Bumerangu fatal i bojkotit antiperëndimor të PS-së
“Zemërími i tepruar lind marrëzínë” - Samerset
“Politika e re” mbeti simbol i sloganit të dështuar të humbësit të madh, Edvin Rama. Meqë ky misionar i frymës së re duhej të largohej si kryetar i pasuksesshëm, vendosi të rikandidojë duke mos pranuar humbjen e zgjedhjeve. Taní që fitimtari po formon qeverinë e re dhe deputetët po gatiten të hyjnë në Kuvend, Rama, i tërbuar, shpall bojkotin më antiperëndimor me kushte absurde, të parealizueshme. Bojkoti i Ramës është epilogu i dramës së një liberali, që tentoi të shpallej pa u vënë ré diktator. Po ç’është për shqiptarët bojkoti i një gënjeshtari, që u shtir sikur i dhimbsej fati i Shqipërísë ?
Bojkoti i Ramës është frikë, largim nga beteja, dështim misioni, tërbim nga humbja, ndëshkim i padrejtë i vullnetin të sovranit. Ky bojkot është edhe alibi, “justifikim” i humbjes, burracakërí deliranti, vetëvrasje politike. Bojkotimi i Ramës vërteton humbjen totale të besimit në një fitore të ardhshme. Ai tregon dështimin e një fanatiku të fitores së padiskutueshme. Bojkoti i Ramës është edhe zhdukje shprese, zëmërim ndaj vetes, mallkim ndaj progresit. Ai shpreh agoninë e mundimshme të prirjes së këtij enveristi për marrjen e pushtetit me çdo kusht. Ky bojkot mohon garën elektorale, injoron parimin e rrotacionit të pushtetit, nuk njeh instalimin e drejtësisë me institucione. Bojkoti është klithmë e ambicies për pushtet absolut, që i shëmbëllen atij cfurkut, që, kur s’ka tjetër zgjidhje, ia ngul thumbin vetes. Ky bojkot, pra, është fundi i turpshëm i “Politikës së re”, e cila u shfaq me vizionin e mohimit të të gjitha politikave të vjetra. Ai është epilogu tragjikomik i mburrjeve arrogante të Edvin Ramës për nulizimin e gjithë politikave të tranzicionit.
Që PS-ja t’i mbetet Ramës si një “gardë pretoriane” dhe ta shpëtojë atë nga “cunamet” e drejtësisë së reformuar, lypset që ky mëkatar t’i bëjë presion Kuvendit me shpresën që ai t’i falë mëkatet. “Kushtet” e hyrjes në Kuvend janë dhe litari, me të cilin Rama kërkon të lidhë deputetët e zgjedhur prej tij me “pikatore”. Nuk mbrohet ndryshe mali i zullumeve të Ramës me shokë pa i bërë presion mazhorancës të bëjë ndaj tij një vesh shurdh e një sy qorr. Pazaret e ndyra politike realizohen vetëm me kushte. Edhe Enver gangsteri vinte kushte për t’u shtirur si liberal e si human. Kur diktatorët i mund zullumi, hedhin në skakierë fatet e popujve të tyre. Bojkoti i Ramës ka në themel interesat më meskine të këtij mëkatari të dështuar. E. Hoxha vuri peng jetën e tre milion shqiptarëve për të mbrojtur kokën e tij prej hídre. Kushdo që do të guxonte të kapte “heroin” e fshehur në tunelet e thella të maleve, duhej të zhdukte më parë një popull të tërë, të uritur. Bojkoti i Ramës ka lidhje edhe me teorinë komuniste të pengjeve. I gjithë fisi e paguante në diktaturë tentativën e një personi për arratisje. Mijra fëmijë kanë vdekur nga uria në kampe internimi për të paguar “mëkatin” e të jatit të tyre, sajuar prej xhelatëve komunistë.
Bojkoti i Ramës bllokon reformat, pengon liberalizimin e vizave, vonon integrimin në Europë. Ata që lartësojnë Ramën, fundosin të ardhmen e vendit. Rama synon ta bëjë “çiflig” të tij Shqipërínë. I privilegjuar pa merita qysh fëmijë, ai nuk mund të pranojë humbje, as fitore të kundërshtarit. Arroganca e tij i kalon limitet e logjikës normale, kur vë në dyshim edhe vlerësimet e personaliteteve botërore për standartet e zgjedhjeve të 28 qershorit. Rama po bëhet simbol i kundërshtimit, i nihilizmit, i shpifjes, i alibive. Synimi i tij është shpallja e vetes sundimtar i paprekshëm i Shqipërisë. Me bojkotin ai synon të garantojë rizgjedhjen në krye të P.S.-së. Të pengojë nismat për investigimin e pasurive të tij. Të frenojë reformat në strukturat e larta të drejtësisë. Të ruajë ortakërinë me krimin. Të përqeshë demokracinë, duke krijuar nostalgji për diktaturën. Ai s’e merr dot me mend sa socialistë të ndershëm ka revoltuar bojkoti i tij. Sa njerëz të sinqertë, që e votuan duke besuar se, të paktën, nuk do ta pengonte vendin të integrohej. Bojkoti i Ramës është izolim nga bota, mburrje enveriste për barkun bosh, ruajtje e konfliktit social dhe legalizim i vjedhjes arrogante të çdo vlere, që ka shqipëría.
Bojkoti i Ramës tenton ta lërë vendin pa opozitë. Të ringjallë epokën e hershme të apoteozës së krimit. Të detyrojë progresin të bëjë allishverishe me prapambetjen, me diktatin, me prishjen e imazhit të mirë të Shqipërísë përpara partnerëve tanë ndërkombëtarë. “Kushtëzimi” i hyrjes së opozitës në Kuvend kërkon t’i sigurojë Ramës pushtet të padukshëm mbi institucionet kushtetuese, t’i mbrojë atij aferat e pista, t’i garantojë unitetin e çetës së Ali Babait, t’i shpallë armiq e tradhëtarë gjithë socialistët, që guxojnë të mendojnë me kokën e tyre. Por Rama vetëm një gjë do të arrijë me këtë bojkot të turpshëm. Ai do të bindë Shqipërinë, botën dhe brezat që vijnë se “Politika e tij e re” ishte thjesht një gënjeshtër e bukur për të grabitur pushtetin, për të mohuar vullnetin e sovranit, për të grabitur të drejtat e njeriut, lirínë e fjalës dhe pasurinë kombëtare. Me kushtëzimin për hyrjen e opozitës në Kuvend, Rama e garantoi fundin e turpshëm të “Politikës së tij të re” dhe vërtetoi se P.S.-ja është një forcë politike e fosilizuar, që nuk mund të reformohet. Se ajo vetëm mund të mbijetojë duke ëndërruar kthimin mbrapa të shoqërísë. Janë pikërisht të tilla iluzione të çmendura, që kanë shpurë drejt greminave të gjithë ata, që janë matur me hijen e tyre të mëngjesit !...
...