Letra/Asambleja e intrigave edviniste

Shijen e Asamblesë Kombëtare të PS e provuam ne replikën e Braçes me deputetin e PS Andis Harasanin. Erion Braçja, i cili mbeti barometri politik i çfarëdo udhëheqësi qoftë në karrigen e kryetarit të PS, e ripërsëriti vetveten - Perfekt - me të njëjtën leksiologji të gramafonit-tellall, kundër çdo armiku të karrikes së kryetarit të PS.
Pragfillimi i punimeve të AK, dhe Erion Braçja nuk e ka për gjë që të barazojë këdoqoftë anëtar të PS, deputet a udhëheqës (që nuk është kryetar i PS) me barazvlerën e armikut Berisha. Dhe kur flet Erion Braçja - ka folur vetë karrikja e kryetarit të PS. Erion Braçja deri edhe Ben Blushin e cilëson - në pragfillimin e AK të PS - njeriun që përdor Sali Berisha dhe pronari i tv “Klan” për të përçarë PS-në?!
Enver Hoxha a nuk akuzoi edhe Mehmet Shehun si agjent të amerikanëve për të rrëzuar Enver Hoxhën?.... Dhe “armiku” i PS-së - sipas Erion Braçes = barometrit politik të karrikes së cilitdo kryetari të PS-së - sot është cilido anëtar i PS që kërkon përgjegjësinë politike të humbjes së 28 qershorit tek Edi Rama. Sipas Erion Braçes - armiqtë e PS (natyrisht që i ka paguar Berisha dhe Frangaj...) janë edhe kryetari i PS të Lushnjës Leonard Gogu, kryetari i PS së Shkodrës Edip Shiroka, dhe ish-kryeredaktorja e ZP, Eva Allushi e Edlira Haxhiymeri - të cilët kanë guxuar publikisht të kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës nga kreu i partisë, pasi ai është fajtori i vetëm i humbjes.
Cili tjetër anëtar i PS në AK të PS, do të guxojë e të hapë gojën e të kërkojë përgjegjësinë politike të humbjes tek kryetar Edi Rama? Shpata e Demokleut-Erion Braçja është gati dhe e mprehur që t’i këpusë kokën kujdo armiku të klasës. A nuk shndërrohet kësisoj edhe AK e PS në ato plenume të PPSH-së, në plenume të ngritjes së gishtit përpjetë, të duartrokitjeve të zjarrta e të unitetit të “çelniktë” të partisë me popullin? Stigmën e parodisë së AK e dha dje edhe Edi Rama, i cili në takim privat e me dyer të konservuara ndaj Të Vërtetës, megjithë ata kryesues degësh të PS që janë servilë politikë të karrikes të kryetarit të PS, falenderoi gjithë ata drejtues degësh të PS që duartrokasin - sikurse enveristët - për shëndetin e kryetar Edvinit!!!
Lind pyetja? Përse duhet të zhvillohet një AK e PS - pas zgjedhjeve parlamentare - derisa nuk pranohet - me dhunën enveriste - analiza politike e humbjes politike të PS në zgjedhje? A nuk është parodi politike që një forum i lartë partie - sikurse AK - të përsëritë - me të njëjtat frazeologji sharjeje - qëndrimin politik vetëm të udhëheqësit të PS ndaj votimit të popullit? Derisa - deri më sot - të gjithë, në korin e përditshëm kanë ripërsëritur të njëjtat sharje politike (ju kujtojmë frazeologjinë politike të udhëheqësit të PS Edi Rama: kriminalitet, vjedhje, aleancë shtatanike, sovranitet i popullit) përse edhe AK duhet që të nxjerrë një rezolucion me kopjimin e fjalorit politik banal që kemi ridëgjuar që nga Edi Rama e deri tek Erion Braçja?
Thua se të gjithë korin (e zhabave, të gjinkallave) socialist proedvinist e ka lënë pa gjumë humbja politike e PS? Në politikë ka edhe moral, ka edhe ndershmëri. Dhe moral e ndershmëri në politikë do të thotë të kesh kurajon, të kesh ndërgjegjen politike që të pranosh humbjen. Pranimi i humbjes - sipas moralit dhe ndershmërisë politike - do të thotë që të pranosh që përgjegjësia që ndjen përballë partisë është mbi pasojat individuale. Korit (të gjinkallave të korrikut) socialist proedvinist, kjo i ka munguar: Morali dhe ndershmëria politike.
Derisa arrin Erion Braçja të akuzojë Ben Blushin se e përdor Berisha dhe pronari i tv “Klan” që të përçajë PS-në, çdo logjikë politike është banalitet përtej kësaj akuze. Thuhet, që AK do të vendosë që PS të bojkotojë parlamentin e ri. Kjo do të ishte atentati politik edvinist (dhe jo i PS) kundër Demokracisë në Shqipëri. Edvin Rama kërkon me bojkotimin e parlamentit të ri, që të vrasë jo thjesht Demokracinë në Shqipëri, por edhe më tej: Edvin Rama bojkoton dëshirën, vullnetin e votimin popullor.
Vetëm Enver Hoxha burgoste, internonte, dhe vriste të gjithë ata që votonin kundër politikës enveriste. Edhe bojkotimi Edvinist i parlamentit të ri (që do të vendosë sot AK e PS) është e barazvleshme me burgosje, me internime dhe me vrasje të votës të lirë të popullit. Burgosjet dhe internimet politike enveriste në PS do të fillojnë të nesërmen e AK të PS-së. Ruçiastët dhe Braçe-ianët do të fillojnë zbatimin e luftës të klasave kundër të gjithë socialistëve që kërkojnë përgjegjësinë politike të humbjes të PS tek Edi Rama.
Akti i parë i komedi-tragjedisë politike të PS fillon sot. Një Asamble Kombëtare ku do të kakarisin vetëm Edi Rama e Erion Braçja e kapërcen edhe fantazinë e intrigave makbethiane.
...