Durrës, vetëdorëzohet në polici pronari i lokal "Drenicës"
DURRES - Vetëdorëzohet në mesnatë Gani Kapiti, i akuzuar për vrasjen e 39-vjeçarit shijakas, Agron Bodlli. Burimet policore saktësuan se Kapiti kishte vendosur të dorëzohej me vullnetin e tij, ndonëse në rrethanat e vetëdorëzimit kanë ndikuar edhe tratativat e shumta të policisë me familjarët e tij më të ngushtë. Gani Kapiti, 50 vjeç është pronar i lokalit "Drenica", i cili ndodhet në shëtitoren "Pavarësia" të plazhit të Durrësit. Ai u shpall person në kërkim nga policia e Durrësit, pak orë pasi hetuesit zbardhën mekanizmin e ngjarjes. Pas kërkimeve intensive që zgjatën më shumë se 48 orë, policia nuk arriti dot të kapte Kapitin, ndërkohë që hetuesit nisën negociata të shumta me familjarët, për të bindur 50-vjeçarin të shkojë vullnetarisht në qeli. Nuk dihet ende se ku i ka kaluar Kapiti orët e arratisë dhe ky detaj mund të zbardhet në ditët në vijim. Konflikti mes dy familjeve kishte javë që kish nisur, kur kantieri i ri i hapur nga Bodlli kishte krijuar të çara në muret e lokalit ngjitur, "Drenicës". Masat gjysmake të marra nga Inspektorati i Ndërtimit, distancat e dyshimta mes dy objekteve, si dhe paaftësia e shtetit për të zgjidhur çështjen shkaktoi sërish gjakderdhje me motiv pronësie në Durrës.