Guximi i ministres zvicerane Micheline Calmy- Rey

Ambicja ime e vetme tani është se si të hedhim një gur të mirë në kalanë tonë që është futur në udhën e demokracisë europiane, të NATO-s. Unë kam patur fat, dhe e them sinqerisht,siç mund të kishin edhe shumë bashkëkombas dhe ish kolegë të mi, që kam jetuar për një kohë të gjatë në një vend me tradita të lashta demokratik, si Zvicra, kryesisht për arsye personale. Por ju them të drejtën, kur para disa kohësh bisedova me profesor Photis Beris, shef i hematologjisë në Spitalet Universitare të Kantonit të Gjenevës, përsëri rashë në mendime. Ai profesor fisnik, flokëbardhë, i përkushtuar për gjetjen e teknikave të reja për kurimin e Talasemisë, më theksoi se mund të ndihmojmë mjekë shqiptarë që të vijnë të formohen për mjekësinë bashkëkohore, për metodat e reja të mjekimit të Talasemisë dhe hemoglobinopative në përgjithësi. Por, theksoi ai, me ta duhet të bëjmë një kontratë që të kthehen përsëri në Shqipëri, që të ndihmojnë sidomos ata të sëmurë kronikë në zonat e fshatit që nuk e dijnë që kanë këtë sëmundje. Deduksion nga ato që shpreh profesori që drejton një fondacion të fuqishëm : shumë nga shqiptarët kanë patur fatin, pas viteve 90-të, të vendosen në Europë, apo SHBA, Kanada e Australi. Por për arsye objektive dhe subjektive, për arsye të arsimimit të fëmijëve, të sistemit shëndetësor të përkryer, duke qënë në një shtet ku respektohen e drejta, ku ka pastërti, siguri, mirësi, ku « qoftëlargëve », sherxhinjve, sehirxhinjve, atyre që duan ta shtyjnë futjen e Shqipërisë dhe Kosovës në Europë, po u lëviz toka nëpër këmbë , shumica kanë vendosur të qëndrojnë aty. Kam një simpati të veçantë për Zvicrën dhe ministren e saj të jashtme, Micheline Calmy- Rey, jo sepse më ka dërguar një letër të ngrohtë, por sepse është e guximshme dhe e prerë kur ka të bëjë me çështjen e interesave të vendit të saj. Atë e respektojnë edhe përfaqësues të partive të tjera politike, të së djathtës dhe të majtës, për probleme që lidhen me interesat kombëtare. Do të doja që e njëjta gjë të ndodhte edhe në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e Ballkanit. Po nuk deshëm njeri tjetrin si vëllezër, si miq, dashamirës, edhe pse nuk mund ta zgjedhim fqinjin, kolegun, apo përfaqësuesin e një partie opozitare, atëhere do të mbetemi tek demokracia e brishtë e filluar qysh para gati 19 vitesh. Unë nuk e njoh mirë personalisht profesor doktor Sali Berishën, por i heq kapelen për reformat që ka ndërmarrë dhe do ndërmarrë në mandatin e dytë, paçka se Shqipëria ka akoma probleme të korrupsionit, të shtetit të së drejtës, apo i vihen gurrë nën rrota, nga llobe të caktuara armike. Do të kisha dëshirë që të hapnim një diskutim edhe për rolin e ambasadave dhe Misioneve tona : se çfarë bëjnë ato për të afruar shqiptarët, sidomos në kohët e sotme, për të diskutuar edhe për të ardhmen e tyre, për rolin që duhet të luajnë tani kur na bëhen padrejtësi, për mosdhënien e vizave për bashkëatdhetarët tanë nga Shqipëria dhe Kosova? Për ndihmesën që duhet të japin ata 8000 shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Gjenevë dhe ata rreth 200.000 në Zvicër; apo ata mijra e mijra në SHBA, Kanada, Britani e Madhe, Francë, Gjermani e gjetiu. A mund të pranojmë të heshtur që Europa të jetë si Shtetet e Bashkuara të Europës, pa Shqipërinë dhe Kosovën? Jo, duhet të veprojmë sëbashku, sa nuk është vonë, që të mos na shajnë brezat e ardhëshëm shqiptarë, duke na cilësuar si “të mefshët”, që kemi pare vetëm interest vetiake. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Instituti i Diasporës për të tërhequr rreth vetes mendimin e pjekur të atyre mijra ekonomistëve, arsimtarëve, profesorëve, universitarëve, gazetarëve, punëtorëve, ndërtuesve, arkitektëve, artistëve që japin një ndihmesë të çmuar për Europën e të 27-tëve. “Yes, we can!» (Po, edhe ne mundemi të bëjmë diçka).
...