E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdon restaurimi i Bibliotekës së Vatikanit, e cila do të hapet në vitin 2010

Dy vjet pas fillimit të restaurimit të Bibliotekës së Vatikanit, pavarësisht nga mbyllja e saj për këtë qëllim, janë shtuar disa shërbime. Për shembull është zgjeruar katalogu, që mund të konsultohet përmes internetit, dhe është rritur riprodhimi fotografik i dorëshkrimeve. Biblioteka do të hapet sërish për publikun në vitin 2010. mbi një bilanc të punimeve të deritanishme flet për Radio Vatikanin, prefekti i Bibliotekës, imzot Çezare Pazini: “Dy vjet kaluan tashmë, pra të themi kaluan dy të tretat e periudhës së mbylljes; mund të them se disa gjëra janë zgjidhur përfundimisht. U transferua laboratori fotografik dhe ai i restaurimit për të ristrukturuar ambientet: tani, laboratori fotografik është kthyer aty ku ka qenë dhe është me të vërtet i bukur; kush e ka parë tri vjet më parë, thotë se tani është plot dritë. Pas rreth 2 muajsh, edhe laboratori i restaurimit do të kthehet në shtëpinë e vet e ne po punojmë me shpejtësi për këtë. Një punë tjetër që dua të vë në dukje, interesante për studiuesit që presin të konsultojnë dorëshkrimet – të cilat janë thesari ynë më i bukur, më i rëndësishëm – është fakti se dorëshkrimet, edhe ato të ruajtura përkohësisht në Arkivin Sekret të Vatikanit, po kthehen në vendin e tyre. Hap pas hapi, pasi janë transferime shumë delikate, por po hyjnë në Bibliotekë. A ka nisma të veçanta për hapjen e Bibliotekës? Sigurisht! Për shembull, një iniciativë është ajo e publikimit të vëllimit të parë të Historisë së Bibliotekës Apostolike të Vatikanit. Historia e Bibliotekës në vëllime nuk ekziston, sidomos nuk ekziston në një formë që mund të jetë e konsultueshme edhe nga kuriozët. Vëllimi i parë do të flasë për historinë e hershme të Bibliotekës, pra na çon në gjysmën e dytë të ‘400-ës e në dhjetëvjeçarët e parë të ‘500-s, kur Papa Nikolò V caktoi njerëz për mbledhjen e dorëshkrimeve, grumbullimin e tyre në bibliotekë, të cilën e hapi për të gjithë, publikun e studiuesit”.

Atë Gjon Shllaku, martir në përvjetorin e lindjes/Atë Gjon Shllaku OFM, lindi në Shkodër, më 27 korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Hollandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). Regjimi komunist e arrestoi para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe e pushkatoi më 4 mars 1946 së bashku me Atë Gjon Faustin, Atë Daniel Dajanin, me seminaristin Mark Çuni,e Qerim Sadikun.

Fjalët e tij të fundit para ekzekutimit për vdekje me 4.03.1946, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!” Shprehje e heronjve të kohës moderne, shprehja e forcës së dhënë nga Shpirti Shenjt, si në të gjitha kohët heroike. Martir i vërtetë.

Atë Jakob Marlekaj OFM, një jetë të tërë në shërbim të Fesë e të Kombit/Kujtojmë edhe françeskanin shqiptar Atin Profesor Jakob Marlekaj në gjashtë vjetorin e vdekjes. Luigji, ky ishte emri që i vunë prindërit në pagëzim, lindi në fshatin Plan të Dukagjinit më 19 nëntor 1906 në familjen dukagjinase Marlekaj. Kur ishte ende i vogël, në Plan erdhi një famullitar i ri: Atë Justin Rrota, që hapi pranë kishës një qendër misionare. Aty mësuan shkrim e këndim shqip shumë malësorë të vegjël të Planit e të Gjurajve. Në mes tyre edhe Luigji i vogël, që u bë shpejt një nga nxënësit më të dashur të fratit- mësues, i cili, me miratimin e prindërve, e çoi të vijonte mësimet në shkollën françeskane në Shkodër, hapur që në vitin 1861 nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës.

Në vitin shkollor 1924-1925 u regjistrua në liceun françeskan Illyricum. Tashmë e kishte zgjedhur rrugën e vet, që do ta çonte larg nëpër universitete e kuvende të ndryshme françeskane të Italisë, duke nisur nga Firence, ku nisi studimet për të përfunduar në Bari, ku drejtoi katedrën e gjuhës e të letërsisë shqipe e ku jetoi deri sa mbylli sytë, më 27 korrik të vitit 2003. I la trashëgim kulturës shqiptare një pasuri të vërtetë shkrimesh, studimesh gjuhësore, hulumtimesh, dokumentesh, që ruhen në Bibliotekën e re françeskane në Shkodër. Prej tyre po kujtojmë vetëm veprën së cilës i kushtoi gjithë jetën: “Pjetër Bogdani dhe Shqipëria e kohës së tij”, botuar në Bari më 1989.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›