Letra/Si po ushqehet dhuna nga PS, për motive mirëfilli partiake
Ditët kalojnë e fushata elektorale futet në fazat më intriguese, por demonstrimi i hapur i incidenteve dëfton se akoma në Shqipëri ka probleme të cilat lindin nga segmente te caktuara të papërgjegjshme të politikës shqiptare. Këto segmente me anë të retorikës së ashpër politike dhe me anë të manipulimit psikologjik që ju bëjnë elektoratit të tyre po krijojnë një mjedis të paparashikueshëm. Duke e parë fushatën elektorale në disa dimensione, mund të themi me plot gojë se PS po nxit mosbesimin e dhunën nëpërmjet dhënies së mesazheve të qarta sfiduese ndaj funksionimit normal të institucioneve. Mënyra si artikulon fjalët, mënyra se nga cila filozofi udhëhiqet, ajo e rrugës së vetme, mënyra nihiliste e mohimit të gjithçkaje si dhe mania për të abuzuar me aspiratat e disa grupeve të ndryshme shoqërore, mënyra se si përpiqet që të krijojë kundërvënie kundrejt qeverisë me forma dhe mjete të jashtëligjshme, tregon edhe njëherë adn-në e Edi Ramës, tregon se ky njeri nuk e njeh realitetin dhe dëshiron me ngulm implementimin e urrejtjes ndaj shtetit, moszbatim ligji, shkatërrim i gjithçkaje që është krijuar me aq mund e sakrifica. Në vend që të flasim për bashkëpunim, komunikim e intensifikim marrëdhëniesh ndërmjet çdo pale e çdo faktori në politikë, njëra palë e politikës i shmanget, e braktis njëherë e përgjithmonë dialogun dhe zgjedh politikën e rrugës, politikën e kafeneve, duke kërkuar xhihad politik ndaj pushtetit legjitim që e ka votëbesuar një popull u tërë. Kjo mënyrë komunikimi politik bëhet direkt e jashtëligjshme sepse përpiqet që të eklipsojë aspiratën e shqiptarëve, si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen, ta shkërmoqë njëherë e përgjithmonë atë, duke promovuar një mentalitet e këndvështrim komunist të të parit të gjërave. Edhe PS duhet ta shohë si pasuri apo benefit politik mbarëvajtjen e fushatës elektorale, një e mirë që më shumë se do ju shërbeje partive politike, do i shërbejë popullit shqiptar. Tentativa për të minuar procesin zgjedhor tregon edhe njëherë frikën që ka nga mosarritja e pritshmërisë politike që ata duan të kenë, pra tregojnë frikë nga humbja e zgjedhjeve, sepse kur e di se mund ta fitosh një sfidë bën të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar mbarëvajtjen e saj. Këta individë duan ta shohin veten e tyre në majë të piramidës drejtuese, me çdo kusht dhe me çdo mjet, por në rrugë legjitime nuk arrijnë të marrin votat për shkak të mungesës së vizionit të tyre prandaj zgjedhin rrugë ekstreme. Meqenëse nuk arrijnë të marrin votat e elektoratit përpiqen të gjejnë me mijëra justifikime duke pjellë kauza fantazëm, të cilat nuk u përshtaten kushteve aktuale ligjore, etike apo njerëzore. Natyrshëm lind subjektivizmi, irracionaliteti apo ndikimit të pushtetit të rrethanave të çastit ashtu siç ndodhi në demonstratën e 21 Janarit, ku papërgjegjshmëria politike arriti kulmin. Pikërisht dhuna nuk lind vetvetiu, janë disa faktorë kushte specifike, mekanizma që e ushqejnë ajo zmadhohet dalëngadalë deri në eksplodimin e saj të furishëm. Siç e dhamë faktori i parë i lindjes së dhunës është gjuha e ashpër politike që lind nga disa mekanizma të politikës. Së dyti duhet të kemi parasysh se gjendja emocionale e simpatizantëve të partive politike para çdo fushate elektorale na paraqitet shumë e ndezur. Ata përpiqen që të tregojnë identitetin e tyre politik, përkatësinë e tyre politike si dhe dëshirën për të treguar zell ndaj partive të tyre edhe në rrethana, kushte të pafavorshme që mund të cenojnë interesat e grupeve të tjera. Duhet të bëhet shumë kujdes kur flitet përballë këtyre grupesh simpatizantësh, pasi janë të gatshëm për të bërë gjithçka që mund t’u thuhet. Së treti shumë njerëz i shohin partitë si të vetmen mundësi, si shpresën e vetme të punësimit apo të integrimit të tyre në shoqëri prandaj e ardhmja e partisë njehsohet, ekuivalentohet me të ardhmen e tyre personale. Fitorja e zgjedhjeve shndërrohet në një mision jetik të dyanshëm. Në këtë mënyrë në shumë raste i kalojnë caqet e të ligjshmes.
Përdorimi i kanaleve të komunikimit masiv, me anë të spoteve, gjuhës ogurzezë të kërcënimeve rrit akoma më shumë ngarkesën psikologjike tek teleshikuesit, pra mund minojë parjen me objektivitet të aspekteve. Kjo ndodh për faktin se media mund t’i japë rëndësi më shumë seç duhet një aspekti të veçantë, i cili në të vërtetë mund të jetë i parëndësishëm. Në vend që politikani të jetë shembull i përkryer i maturitetit, gjakftohtësisë, reciprocitetit, përkundrazi shndërrohet në një shembull të keq si për të mëdhenjtë ashtu edhe për të vegjlit të cilët më shumë se kurrë ka nevojë për shëmbëlltyra pozitive. E gjithë kjo lind për shkak të mentalitetit që kanë krijuar disa elementë të politikës në Shqipëri se janë të paprekshëm, nuk i japin llogari askujt për veprimet apo mosveprimet e tyre. Një thënie e mençur thotë: “aty ku nuk ka argumente, ka dhunë”. Kjo tregon gjendjen aktuale të disa politikaneve si Edi Rama që nuk ka asnjë argument për të na servirur përpara, prandaj i ngel rruga e vetme për të realizuar aspiratat e tij. Një rrugë që nuk të shpie asgjëkund, përveçse në shkatërrim të çdo elementi pozitiv e progresiv. Dhuna implementohet në ato shoqëri që kanë shkallë të ulët zhvillimi, emancipimi, integrimi. Pikërisht shtohet nevoja e një qasje të re në politikën e tyre të mbrapshtë të regresit. Duhet që të shihet për tej interesit të tyre personal nuk duhet të lejohen që të prishin harmoninë midis njerëzve, të pranojnë verdiktin që vendos shumica si dhe të bëhen promovues të progresit. Dialogu duhet të shihet si mjeti i vetëm që u jep zgjidhje gjërave. Mungesa e kurajos për të bërë dialog s’tregon gjë tjetër veçse paaftësi, frikë nga hija jote dhe shkatërrim total të shpresave të atyre që të ndjekin. Duhet t’i bëhet e qartë secilit që abuzon me postin e me besimin e njerëzve se ka një kufi, limit të cilin ata nuk duhet ta kalojnë. Ky popull mjaft ka vuajtur, më shumë se kurrë i duhet paqja, dialogu dhe e mira.