Zhvendosje e stacionit të trenit dhe nënkalime të reja për Tiranën
Lulzim Basha ka detajuar në Laprakë alternativën e tij të normalizimit të kryeqytetit. Zhvendosja e stacionit të trenit dhe ndërtimi i stacionit interurban, me dy nënkalime, mundësia e parë për ndërtimin e një porte të dytë hyrëse për kryeqytetin
Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha parashikon në projektin e tij zhvendosjen e Stacionit të Trenit, dhe ndërtimin aty të stacionit interurban të automjeteve. Në takimin me banorë të njësisë bashkiake numër 11 në Laprakë, ku prezantoi kandidatin për kryetar të kësaj njësie, Haki Mustafa, Basha premtoi edhe zhvendosjen e hekurudhës që kalon përmes një prej lagjeve më të diskriminuara të Tiranes, si dhe ndërtimin e të paktën dy nënkalimeve për të lidhur dy zonat e banimit përgjatë segmentit rrugor nga “Zogu i Zi” deri tek dogana. “Zgjatimi i Bulevardit nga stacioni i trenit tek Bregu i Lumit do të shoqërohet me zhvendosjen e Stacionit të trenit dhe ndërtimin pranë stacionit të ri të trenit këtu në afërsi të Laprakës, të stacionit interurban të kryeqytetit tonë. Bashkë me stacionin e trenit ne do zhvendosim edhe atë pjesë të hekurudhës e cila kalon këtu në njësinë tuaj vendore, në një nga lagjet më të diskriminuara që merr jetën e banorëve në mënyrë të vazhdueshme. Po kështu, ju jap fjalën se investimin e gabuar që ndau Laprakën nga pjesa tjetër e qytetit, dhe për të cilën me dhjetëra e dhjetëra qytetarë të lagjes tuaj paguan me jetën e tyre, ne do ta zhbëjmë duke ndërtuar të paktën dy nënkalime që do të lidhin këto dy pjesë të Tiranës. Për të përmirësuar këtë cilësi jete, dhe për të hapur vende të reja pune nën përvojën, përkushtimin, e vendosmërinë e rrugës së Kombit, unë ju premtoj sot se brenda gjashtë muajve të mi të parë si Kryebashkiak juaj i ardhshëm do të nis punimet për Unazën e madhe të Tiranës”- u shpreh Lulzim Basha para banorëve të njësisë vendore 11, në Tiranë.
Basha, projekt konkret për zhvillimin e zonës së “Bregu i Lumit”/Projekti i Lulzim Bashës për Tiranën, i jep një zhvillim të veçantë zonës tek “Bregu i Lumit”, zonë e cila sot është me e diskriminuara në Kryeqytet. Basha i ka garantuar banorët në një bashkëbisedim me ta, se do t’i jepet fund diferencimit në investime, dhe mbledhjes së taksave pa siguruar shërbime. Po kështu, kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha garantoi se ujërat e zeza nuk do të derdhen më në Lumin e Tiranës, por ato do të përpunohen si në çdo kryeqendër tjetër europiane. “Duam veç rrugën. Dal në 5 të mëngjesit vij në 2, punoj kamariere veç në baltë eci. Kanalizimet e gjithë Tiranës kalojnë këtu poshtë nesh dhe derdhen në breg të lumit dhe vijnë këtu në turinjtë e fëmijëve tonë, edhe rrugën shife”, i tha Bashës një banore. Kandidati për kryebashkiak siguroi se kjo gjendje do të marrë fund. “Kolektorët nuk do derdhen më në lumë, do përpunohen ashtu siç përpunohen kudo në botë. Ky është parakusht që Lumi i Tiranës të kthehet në një çlodhje dhe në një vend ku njerëzit të kenë dëshirë të vijnë. Të jeni të sigurt, që diskriminim për shpërndarje të investimeve nuk do të ketë më”- tha Basha. Fenomeni i pagimit të taksës dhe mos marrjes së shërbimit është i pranishëm edhe tek Bregu i Lumit. “Paguajmë taksë gjelbërimi, taksë pastrimi, taksë shtëpie rreth 60 e ca mijë lekë, dhe ne të gjitha i bëjmë vetë, pastrimin e bëjmë vetë, ndërsa gjelbërim nuk ka”, tha një banore. “Çdo shtëpi tek Bregu i Lumit nuk do të jetë më një dëshmi diskriminimi, por do të jetë një pasuri. Për këtë ju jap fjalën sot dhe në të kundërt pas katër vitesh do më bëni përgjegjës. Taksat e Bashkisë për qytetarët janë të larta. Taksat do t’i ulim për të gjithë qytetarët. Por në veçanti për qytetarët në nevojë, siç janë me qindra, siç janë me mijëra këtu në qytet. Taksat e Bashkisë do të aplikohen në nivelet minimale dhe përveç kësaj ju do të keni ndihmë sociale nga Bashkia, ashtu siç duhet të ketë çdo qytetar në nevojë. Menjëherë, pas ardhjes në krye të Bashkisë, unë do të filloj shtrimin, asfaltimin e rrugëve – por pasi të kem mbaruar kanalizimet e çdo lagjeje të Tiranës”, u shpreh Basha. Basha i ka njohur banorët me projektin e tij që i jep një zhvillim të veçantë zonës. Shtrirjen e bulevardit nga Stacioni i Trenit deri tek Bregu i lumit, projekt i cili zhvendos hekurudhën ku kanë humbur jetën me dhjetëra njerëz.
Lulzim Basha merr pjesë në aktivitetin e Ditës së Tokës: Monitorim të rreptë kujdesit mjedisor, plehrat në 3 kazane/ Dje në Ditën e Tokës, Lulzim Basha i ka kushtuar rendësi të veçantë pastërtisë së qytetit. Në rrugët e Tiranës, mungojnë koshat e plehrave, në lagjet periferike mungojnë kontenierët, dhe ajo që është më shqetësuese, mbledhja e mbeturinave nuk bëhet rregullisht – duke dëmtuar kështu jetën e banorëve. Pikërisht në Ditën e Tokës, Basha iu bashkua iniciativës së anëtareve të Klubit Studentor për Edukim Mjedisor, për vendosjen e 50 koshave të grumbullimit të mbetjeve në rrugën “Hoxha Tahsim”. “Qyteti i pastër mbetet një teori, nëse nuk ndërmerren veprime të shpejta për të përmirësuar situatën aktuale. Prandaj duhet ndërhyrje e menjëhershme, shtrirja e rrjetit të mbledhjes së mbeturinave në të gjithë qytetin, dhe së dyti, ndërtimi i sistemit të diferencuar të trajtimit të tyre. Ndarja në tre kazanë – mbetje plastike, mbetje qelqi dhe mbetje letre. Këtë skemë përdor sot Lezha, këtë skemë përdor sot çdo qytet evropian i vogël apo i madh. Modernizimi i infrastrukturës mbledhëse dhe monitorimi i rreptë dhe i përditshëm është shërbimi që do të ofrojmë”- tha Lulzim Basha. Mbledhja e diferencuar e mbetjeve, sipas Bashës, ul koston e përpunimit nga Bashkia, dhe ndihmon në riciklimin e tyre.
Rajmonda Bulku: Ditën e Tokës, Edi Rama e ka zëvendësuar me “festën e betonit”/Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku ka reaguar dje në ditën botërore kushtuar tokës, 22 prillin, ndaj kryebashkiakut aktual Edi Ramës duke e akuzuar atë se kjo ditë është kthyer për të ditën e betonit. “Sot është dita e tokës, por jo për Edi Ramën: për të, sot është dita e betonit”, kështu u shpreh deputetja e partisë Demokratike Rajmonda Bulku duke rikujtuar se Tirana është qyteti i dytë më i betonizuar në Evropë që është kthyer nga lulishte në betonishte. Gjithashtu ajo shtoi se pastrimi i Tiranës nga Kioskat u zëvendësua me betonizimin e kioskave. Bulku, deputetja demokrate tha më tej se përpjesëtimi mes betonit dhe hapësirës së gjelbër në Tiranë është në nivele alarmante, pasi sikundër tha ajo janë 180 metër katrorë beton për 2.7 metër katrorë hapësirë të gjelbër, për çdo banor të Tiranës. Duke vazhduar më tej akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Bulku theksoi se zhdukur shatërvanet, duke shtuar se i vetmi shatërvan në Tiranë është bërë tek Zogu i Zi nga Lulzim Basha në postin e ministrit të transporteve. Ajo akuzoi Edi Ramën si përgjegjësin kryesor të shkatërrimit të shatërvanit më të i vjetër të Tiranës, i ndërtuar në 1924 tek Parlamenti. Deputetja e Partisë Demokratike, Bulku duke iu referuar statistikave të Shoqatës shqiptare të konsumatorëve tha se ka 250 mijë kryqëzime të ujërave të zeza me ato të bardha. Më tej ajo hodhi akuza ndaj bashkisë së Tiranës, për mos transparencë të fondeve që bashkia përfiton nga taksat që u mbledh qytetarëve. “Të ardhurat vjetore të bashkisë nga tarifa e pastrimit, janë 4.6 milionë dollarë, nuk dihet ku shkojnë këto para. Bashkia pretendon se lahen përditë rrugët e Tiranës, çka nuk rezulton e vërtetë sepse sipas llogaritjeve, 2 autobotet që përdoren për larjen e rrugëve duhet të punonin 40 orë që të arrinin të lanin gjithë sipërfaqen e Tiranës. Tirana ka 74 km transport urban, sipas standardit, çdo 40-50 metra vijë lineare duhet të ekzistojë një kosh. Pra mungojnë 1.600 kosha plehrash”- u shpreh deputetja e PD-së Bulku. Përmes kësaj deklarate, Bulku duke u bazuar në ligj tha se për largimin publik të mbeturinave, bashkia apo komuna ka për detyrë të mbrojë mjedisin urban nën juridiksionin e saj nga ndotja. Gjithashtu ajo nënvizoi se jo pak herë, madje edhe brenda lagjeve të qendrës së qytetit, mbeturinat nuk hiqen për ditë me radhë, duke u bërë burim infeksioni. Më tej ajo bëri me dije se normat e ndotjes në Tiranë janë afërsisht 3 herë më të larta se të BE-së, duke shtuar se vetëm në qendrën e qytetit, sasia e pluhurit pezull është afro 3-4 herë më e lartë. Bulku theksoi gjithashtu se statistikat e nxjerra nga Qendra Rajonale e Mjedisit, tregojnë se vetëm nga ndotja e ajrit vdesin çdo vit 17 foshnja në 1 000.. “Sot gjendja ekzistuese është sipërfaqe e gjelbërt rreth 2.8 m² për banorë, ndërkohë që rregullorja e Urbanistikës e përcakton normën minimale të gjelbërimit 7 m²/banor. Të ardhurat e Bashkisë nga Taksa e gjelbërimit në 4 vitet e fundit, rreth 17 milionë dollarë, nuk kanë shkuar për gjelbërim”- theksoi Bulku. Ajo bëri thirrje se kjo situatë duhet të ndryshojë. Duke theksuar se Tirana ka nevojë urgjente për gjelbërim si masa ndaj nivelit të lartë të ndotjes. “Ne kemi nevojë për një kryebashkiak që të ketë respekt për tokën dhe të kujdeset për ambientin ku ne jetojmë nuk kemi nevojë për një kryebashkiak që synimin e vetëm të tij ka betejën politike kombëtare”- përfundoi këtë deklaratë për mediat deputetja e Partisë Demokratike, Bulku.
...