Lista e PS, Rama përzien “politikën e re” me “të vjetrën”
Kryetari i PS, Edi Rama, prezantoi dje 140 kandidatë të PS në 12 qarqe, një listë, përbërja e së cilës duket se është e balancuar sa i përket politikës së re dhe asaj që Edi Rama e ka quajtur politikë e vjetër. Rreth 25 deputetë aktualë të PS kanë mbetur në listën fituese të PS për zgjedhjet e 28 qershorit. Ata shoqërohen nga disa emra të tjerë të rinj që i përkasin pikërisht asaj që Rama e quan politikë e re. Sa i përket kandidatëve, kreu i PS tha dje se 140 kandidatët që përfaqësojnë PS në të gjithë territorin, janë 100 juristë, ekonomistë, arsimtarë dhe mjekë. Rama tha se mbi 30% e listës janë me grada shkencore dhe mbi 50% me kualifikime pasuniversitare. “Këto janë statistika që mund të thonë pak. Ndërkohë që statistikat më të rëndësishme janë ato që lidhen jo me tërësinë e listës, por me grupin e ardhshëm parlamentar. Fokusi ynë te cilësia e parlamentit të ardhshëm ka diktuar edhe zgjedhjet tona duke i bërë llogaritë për spektrin e përfaqësimit të PS në parlament, bazuar në një numër 72-75 deputetë dhe mbi këtë numër ne do të kemi një grup parlamentar me 20% gra. Kjo është një e dhënë mjaft domethënëse, për faktin se i ofrojmë zgjedhësve dhe zgjedhëseve më 28 qershor, jo lista ku gratë dhe vajzat janë aty për të plotësuar 30% për të shkuar në parlament, por një ofertë, e cila nesër do të çojë në parlament 20% gra që do të jenë pjesë e grupit tonë parlamentar. Nga ana tjetër, dua të vë theksin te një tjetër e dhënë. 25% e grupit tonë të ri parlamentar do të jenë juristë, 16% ekonomistë dhe 27% arsimtarë. Edhe këto, bazuar jo në llogarinë e përgjithshme të listës, por në numrin deputetëve që ne do të kemi në parlament. 30% e grupit tonë të ri parlamentar janë deputetë që rikonfirmohen duke garantuar eksperiencë të çmuar për sfida të reja dhe 70% janë deputetë që do të hyjnë për herë të parë në parlament duke sjellë ide dhe energji të reja”, - tha Rama. Bashkë me ish-kryetarin e PS, Fatos Nano, jashtë listës së kandidatëve për deputetë të PS kanë mbetur nënkryetari aktual i Kuvendit, Ylli Bufi, bashkë me tetë deputetë të tjerë të PS. Musa Ulqini, Stefan Çipa, Flamur Hoxha, Rrapush Tola, Elmaz Sherifi, Rajmonda Stefa.
Më poshtë janë disa nga përgjigjet që Rama dha dje para medieve për kandidatët.
A besoni se do të jetë disi i disavantazhuar grupi i ri parlamentar i socialistëve, teksa kryetarin e partisë mund të mos ta ketë në parlament?
Dua të theksoj se unë jam shumë krenar, që sot PS prezanton në listën e saj më të madhe, që është lista e kryeqytetit, si numrin 1, një zonjë, që është përfaqësuese e shoqërisë civile. Por unë do ta përkufizoja vetëm kaq: është përfaqësuese e qytetarisë së re shqiptare, një qytetarie aktive, e cila duhet të ketë dhe falë këtij angazhimi tonë dhe të saj (Vasilika Hysi) gjithmonë e më shumë pjesë në këtë politikë të re, që sot është politika jonë e re, por që me siguri nesër do të jetë politika e re edhe e të tjerëve. Unë jam në një kontratë me popullin e kryeqytetit, kontratë që unë dëshiroj ta vë përpara qytetarëve të Tiranës, duke pritur që ata ta vendosin, nëse unë duhet të jem, siç unë mendoj e siç ne mendojmë, njeriu që duhet të drejtojë vendin, për t’i sjellë edhe Tiranës një shpejtësi të re transformuese e për t'u dhënë qytetarëve të Tiranës pa dallim të gjitha ato të mira që një qeverisje e mirë mund të sjellë dhe që për fat të keq ata nuk i kanë për shkak të keqqeverisjes. E nga ana tjetër për të krijuar një sinergji si asnjëherë më parë mes qeverisë kombëtare dhe qeverisë vendore të Tiranës në të mirë të qytetarëve të Tiranës. Unë jam këtu për ta bërë këtë në krye të këtij ekipi. Për ta bërë këtë si një qytetar, që insistoj nuk jam politikan. Jam këtu për një mision që unë e ndjej si misionin tim, e të cilin janë qytetarët e Tiranës apo gjithë Shqipërisë që e zgjasin apo e shkurtojnë. Nuk dua që nesër në parlamentin e Shqipërisë të ketë karrige bosh, për të cilat njerëzit kanë votuar e në të cilat nuk duken për javë e muaj me radhë as kryeministri e as ministrat. Por dua që nesër në atë karrige, që për shkak të angazhimeve të mia si kryeministër, do të mbetej bosh, të jetë gjithmonë dikush që përfaqëson qytetarët e qytetaret, që trajton çështjet e tyre, dhe që i jep rrugë problemeve të tyre duke bërë ligje të mira. Unë do të jem një kryeministër i një lloji të ri dhe do ta bëj detyrën time në një mënyrë krejt të re, me njerëzit dhe për njerëzit, jo me fjalë, por me prani, aty ku njerëzit jetojnë, aty ku problemet vazhdojnë të trashëgohen dhe kërkojnë zgjidhje dhe aty ku unë besoj se do të lindë Shqipëria e re, për të cilën të gjithë ne jemi të angazhuar nga përfshirja e njerëzve në procesin qeverisës. Për sa i përket çështjes për zbritjen në fushën e betejës, unë jam në fushën e betejës. Nuk shikoj asnjë kundërshti mes vazhdimit të një detyre, për të cilën qytetarët e qytetaret e Tiranës me kanë ngarkuar dhe çuarjes përpara të një misioni që së bashku me këta burra e gra këtu dhe me të tjerë që s’janë këtu, kemi vendosur ta bëjmë një mision të të gjithëve për një Shqipëri që të ketë më në fund një shtet të të gjithëve.
Si e shpjegoni faktin që në listat e PS nuk është përfshirë as emri i ish-presidentit Meidani dhe as emri i ish-kryetarit Nano? Dhe së dyti, a do të jepni dorëheqjen, në rast se populli do t’iu votë-besonte për kryeministër?
Unë pa asnjë dyshim jam këtu në këtë sfidë për të udhëhequr këtë skuadër fituese dhe për të marrë mandatin e kryeministrit për të qeverisur Shqipërinë dhe Tiranën bashkë me gjithë Shqipërinë, në bashkëpunim me kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, i cili do të jetë kryetari i bashkisë që ne do t’i propozojmë kryeqytetit. Mos harroni edhe një element tjetër. Në rast se unë do të ndërprisja në mënyrë unilaterale kontratën me qytetarët e qytetaret e Tiranës për të futur emrin tim në listën për deputetë, e përsëris, për të lënë bosh nesër një vend për shkak të detyrimeve si kryeministër, do të duhej që Tirana të zhvillonte zgjedhje, tani dhe në po atë ditë, plus minus disa ditë. Kjo do të ishte e padrejtë dhe krejt e panevojshme për qytetarët e Tiranës dhe në aspektin e specifikës që ka ky proces dhe në domosdoshmërinë që zgjedhjet në Tiranë të marrin hapësirën e vëmendjes që meritojnë dhe që qytetarët e qytetaret të mos kenë mbivendosje në trajtimin e problematikës zgjedhore dhe në gjykimin e forcave që sot janë në terren për qeverinë kombëtare dhe nuk janë në terren për Bashkinë e Tiranës, pavarësisht se për fat të keq në mungesë argumentesh dhe në një krizë e një alternativë qeverisëse tanimë të provuar, shumica aktuale është e para në historinë e demokracisë që zhvillon një fushatë për zgjedhje kombëtare duke u marrë me probleme të natyrës lokale.
Për sa i përket pyetjes tjetër; Fatos Nano i ka kthyer kurrizin PS dhe listat e deputeteve nuk janë lista që bëjnë vlerësime historike, por janë lista që përfaqësojnë skuadra që angazhohen për të ardhmen. Është vërtet për të ardhur keq dhe unë jam shumë i keqardhur që Fatos Nano është i vetmi ish-kryetar i një partie, që bën thirrje për të mos votuar partinë e tij. Por ky është problemi i tij, projekti ynë i ri politik është një projekt që zhvillohet mbi bazën e garancive për të ardhmen dhe jo vlerësimeve për të shkuarën.
Po hyni në zgjedhje me shumë kritika për infrastrukturën zgjedhore. A ka PS një skenar në lidhje me kartat e identitetit, dhe pas zgjedhjeve a keni menduar për koalicione paszgjedhore apo do synoni atë numër prej 72-75 deputetësh që përmendët në fillim?
PS është e përgatitur për t’i fituar këto zgjedhje me një program të ri, me një ekip të ri dhe me një lider të ri. Kur them jemi të përgatitur në këtë aspekt, ju siguroj se jemi të përgatitur dhe në aspektin tjetër. Askush nuk do të mund të deformojë vullnetin e popullit shqiptar më 28 qershor. Shqiptarët e shqiptaret do të votojnë, ashtu siç ata e dëshirojnë dhe kundër dëshirës së tyre nuk do mund të shkojë askush. Ne do të mbrojmë me çdo kusht shprehjen e vullnetit të lirë të popullit shqiptar. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet me këtë koalicion dhe do të qeverisim me këtë koalicion.
Do të jetë ekzekutivi Rama i ndarë nga legjislativi?
Kjo do të jetë e harmonizuar. Është hapi i parë i një reforme që unë e gjykoj si të nevojshme për vendin tonë, për t’i dhënë parlamentit rolin e parlamentit dhe ekzekutivit rolin e ekzekutivit, por është një reformë që do të kërkojë disa hapa. Unë po bëj hapin e parë, një kryeministër që përfaqëson në parlament ekzekutivin dhe që nuk lë për asnjë sekondë bosh karrigen e përfaqësuesit të popullit në parlament, e ndërkohë nuk lë për asnjë sekondë bosh vendin e tij pranë njerëzve në realitetet shumë të vështira të Shqipërisë së sotme, ku ne do të çojmë qeverinë. Ne do ta çojmë qeverinë te njerëzit në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. Vendimet tona do të jenë vendime që do të merren me qytetarët e këtij vendi. Vetëm kështu do ta transformojmë politikën dhe qeverisjen në Shqipëri. Vetëm kështu mund të kemi ligje të mira dhe vendime të drejta.
Në lista ka disa emra që janë humbës në zgjedhjet e 2005, ndërkohë që dhe Ylli Bufi është jashtë liste. Çfarë kriteresh janë harmonizuar në këto përzgjedhje dhe sa mund të garantojnë fitoren këta kandidatë që kanë humbur në 2005?
Sigurisht që mund të shikohet problemi dhe nga kjo anë, por besoj se është këndvështrim i gabuar. Në ekipet tona kemi njerëz që garantojnë një skuadër me eksperiencë dhe me energji të reja. Ky është kriteri bazë. Mbi këtë kriter ne pastaj kemi ngritur ekipe që garantojnë një përfaqësim sa më të harmonizuar të komuniteteve në të gjithë territorin dhe të interesave të këtyre komuniteteve e të grupeve të ndryshme të interesit. Nuk ka pasur në këndvështrimin tonë një kriter kualifikues apo skualifikues bazuar në rezultate individuale në gara të mëparshme. Sigurisht, ka patur një vëmendje për të vlerësuar performancën e gjithsecilit, kudo.
Nëse nuk i keni votat e nevojshme, do të bashkoheni pas zgjedhjeve me LSI?
Ne nuk jemi këtu për të hedhur fall. Ne jemi këtu për të thënë, kemi një program të ri, kemi një skuadër të re, kemi një vizion të ri dhe zgjidhje të reja për Shqipërinë dhe për shqiptarët. Për të gjitha këto arsye ne besojmë se, jo vetëm kemi ofertën më të mirë, por edhe se shumica e shqiptarëve e shohin ofertën tonë si më të mirën, gjë që do na çojë në qeverisjen e vendit me një shumicë, e cila do ketë të gjitha mundësitë për t’i bërë realitet angazhimet e marra.
Si e shpjegoni faktin që ish-presidenti Meidani nuk është në listat e PS, ndërkohë që pak ditë më parë ishit në krah të tij?
Pa asnjë dyshim presidenti Meidani gëzon respektin tim më të lartë. Por lejomëni t’ju them se nga njëra anë, në Evropën ku ne duam të integrohemi, krerët e shtetit kanë vend në Senat dhe jo në Dhomën e Ulët të përfaqësimit. Ne nuk e kemi Senatin, në rast se do të kishim Senat, pa asnjë dyshim presidenti Meidani do të ishte një senator i nderuar. Nga ana tjetër, ju siguroj se kontributi i presidentit Meidani dhe marrëdhënia e tij me PS dhe PS me të dhe marrëdhënia mes meje e tij, nuk janë të kondicionuara nga listat e deputetëve.
Lista zyrtare e kandidatëve të PS
Tiranë
Vasilika Hysi
Besnik Baraj
Kastriot Islami
Saimir Tahiri
Fatmir Xhafaj
Andis Harasani
Ditmir Bushati
Eglantina Gjermeni
Namik Dokle
Enkelejda Shkreli
Eduard Shalsi
Xhemal Qefalia
Dashamir Peza
Ilir Gjoni
Artan Gaçi
Auron Tare
Elisa Spiropali
Artan Lame
Sefer Dervishi
Bledar Çuçi
Ibrahim Kalemi
Shpëtim Cami
Naim Asllani
Mehmet Hasalami
Diana Ndrenika
Sokol Kraja
Sulë Cara
Gerta Lubonja
Ilirjan Mihali
Bledar Doracaj
Gert Janaqi
Abdyl Sarja
Berat
Erion Braçe
Fidel Ylli
Ermonela Velaj
Marko Bello
Eduard Bejko
Selman Hodaj
Anila Agalliu
Valbona Zylyftari
Dibër
Sadri Abazi
Qemal Minxhozi
Ylli Manjani
Ulsi Manja
Hamdie Beqiri
Adelina Farriçi
Durrës
Blendi Klosi
Rudina Seseri
Hazir Gashi
Gazmir Bizhga
Klodiana Spahiu
Gjon Bardhi
Edison Konomi
Ali Dobroshi
Ismail Dani
Gazmend Kabashi
Rolant Xhelilaj
Ledion Lako
Gëzim Agasi
Elbasan
Valentina Leskaj
Ilir Bejtja
Shegushe Ligori
Taulant Balla
Damian Gjiknuri
Agim Leka
Skënder Hasa
Kastriot Belshi
Arben Kamani
Isa Qatja
Astrit Halili
Bukurosh Maçi
Ndriçim Hysa
Luljeta Dollani
Fier
Gramoz Ruçi
Ermelinda Meksi
Albert Çaçi
Fatos Tushe
Armando Subashi
Bashkim Fino
Ervin Koçi
Arben Çuko
Piro Lutaj
Arion Muçaj
Anduel Xhindi
Bujar Çela
Alma Bejtaj
Gentian Nushi
Pajtim Isufaj
Fredi Kokoneshi
Gjirokastër
Arta Dade
Vangjel Tavo
Ethem Ruka
Elvira Shapllo
Kristaq Kristani
Korçë
Ben Blushi
Pandeli Majko
Mimi Kodheli
Alfred Dalipi
Arben Ahmetaj
Olta Xhaçka
Irena Kallço
Arben Rroko
Demir Agastra
Bashkim Hazisllari
Tatiana Selenica
Ilir Xhakolli
Kukës
Asllan Dogjani
Fatmir Hoxhaj
Rexhep Ukperaj
Tatjana Kërxhaliu
Lezhë
Gjok Jaku
Gjovalin Kadeli
Armando Prenga
Ndrec Deda
Dave Gjoka
Manushaqe Kuli
Fran Marku
Shkodër
Ilir Beqja
Tom Doshi
Ndue Kola
Astrit Beci
Paulina Hoxha
Helidon Bele
Nikolin Dedvukaj
Falma Fshazi
Agim Shimaj
Luan Heta
Arta Gjonaj
Vlorë
Arben Isaraj
Luiza Xhuvani
Arben Malaj
Shpëtim Idrizi
Eltar Deda
Fatmir Toçi
Kosta Barjaba
Mira Shehu
Gëzim Tushi
Rajmonda Gjoni
Edmond Leka
Valbona Derhemi
Deputetët që nuk kandidojnë
Fatos Nano
Ylli Bufi
Musa Ulqini
Besnik Dervishi
Stefan Cipa
Flamur Hoxha
Rrapush Tola
Elmaz Sherifi
Rajmonda Stefa
Veliaj: Rruga Durrës-Kukës po sponsorizon dhe rrugën Tiranë-Vjenë
Drejtuesi i Lëvizjes G99, Erion Veliaj, komentoi dje sulmet e ish-kryetarit të PS, Fatos Nano, ndaj kryetarit aktual, Edi Rama.
Veliaj tha se Berisha sponsorizon këto dalje të Nanos.
“Ajo që ndodhi dje është që pamë që Fatos Nano vizitoi sërish Shqipërinë. Në këto katër vjet Shqipëria është vizituar më shumë nga kryeministra italianë sesa nga ish-kryeministri i saj. Ajo që pamë dje ishte qesharake dhe ishte një fyerje ndaj të rinjve shqiptarë, të cilëve sërish iu ofrohet e njëjta gjellë politike, të cilën e kanë gatuar këta politikanë dhe me të cilën jemi ushqyer këto 18 vitet e fundit. Ajo që ndodhi është që fantazma e politikës së vjetër e quajtur Fatos Nano e vizitoi Shqipërinë në një moment kritik, momentin më kritik kur shqiptarët do të duhet të vendosin midis hapjes së një kapitulli të ri apo ndjekjes së një politike të vjetër dhe në fakt ka ardhur në momentin më të mirë, sepse na qartësoi të gjithëve se çfarë përfaqëson në thelb politika e vjetër e zotit Fatos Nano dhe zotit Sali Berisha”, - tha Veliaj.
“Dua t’ju kujtoj që zoti Fatos Nano rëndom, sa herë që i mbarojnë paratë, vjen dhe vihet në shërbim të Sali Berishës. Rruga Durrës-Kukës shpeshherë financon dhe rrugët Tiranë-Vjenë dhe sa herë që zoti Berisha është i dëshpëruar dhe ndjen fundin e tij të mjerë thërret në ndihmë kamerdaren e tij të preferuar të shpëtimit, zotin Fatos Nano. Sërish këtu ka një lajm të mirë: sa herë që zoti Fatos Nano ofrohet t’i shërbejë Sali Berishës, ky i fundit humbet. E kemi parë që alkoolizohej me kandidatin e PD për Tiranën dhe ky e humbi thellësisht betejën. Rikthimi i politikës së alkoolit dhe të ruletës dhe bixhozit është një lajm i mirë për shqiptarët, është një lajm inkurajues, sepse tregon dëshpërimin maksimal, ku këto dy gërmadha morale, zoti Berisha dhe zoti Nano, gjenden dhe që i ka kapluar nga shqiptarët e një Shqipërie të re”, - vijoi kreu i G99.
Veliaj komentoi dhe akuzat e Nanos ndaj G99.
“Ne sot jemi gjithashtu të zhgënjyer që ish-kryeministri i vendit nuk shqiptoi asnjë rrokje, asnjë rrokje të vetme kritike ndaj qeverisë Berisha. Ku ishte ky zotëri, kur ndodhi Gërdeci? Ky ishte ky zotëri, kur shqiptarët kishin nevojë për inkurajim, kishin nevojë për iniciativa ligjore të rëndësishme, kishin nevojë për avokati nga liderët e tyre politikë? Kjo telenovelë, kjo sapun-opera që po vazhdon prej shumë kohësh dje pati aktin e vet të fundit dhe më të shëmtuarin”, - tha Veliaj.