Letra/Heshtja e institucionit të presidencës për zgjedhjet më demokratike në Historinë e Shqipërisë...
Është mjaft për t’u çuditur se pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 28 Qeshorit, Presidenti i Republikës heshti si gur varri. Ndërkohë që nga të katër anët vinin urime për fitoren në këto zgjedhje, Presidenti zgjodhi të “ishte neutral”. E uruan Kryeministrin Berisha qindra e mijëra aktivistë e simpatizantë të PD-së, qytetarë dhe bashkatdhetarë nga Kosova e diaspora, Presidentë e Kryeministra të vendeve mike të Shqipërisë, por Presidenti ynë i nderuar as nuk denjoi të lëvizte një muskul në mimikën e fytyrës. Është e kuptueshme se Presidenti, në funksion të detyrës kushtetuese, duhet të jetë i paanshëm ndërmjet forcave politike, por kjo nuk duhet ta ndalonte të përshëndeste për fitoren anëtarët e partisë që e zgjodhën n/Kryetar të vendit, anëtarët (e deputetët) e asaj partie që e ngriti në postin e lartë të Kryetarit të shtetit. Presidenti heshti, por kjo heshtje nuk e nderon, ashtu siç nuk e justifikon fakti se “neutraliteti” i tij ishte në funksion të detyrës. Në këtë logjikë paskan shkelur kushtetutën e tyre edhe Presidentë të vendeve të tjera që e uruan Kryeministrin Berisha për fitoren. Nëqoftëse Presidenti ka patur hallin e Edi Ramës se “po i zemërohet”, kjo mundet të jetë një e vërtetë zhgënjyese për të gjithë anëtarët e simpatizantët e PD. Demokracia ka ligjet dhe rregullat e saj të pakontestueshme që bazohen në tolerancën dhe transparencën e institucioneve demokratike. Beteja elektorale është një betejë e një lufte me mjete demokratike për marrjen e pushtetit nga një forcë politike që populli i jep votën në mënyrë demokratike për një periudhë të përcaktuar kohe që parashikon kushtetuta e atij vendi. Sigurisht njëra anë e këtyre forcave mbetet në opozitë por kjo nuk duhet në asnjë mënyrë të bëhet objekt i mosmarrëveshjeve dhe problemeve që destabilizojnë qeverisjen. Duke heshtur, Presidenti Topi ka krijuar një precedent në përkrahje të Edi Ramës, te ketij skizofreni qe nuk di c’ben. Edhe letra që Rama nxitoj t’i dërgonte publikisht Presidentit, mbi gjoja “manipulimin e zgjedhjeve”, është tregues i unisonit ndërmjet tyre. Edhe heshtja për vendimin e PS nën diktatin e Edi Ramës për bojkot të Parlamentit, është tregues tjetër se Presidenti është në marrëveshje me Ramën dhe në heshtje po aprovon vendimet e tij që bien në kundërshtim me interesat kombëtare. Duke qenë kusht themelor lëvizja e lire e shqiptarëve në Europë e standardet demokratike të zgjedhjeve të 28 Qeshorit, pikërisht në këtë pikë Edi Rama po i sulmon shqiptarët për interesat vetjake. Ai ka uzurpuar forcën më të madhe të opozitës dhe po e mban peng demokracinë në Shqipëri. Veprimet e tij çoroditëse, të një njeriu me probleme psikike ka bërë që e majta të jetë në ditën e vet më të zezë. Sigurisht një parlament pa opozitën nuk mundet të ketë pamjen e një demokracie funksionale përpara opinionit ndërkombëtar. Por nga ana tjetër edhe faktori ndërkombëtarë nuk bazohet në veprimet e një skizofreni që përkohësisht ka bllokuar sistemin demokratik të një force politike si më e madhja e opozitës. Zgjedhjet e 28 Qeshorit kanë qenë në monitorimin e vëzhguesve të “OSBE/ODIHR”-it. Deklarata e Zv/Presidentit të OSBE z.Grossruck, se “zgjedhjet në Shqipëri ishin më të mirat të zhvilluara me përjashtim të disa problemeve teknike”, tregon se Shqipëria është në rrugën e duhur të integrimit europian. Kundër këtij qëndrimi Edi Rama menjëherë deklaroi se “ky është një mendim personal”. Në këtë pikëpamje, ky skizofren është një kopje e marrëzisë komuniste, të Shqipërisë “fanar në brigjet e Adriatikut”. Në këtë pikëpamje Presidentit të Republikës nuk i lejohej që të bënte heshtjen dhe në heshtje të aprovonte veprimet donkishoteske të Edi Ramës. Ai duhet të shprehej dhe t’u bënte thirrje të gjitha forcave politike që të gjenin gjuhën e përbashkët për interesat kombëtare.
Qëndrimi i Presidentit është dyshues edhe për faktin tjetër se po vertetohet takimi sekret me Edi Ramën në Pezë. Edhe përgënjeshtrimi si me gjysmë zëri i zëdhënësit të Presidencës lidhur me këtë takim nuk ishte fort bindës. Sigurisht, një takim legal i Presidentit me Kryetarin e opozitës do të ishte një gjë krejtësisht normale, por kur takimi zhvillohet në mënyrë sekrete, ky veprim është mjaft dyshues. Presidenti gjithnjë dhe vazhdimisht po tregon se është peng i një të kaluare jo fort të qartë... Në këtë kontekst, mund të arsyetojmë disi edhe për marrjen e të drejtës së specializimit në Itali, paçka se familja e tij ishte me “biografi të keqe”. Po ashtu, e çuditshme është edhe fakti që i ati i presidentit të republikës paska qenë i pari që paska dhënë lajmet në gjuhën angleze në Radio Tirana pas çlirimit... Në antitezë me këtë rast, babai im ka luftuar me armë kundër vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri e Kosovë dhe më vonë në Perëndim, deri në vdekje, për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Me këtë rast më brengos fakti se si është e mundur që ish nkryetari i partisë time antikomunste ta quajë “çlirim” vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri e në të njëjtën kohë të krenohet se paska ditur të përshtatet me diktaturën komuniste. Edhe heshtja e Presidentit në dekretimin e “ligjit të lustracionit”, duke u bërë palë me motivet e Partisë Socialiste që e kundërshtuan egërsisht ligjin e hapjes së dosjeve dhe dënimin e krimeve të komunizmit, është një tregues tjetër se presidenti i republikës asnjëherë s’u shfaq i motivuar si antikomunist. Si kryetar i grupit parlamentarë të Partisë Demokratike, ai ka votuar në Parlament në kundërshtim me vendimin politik të forces politike që ka përfaqësuar, duke abstenuar. Në këtë kontekst, nuk mundet të jetë një veprim i rastit, dekorimi që u bëri kriminelëve të diktaturës komuniste, Niazi Jaho, Xhevat Hana, Fatmira Laskaj & co, të cilët dërguan përpara vdekjes në litar dhe me pushkatim njerëzit e fjalës së lire. Nga ana tjetër, ai heshti lidhur me propozimin e Institutit të ish-të Përndjekurve politikë, me shkresën e dt.25.02.2008, që të nderonte me dekoratën e “Shqiponjës së Artë”, revoltën antikomuniste të Spaçit, në vitin 1973. Ai, si në rastin e ish Presidentit Moisiu, qe dekoroi Fehmi Abdiun, kriminelin qe vari ne litar Havzi Nelën, bën të kundërtën, dekoron kriminelët që masakruan dëshmorët e lirisë. Me gjakun e atyre heronjve, ai është ulur në karriken e Kryetarit të shtetit. Mos të harrojmë se Skënder Daja ishte vetëm 21 vjeç kur komunistët e pushkatuan në Spaç, Dervish Bejko 23 vjeç, po kështu edhe Pal Zefi e Hajri Pashaj nuk i kishin mbushur 25 pranverat. Vdiqën si vdesin trimat dhe kur morën plumbin në ballë thirrën: “poshtë komunizmi, rroftë Shqipëria”. “Edhe xhelatët po çuditeshin me ne, se ku e gjenim forcën për të mposhtur torturat në trupin tonë tërë plagë” - po më tregonte Bedri Çoku, njëri nga të mbijetuarit e revoltës antikomuniste të Spaçit. –Dhe gjykatësit, prokurorët dhe hetuesit e diktaturës komuniste që i torturuan dhe i dënuan këta heronj sot marrin dekorata dhe janë ulur këmbëkryq kudo në organet e drejtësisë. A është kjo reforma që duhej të kishte inicuar Presidenti Topi në organet e drejtësisë? Në këto momente kulmore kur Shqipërinë po e presin evenimente të rëndësishme në të gjithë historinë e saj, Presidenti duhet të zgjohet nga letargjia. Ai duhet të luajë rolin që i takon në përkrahjen me vendosmëri të forcave demokratike dhe të Shqipërisë në rrugën e vështirë të demokracisë.
...