E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zyrtarizohet kërkesa për komision hetimor ndaj Edi Ramës

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Partia Demokratike zyrtarizoi kërkesën për komisionin e dytë hetimor parlamentar për kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama. Komisioni që do të hetojë lejet e ndërtimit të miratuara nga Këshilli i Rregullimit të Territorit, më 22 mars 2009, sipas Ferdinand Xhaferit, do ta ketë të lehtë të vërtetojë shkeljet e kreut të selisë rozë. "Korrupsioni është aq i dukshëm, aq evident, sa tri javë mjaftojnë për ta nxjerrë Edi Ramën lakuriq përpara shqiptarëve dhe politikën e tij të re. Ne kemi akuzuar zotin Fatos Nano se bëri disa prokurime të drejtpërdrejta dhe e quanim atë si një nga rastet më klasike të korrupsionit. Ky zotëria ka kaluar çdo masë, nga 30 leje ndërtimi, 19 të tentosh t ia japësh ish- shefit të urbanistikës së Bashkisë të Tiranës, dhe përfaqësuesit në KRRT, e kuptoni që këtu nuk bëhet fjalë më as për korrupsion, as për konflikt interesash, as për monopole, kjo është mafie e pastër", - tha Ferdinand Xhaferi. Në më pak se një muaj aktivitet parlamentar të mbetur, Ferdinand Xhaferi la të kuptohej se mund të jetë ai kryetari i komisionit “Rama 2”. Në vitin 2003, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, u hetua nga një komision hetimor parlamentar, i kryesuar nga Sokol Olldashi, me akuzën për shpërdorime me detyrën dhe fondet publike.

Nismëtari, Paloka
“Rama para apo pas zgjedhjeve duhet të dalë përpara drejtësisë”

Deputeti demokrat Edi Paloka ka paralajmëruar ditë më parë se Grupi Parlamentar Demokrat shumë shpejt do të ndërmarrë nismën për të ngritur një komision hetimor ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Objekt hetimi, sipas tij, do të ishte pikërisht përllogaritja e dëmit ekonomik, që pretendohet se ka shkaktuar mosvënia në dispozicion të strukturave qendrore të planit urbanistik të Tiranës. "Unë paraqes një iniciativë për ngritjen e një komisioni hetimor ndaj Edi Ramës. Ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar pasojat e bllokimit të planit urbanistik për 10 ditë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës. Dikush mund ta quajë si lëvizje elektorale, por kjo iniciativë do të marrë shumë shpejt rrugë nga grupi i PD. Dhe është ai zotëria që më në fund para apo pas zgjedhjeve duhet të dalë para drejtësisë dhe të japë llogari", - tha Paloka.

Bumçi
Mazhoranca nuk do të njohë lejet e ndërtimit

Partia Demokratike ka hedhur akuza ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, për lejet e ndërtimit. Sipas zëdhënësit të grupit të PD-së, Aldo Bumçi, mazhoranca nuk do t i marrë në konsideratë këto leje ndërtimi. Bumçi gjithashtu e akuzoi Ramën se ka marrë ryshfet për lejet e ndërtimit që janë dhanë nga kjo bashki kohët e fundit. “Këshilli i Rregullimit të Territorit të Tiranës ka miratuar 47 kërkesa për leje ndërtimi, 27 prej të cilave, kërkesa të investitorëve privatë dhe të tjerat investime publike”. Anëtarët demokratë të këtij këshilli, akuzuan pjesën tjetër të majtë, se kishte miratuar me shpejtësi dhe në mënyrë klienteliste.
Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›