E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e PD dhe “Shpirtra të Vdekur” i Gogolit

Nga Besnik Gjongecaj

Erdhi dita që lista e kandidatëve për deputetë të PD u bë reale, u shndërrua nga ëndërr në fakt, tamam në minutën e fundit, gati-gati në kohën në të cilën pothuajse dukej sikur nuk do të shfaqej kurrë. Saktësisht në atë kohë ngrinë iluzionet e shumë njerëzve që pretendonin të ishin në atë listë, ashtu sikundër duar që s’kanë bërë gjë tjetër në jetën e tyre, vazhduan të fërkohen, më shumë se kurrë, poshtë tavolinës dhe me njëra-tjetrën. Këtë radhë fërkoheshin nga gëzimi se ishin në listë dhe jo për të zbuluar se cilës dorë i vjen për t’u kruar dhe mbi këtë bazë, sipas një besëtytnie të vjetër, të përcaktonin nëse do të merrnin apo do të jepnin pará. Gjithsesi, nuk ishin larg këtij rituali. Varësisht nga dora që kruhej dhe nga dora që i binte të kruante, mundoheshin të përcaktonin, jo faktin se a ishin borxhlinj apo jo, pasi e dinin që ishin të tillë dhe kjo çështje ishte jashtë çdo diskutimi. Ajo që mbetej për t’u përcaktuar ishte se sa i madh ishte nderi i bërë dhe që duhej kthyer, pra, sa afër majës së listës i binte të ishin në raport me situatën në terren. Sa afër fitores, sa afër derës së parlamentit të ardhshëm ishin. Të ndërgjegjshëm se për ta zbuluar këtë mund të shërbente thjesht një analizë, ku të merrnin në shqyrtim faktorët relevantë që do të ndikonin në fushatë, ata e refuzonin menjëherë analizën, pa asnjë lloj hezitimi, ndërsa e kruara e duarve hynte në faza gati përgjakjeje. Ata vetë ishin thirrur në listën e PD pa asnjë analizë, pa asnjë studim faktorësh, kriteresh, pa kurrfarë standardi, jashtë çdo konkurrimi, madje jashtë çdo procesi, prandaj ç’hynte analiza këtu. Ishte e qartë që madhësia e “nderit për t’u kthyer” duhej përcaktuar jashtë çdo arsyetimi, ashtu si në fakt e meritonte. Ta përcaktonin, për shembull, nga eksitimi i kruarjes, nga duart, madje, më saktë se gjithçka tjetër, ta përcaktonin nga instinkti. Instinkti se shpërblimi i takon atij që të ka bërë nderin, përgatitësit të listës, pra kryetarit të partisë. Të tjerët rreth tij nuk meritojnë asgjë, sepse kështu thotë instinkti. Nuk meriton as vetvetja, pra ti vetë si kandidat nuk meriton asgjë, vlerat e tua, nëse ke të tilla, nuk meritojnë asgjë, eksperienca është nul, sepse në fakt vetëm dëm mund të të sjellë. Aq më shumë nuk meriton populli, i cili të jep vërtet votën, por vetëm nëse i thotë përgatitësi i listës. Madhësia e nderit të bërë është e qartë dhe kthimi i tij është po aq i qartë. Është si një tregti në natyrë, me klering. Më fute në listë ti, d.m.th., kryetari i partisë dhe përgatitësi i listës, atëherë unë, i futuri në listë, do të të votoj ty o kryetar, kur të më vijë radha. Do të të mbështes ty, sido që të vijë puna, çfarëdo problemesh që të kesh, edhe nëse zgjidhja e tyre bëhet në rrugë të paligjshme. Do të bëj gjithçka që do ti: do bëj si zog, si kukumjaçkë, si derr, si tigër, si nevrik, si i qetë, si garip, i pafajshëm si Krishti. Do të flas si të duash ti, në të gjitha gjuhët që s’kanë vdekur ende, madje edhe në të vdekurat, po të ma kërkosh. Edhe gjuhën e qukapikut do të flas, në të gjitha variacionet, “dialektet”, notat. Madje, nëse do të ma kërkosh, unë, i futuri në listë, do të hesht, përkohësisht. Por, nëse do të më kërkosh të hesht përgjithmonë, edhe këtë mund ta bëj, duke prerë gjuhën, si eunukët tridhnin organin, dhe në vend të fjalës do të përdor gjestet, figurat, me gishtat e mi të skuqur nga kruarja që s’pushon. Kjo gjë do të më bënte edhe parlamentarin më të rrallë në krejt jetën politike të planetit, folësin që nuk flet, çka, sigurisht, s’kam se si të mos e pranoj.

***

Ligji zgjedhor që i jep kryetarit të partisë autoritetin e përgatitjes dhe miratimit të listës së kandidatëve për deputet, i kombinuar me autoritarizmin jo-natyror, absolutisht jashtë çdo përfytyrimi demokratik, që zotëronte deri më sot kryetari i PD edhe pa këtë ligj, e çoi me shpejtësi PD në kufirin më të ulët të ekzistencës së saj demokratike, në kufirin ku pothuajse asgjë domethënëse nuk e ndan më nga një parti e tipit leninist, pra në alarmin më të madh të krejt ekzistencës së saj. Është e vërtetë që nuk ka likuidime fizike, vrasje pas shpine, internime, harresë fizike emrash, por të tjerat janë njësoj: një autoritet absolut i kryetarit të partisë, për rrjedhojë një përjashtim i plotë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të kësaj fjale, i anëtarëve të PD nga hapësira vendimmarrëse; mbështjellja e gjithçkaje që ndodh me një pëlhurë të trashë, nëpër të cilën askush nuk mund të shohë se ç’po ndodh dhe se si po merren vendimet brenda partisë; ndëshkimi fare brutal i të gjithë atyre që guxojnë të kritikojnë apo të paraqesin një mendim që sado pak është ndryshe nga qëndrimi zyrtar ose i supozuar si i tillë; dhe në krye të të gjithave, një shërbim i fshehtë, gati konspirativ, hijes mbimbuluese të së cilit nuk mund t’i shpëtojë askush, në asnjë kafene, në asnjë sallë konferencash, në asnjë holl, në asnjë restorant.

Kjo nuk është në fakt e keqja më e madhe. Ajo fillon dhe shfaq dimensionet e saj tronditëse, atëherë kur kupton që një stil i tillë drejtimi nuk ka mbetur i izoluar, por ka infiltruar në të gjitha nivelet e shoqërisë, gjithkund ku ka një zyrë dhe gjithkund ku ka një shef dhe ç’është më e keqja, është shndërruar në kulturën antidemokratike të centralizmit, që ka pushtuar dhe po pushton krejt shoqërinë. Ky model i drejtimit të punëve, kjo kulturë antidemokratike, nuk ka tharë vetëm PD, por po than, kallkanizon krejt shoqërinë shqiptare, sepse po përjashton gjithmonë e më shumë shqiptarët nga qeverisja e Shqipërisë.

Përfundimisht, sjellja jodemokratike e PD, rrëshqitja e saj në autoritarizëm ekstrem ka kohë që ka fshirë edhe iluzionin se atje ku është ajo mund të ndërtohet e djathta shqiptare. Nuk mund të ketë parti të djathtë, pa qenë para së gjithash një parti e demokratizuar. Ngurtësimi autoritarist i PD ka prishur në fakt balancën politike në vend. Aspiratat e një politike të djathtë, të mbartur nga shumë qytetarë dhe intelektualë shqiptarë, kanë mbetur të parealizuara, sepse akoma nuk ka një strukturë partiake që t’i materializojë ato në zhvillimin e vendit.

***

Është tamam koha që demokratët shqiptarë të kenë një plan. Një plan të përgatitur me kujdes dhe që do të përmbushë një mision të dyfishtë: ndërtimin e një partie realisht demokratike, qartësisht të distancuar nga drejtuesit e sotëm të PD, por jo nga demokratët e vërtetë brenda ose jashtë PD ekzistuese, dhe në themelet e saj t’i japë jetë ideve të djathta për zhvillimin e Shqipërisë. Këtë gjë nuk mund ta bëjë PD e sotme, dhe aq më shumë, as forca e saj parlamentare që del prej këtyre zgjedhjeve. As më shumë dhe as më pak, grupi parlamentar i PD që pritet të formohet pas zgjedhjeve, nga një listë partiake, do të shndërrohet në një tjetër listë, në një listë parlamentare. Njësoj si në regjistrat e feudalëve rusë, ku figuronin emra punëtorësh që prej kohësh nuk punonin më, sepse prej kohësh nuk ishin më në jetë. Për ta duhet t’i paguhej taksë shtetit, megjithatë. Një listë që ka kosto, por jo vlerë. Thjesht një listë, me emra të rreshtuar, pa profile politike në rastin e parlamentit shqiptar dhe pa profile njerëzore, pra thjesht shpirtra, si në rastin e Rusisë së shekullit 19, që aq mjeshtërisht e përshkruan Gogol në librin e tij “Shpirtra të Vdekur”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›