësit, prapë do qeshin. Ju na keni hequr ne të drejtën të kemi një përfaqësues serioz në Kuvend, dhe këtë nuk do t’ua harrojmë kurrë.

Pa respekt, Zeneli”

Drejtori i gazetës e mori letrën dhe u mat t’i përgjigjej. Por duke menduar se shqetësimi i zotërisë Zenel ishte shumë serioz, vendosi ta botojë te kjo rubrikë, e cila ndiqet me shumë vëmendje në Kukës. Sa për përgjigje, drejtori vendosi t’i shkruajë vetëm pak fjalë.

“I nderuar zoti Zenel!

Gazeta jonë nuk ka pasur qëllim të fyejë popullin e Kukësit dhe as të nxitë zotin Berisha të vendosë deputet Flamurin. Përzgjedhja e tij si personazh humori është bërë, jo vetëm për shkak të nivelit të tij qesharak, por mbi të gjitha për shkak të vendimit qesharak që për katër vite PD të kishte atë si qendër pushteti. Në përpjekje për të dëshmuar se PD po ekzekutonte pushtetin në mënyrë qesharake duke mbyllur partinë dhe duke deleguar pushtetin te një njeri i tillë, ne kemi dashur thjesht të përshkruajmë atë që ndodhi për katër vite. Fakti që zoti Berisha e quan sukses këtë mënyrë të bllokimit të pushtetit në PD dhe po vazhdon ta shtrijë këtë metodë dhe te lista e deputetëve, do të thotë se ne thjesht kemi zbuluar më të mirin e Berishës në pushtet. Ky është Flamuri. Gjithë të tjerët, ata që u përjashtuan, nga Ngjela e deri te Mustafaj e Zogaj, nga Imami e deri te Bojaxhiu, nuk i plotësojnë standardet për të qenë pjesë e këtij pushteti qesharak, ndaj dhe janë eliminuar. Për këtë arsye, ju lutem mos e merrni për fyerje që kemi zbuluar Flamurin, por merreni seriozisht anën qesharake të pushtetit të Berishës.”

Redaktori i rubrikës së “Antenës” i lexoi me vëmendje të dy letrat dhe turfulloi.

“Ky Flamuri, mirë që prishi PD, por na prishi dhe rubrikën, - tha - se sot më duhet të botoj në rubrikën e humorit dy letra serioze”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›