E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Xhindit, familjarët akuzojnë shtetin për moszbardhjen e ngjarjes

Nga Bledar Lumani

Familjarët e deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, i vrarë 19 ditë më parë, kanë akuzuar strukturat shtetërore se po pengojnë qëllimisht zbardhjen e motiveve dhe autorëve të vrasjes. Në një letër drejtuar institucioneve më të larta të shtetit, ata kanë kërkuar angazhimin e këtyre të fundit për zgjidhjen e kësaj çështjeje. I menjëhershëm ka qenë reagimi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, i cili deklaroi se autorët do të vihen shumë shpejt para drejtësisë dhe do të marrin ndëshkimin e merituar.

Letra

Duke qenë se ka plot tri javë që deputeti i PS, Fatmir Xhindi, është vrarë dhe gjatë kësaj kohe nuk janë gjendur ende autorët dhe motivet e ekzekutimit, familjarët e viktimës janë shprehur dje të revoltuar me punën e dobët të policisë dhe paaftësinë e saj. Për këtë arsye ata i kanë shkruar një letër Presidentit të Republikës, Bamir Topi, kryeministrit, Sali Berisha dhe kryetares së parlamentit, Jozefina Topalli, ku iu kërkojnë angazhimin për vënien para drejtësisë të autorëve të vrasjes së të afërmit të tyre. Në letrën e drejtuar këtyre të fundit, familjarët e Fatmir Xhindit kanë shprehur habinë se si gjatë këtyre ditëve nuk ka asnjë risi për krimin dhe autorët. Të indinjuar, familjarët akuzojnë strukturat e policisë për paaftësi në kapjen e autorit Ata deklaruan dje për mediet se kanë kaluar 18 ditë nga data 2 maj, kur mbeti i vrarë deputeti Xhindi dhe ende nuk ka asnjë pistë apo të dyshuar. Familjarët thonë se nuk iu është komunikuar asnjë e dhënë mbi shkaqet e këtij krimi të rëndë. Ndërkohë, pas akuzave për paaftësi të familjarëve të Fatmir Xhindit, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve, ai deklaroi se shumë shpejt autorët e vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste do të vihen përpara drejtësisë. Sipas Nishanit, “hetimet po ecin dhe po zhvillohen shumë intensivisht”. Në fakt, që prej vrasjes së Xhindit, “hetimet janë duke u zhvilluar intensivisht” ka qenë citati i shprehur nga të gjitha strukturat e shtetit që kanë siguruar zbardhjen e motiveve dhe autorëve të vrasjes së deputetit të PS. Por, 19 ditë pas vrasjes së këtij të fundit, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende, gjë që me të drejtë ka ngritur dyshime te familjarët e Xhindit për paaftësi të strukturave hetimore. Megjithatë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, siguroi dje se, “është një ngjarje që do të zbardhet”.

Hetimet

Për zbardhjen e motiveve dhe autorëve të mundshëm të vrasjes së deputetit Xhindi janë përfshirë mbi 100 persona. Këta i përkasin shërbimi sekret apo siç njihet ndryshe SHISH, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Departamentit të Ushtrimit dhe Ndjekjes Penale, Departamentit të Krimeve të Hapura, Departamentit të Krimit te Organizuar, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Por, pavarësisht numrit të madh të tyre dhe faktit që kanë plot tri javë që po hetojnë për ngjarjen e rëndë, ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete që mund të çojë në zbardhjen e motiveve të vrasjes së Xhindit dhe identifikimit të autorëve apo autorit. Edhe pse në media është bërë e ditur disa herë se grupi hetimor ka mundur që të identifikojë autorin e vrasjes, burime pranë hetuesve thonë se nuk ka asgjë të vërtetë dhe për momentin nuk ka asnjë të dyshuar konkret. Burimet bëjnë me dije se po përpunohet çdo informacion që flet, jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontaktet e të ndjerit të disa ditëve apo dhe viteve më parë. Këto burime thonë se hetimi i ekzekutimit të deputetit të PS është shumë i vështirë, pasi autori nuk ka lënë asnjë gjurmë ne vendin e ngjarjes. Për më tepër, i ndjeri Xhindi nuk ka pasur konflikte me ndonjë person, çka mund të bënte që të ngrihej ndonjë hipotezë për vrasjen e tij.

Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e 2 majit, pranë banesës së tij në Roskovec të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›